25 vite marrëdhënie diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë

719
0
Share:

Në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë përshëndes këtë Konferencë kremtuese me rastin e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Mund të thuhet me padyshim që fryma e kësaj marrëdhënie ka qenë shumë e mirë në këto vite. Por qëllimi im në këto rreshta është të përshkruaj në vija të trasha kontributin që Kisha Katolike, me barinjtë e saj, meshtarët, motrat dhe të gjithë vepruesit baritorë, është munduar të japë në këto vite për ringritjen shpirtërore, morale, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

Hapja e Shqipërisë dhe demokratizimi i saj dhe lirja fetare ishin lajmet te medha për të gjithë. Menjëherë ata meshtarë e motra, që i kishin mbijetuar komunizmit, nisën punën e tyre për t’u ardhur në ndihmë shpirtërore e materiale katolikëve dhe të gjithë atyre që kishin nevojë. Qysh në vitet e para, gjthashtu shumë misionarë e misionare të Kishës Katolike, shumë fondacione e shoqata, organizma bamirësie, u angazhuan duke iu përgjigjur ftesës së Shën Gjon Palit II për të ardhur në Shqipëri e për të ndihmuar popullin shqiptar.

Në ato vite të para jemi përgjigjur si kemi mundur dhe sa kemi mundur ndaj nevojave shpirtërore dhe materiale të popullit Shqiptar, nëpërmjet ndihmave, ushqimeve, veshjeve, por edhe duke nisur veprën për rindërtimin e Kishave të shkatërruar nga komunizmi dhe e strukturave tjera shpirtërore, shoqërore, shëndetësore dhe arsimore.

Në çdo emergjencë në këto vite Kisha Katolike, nëpërmjet Karitasit, famullive, meshtarëve, motrave dhe vullnetareve ka dhënë ndihmesën e saj. Të gjithë kujtojmë vitin ’97, viti i marrëzisë kombëtare – si e quaj unë – në të cilin pjesa më e madhe e misionarëve nuk u largua nga Shqipëria; lufta e Kosovës (mars 1999) e pa Kishën Katolike të angazhuar në vetën e parë për të pranuar, shtrehuar dhe ndihmuar të shpërngulurit. Në raste përmbytjesh a fatkeqësish të tjera natyrore po ashtu Kisha katolike nuk u tërhoq në asnjë moment.

Përveç emergjencave, Kisha Katolike është munduar në këto vite të japë ndihmën e saj edhe nëpërmjet edukimit dhe institucioneve arsimore. Shkollat, nga çerdhet, kopshtet, filloret dhe nëntëvjeçaret, të mesmet deri te Universiteti, janë shprehje e dashurisë dhe angazhimit të Kishës Katolike për vendin tonë dhe formimin e brezave të ardhshëm; kujtoj edhe angazhimin për të sëmurët me ambulancat: Gjithçka që kemi bëre dhe e bejmë edhe sot, ka bazën në parimin e subsidiaritetit.

Po ashtu të gjithë ne ipeshkëvijtë kemi besuar dhe besojmë se dialogu ekumenik dhe ndërfetar duhet promovuar dhe nxitur sa më shumë. Jemi munduar ta bëjmë këtë gjë nëpërmjet takimit me njëri-tjetrin edhe pse të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Gjithashtu nuk kanë munguar në shumë raste edhe bashkëpunimi ndërmjet Kishës dhe Shtetit me nisma të përbashkëta në ndihmë të personave në nevojë, për shkollat, për kthimin e pronave edhe pse në këtë të fundit mbetet ende punë për t’u bërë së bashku. Këtu kujtoj mundësinë për  zhdoganimin falas të gjërave që vijnë në emër të Kishës dhe në veçanti dy marrëveshjet me Selinë e Shenjtë ne viti 2002 dhe 2008; dhe më lejoni të kujtoj edhe një herë se ende kemi problemet e pronave. Për këto e për problemet e tjera, ashtu sikurse parashikojnë edhe marrëveshjet e bëra, ne kemi kerkuar që të ngrihet një Komisioni ad hoc dypalësh: uroj që të ngrihet sa më shpejt ky Komisioni ad Hoc, si fryt i këtij 25 vjetori.

Kisha katolike në Shqipëri e ndjen në natyrën e saj të thellë angazhimin shoqëror, si rruga për t’u afruar me njerëzit, për t’i shërbyer çdo njeriu, të vetëdijshëm se kështu i shërbejmë Zotit, si ka punuar Shenjtja Nëna Tereza dhe si kanë punuar 38 Martirë që u shpallen të Lumë me 5 nëntor 2016.

Uroj që marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë të ndikojnë edhe në bashkëpunimin ndërmjet Kishës Katolike në Shqipëri dhe Shtetit Shqiptar, dhe si fryt i kësaj dite të kemi sa më shpejt Ambasadorin në Selinë e Shenjtë. Ne si ipeshkëvinj, bashkë më popullin që udhëheqim, ndjehemi pjesë e gjallë e këtij vendi dhe dëshirojmë të vazhdojmë të japim kontributin tonë në të mirë të vendit, si na kanë nxitur Papa Gjon Pali II dhe Papa Françesku në vizitën e tyre në Shqipëri.  Faleminderit dhe Urime të gjithëve.

Imzot Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Share:

Leave a reply

Opinion