1909 KRISHTLINDJE NË SHKODER – Poezi nga At Pjeter Meshkalla

1692
0
Share:

1909 KRISHTLINDJE NË SHKODER

Dha lajmin kumbona

me tinguj argjandi,

theu muzgun jehona,

gjitha zemrat i trandi:

vijnë festat e lume,

Krishtlindje e bekume,

me shëndet e me gëzim !

Kumbonat e randa,

kumbonat e lehta

këndojnë me t’pasë anda

me notat e veta:

ushtojnë kumbonaret,

larg zani përdaret

tuj ra pa pushim…

Sa kandshëm dikohet

kjo valë e harmonisë,

krejt shpirti naltohet

ndër sfera të hyjnisë:

kah shpresa e ngushëllimit,

kah rrezja e shpëtimit,

drejt paqës që vjen !

N’atë kupen qiellore

o yje xixëlloni,

o male prej bore

n’dritë t’hanës zbardhoni

që zemrat e dlira

t’gazmojnë vullnet-mira

me atë fe që na ushqen.

Tarabat kërcasin,

po mbyllen dyqanet,

gra e burra hitasin,

vrapojnë prej gjithë anëvet

përshëndetje e përgëzime

ma t’bukrat urime

gjatë rrugës ndigjon.

Tash shpenzimet e mbrame

s’ka mbetë kush pa i’ kry,

gjithkush don n’kët mbrame,

n’shpi ngutshem me kthy:

ponëtori e tregtari,

ngarku, prej pazari

ma thekshem vrapon,

Plot dritë janë shpijat

Plot zjermi te oxhaku,

pëlcasin dëllijat,

luejn fëmijt te praku,

e gratë nuk pushojnë,

pa da vijnë e shkojnë,

vlon puna gjithëkund…

N’familje kryepare

ke sande gjithë t’mirat;

n’ato mesatare

plotësohen dëshirat;

…po edhe unë, fukaraja

n’këto festa t’mdhaja

do t’gëzoj edhe unë !

Pak baba fitimet,

pak qiti edhe nana,

e shkreta, kursimet

për t’ble do gjana;

por… erdhi tek dera

dikush e, si era,

la nji shportë edhe shkoj.

Vetë bana “Betlemin”

sa i bukur që m’doli,

s’e ka kush si temin

n’mahall t’gjuhadolit:

me dërrasa e pëlhura,

me letra e piktura

ka kohë që unë punoj.

E tash që mbarova

unë punen t’tanë,

te baba fluturova

me nanen e vllanë,

njirendi tuj shku

gjithë s’bashku me u vu

te votra “n’gjuj t’mdhaj”

Dhe ngrihet em atë

Qirin ndezë, atëherë

Premton nji uratë

Dhe ulet me tjerë,

Ndërsa na ma kadalë

flasim pa u ndalë

uraten si ai..

Por mue nuk m’xen vendi,

Lëshoj zanin e hollë,

m’rrah zemra prej shendi,

tham vjershat si n’shkollë,

përshndetje kah “shpella” tuj ba,

kah prindët edhe ma

andej edhe këndej.

E kthehem t’rroku prinden…

por baba ka ulë kryet,

e nana merr kinden

e shpejt i fshin syt…

nuk di ç’ka u ka zemra

por mue m’dridhet themra,

m’vlon gjaku ndër dej…

A thue janë lot gëzimi ?

a por janë lot malli ?

o…ndoshta asht pikëllimi

pse mblu na ka halli

n’kët t’shkretë jerevije

përdhese vorfnije

si Krishti në stan !

Po ç’ka na Jezusin kemi

ndër zemra t’vajtushme;

t’ngrohun na jemi

me hire t’hyjnushme:

i drejti n’kët jetë

ka Paqen e vertetë,

që tjerët nuk e kanë.

Po, me Jezusin kjajmë,

e gëzimet ma t’thellat,

me Jezusin i ndajmë:

e i lusim Këshndellat

me aq t’mirat e Zotit

na i fali n’ditë t’sotit

me Jezusin e Lumë !

Oh, sa ambel sahati

Rrjedh sonte n’streh tonë

kaq ambel… por nuk zgjati

ra nji tingull… kumbonë…

Mesnatë ! – krisi hareja

jehon Kumbonarja,

përshndetje gjithkund

N’këto valë festuese

T’gjithve zemrat na qeshen,

Si rryma vërshuese

njerzia rrugës ndeshen,

kumbonët ajrin çajnë

përshndetjet s’ja dajnë

për festen që na erdh.

Na pret Kisha e Madhe

krejt  mbushë me kandile

vijnë rradhë mbas rradhe

me tuba, familje,

e n’kishë prej pesë portash,

çdo moshe e gjithë ortash

mbrendë populli u derdh.

Sa drita, si ylberi !

sa jone t’mallëngjyshme!

sa prifta te elteri

me petka t’shkëlqyshme!

timiani me shtielle

naltohet drejt qielle

fjollë-fjollëza plot!

Shkon nalt si timiani,

urata e lirë,

i kangës ushton zani,

me engjujt e mirë:

Ka lind Mesia,

vjen paqa e dashnia!

Lumni t’naltit Zot !

 

 

Poezi nga At Pjeter Meshkalla  shkru në vitin 1950 BB

 

 

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.