25 VJET NGA HAPJA E KISHËS NË SHQIPËRI “Lindja dhe zhvillimi i Thirrjeve në Kishën tonë. Roli dhe sfidat e formimit në Shqipëri pas viteve ’90”

183
0
Share:

Të flasësh për fushën e formimit nuk është aspak e lehtë sepse kemi të bëjmë me një sferë shumë delikate dhe misterioze po aq sa është edhe vetë njeriu që formohet. Për nga natyra dhe rëndësia e tij, jo më kot formimi është quajtur edhe “arti i arteve”, sepse ka të bëjë pikërisht me edukimin e kësaj qenie të rëndësishme dhe të veçantë që është njeriu si krijesë e Zotit në shëmbëlltyrën e përngjasimin e Tij. Prandaj, përpjekja e formimit ka si qëllim që ta çojë njeriun në nivelin për të cilin Zoti e ka krijuar, d.m.th t’i përngjajë vetë Atij. Këtë të vërtetë Zoti e ka mbjedhë në zemrën e njeriut, dhe edukimi, atëherë nuk është gjë tjetër veçse një nxjerrje në pah të këtij imazhi të Zotit. Edhe fjala “educere”, d.m.th. pikërisht të nxjerrësh jashtë. Prandaj edukatori i mirë është ai që e ndihmon nxënësin të nxjerrë në pah të vërtetën e njeriut, pra të qenit bir/bij e Zotit, dhe të t’i bëjë të frytshëm talentet që Zoti ia ka dhuruar.

Kjo përpjekje delikate formative është zhvilluar dhe po zhvillohet edhe në Shqipëri. Pas viteve ’90, vendi ynë ka dal me shumë mangësi dhe trauma psikologjike dhe antropologjike si pasojë e sistemit komunist. Frika dhe mos besimi në njeriun-vëlla, koncepti i gabuar për njeriun dhe prejardhjen e tij, eliminimi i Hyjnores, kanë bërë që njeriu të rriten me një formim jo të drejtë. Kjo e ka bërë të vështirë punën edukative që ka si bazë besimin në Zotin dhe besimin në njeriun. Gjithsesi, edhe pse kishte shumë persekutime dhe mohime të fesë, Shpirti i Zotit e mbante akoma të ndezur dritën e shpresës dhe të fesë në zemrat e besimtarëve. Prandaj vërehej një zell dhe entuziazëm i të rinjve dhe të rejave që donin të përqafonin edhe thirrjen e jetës meshtarake dhe rregulltare. Kështu, seminaret dhe kuvendet tona u mbushëm me këta të rinj që shpesh herë kishin edhe qëllime të gabuara për thirrjen, por i shtynte një entuziazëm fillestar. Megjithatë, kishte edhe prej atyre që të rrënjosur mirë në fe dhe në dëshminë e gjakut të martirëve përvetësuan mirë vlerën e jetës së shuguruar dhe kështu vendosen që t’ia dhurojnë jetën e vet Krishtit dhe Kishës së Tij. Gjatë këtyre viteve është bërë shumë. Tashmë Kisha në Shqipëri, po rritet dalëngadalë edhe me thirrje vendase. Puna e palodhshme dhe e përkushtuar e misionarëve ka bërë që thirrje të reja të ndjekin shembullin e tyre.

Në fillim të rinjtë ishin paksa më të mbyllur, por ndoshta më të qëndrueshëm, kjo nga një anë e vështirësonte punën formuese por nga ana tjetër, të jepte mundësinë e një qëndrueshmërie në vetë personin. Pastaj, hapja me vendet e Evropës, bëri të mundur që një kohë shumë të shkurtër shumë modele të mira dhe të këqija të hyjnë edhe në mentalitetin e të rinjve tanë. Pastaj ndikimi i mjeteve të informacionit, kanë bërë të mundur mbërritjen e shumë sfidave familjare, afektive dhe shoqërore në vendin tonë. Nuk mund të mos e përmendim edhe fenomenin e emigracionit si një ndër faktorët që shpesh herë ua ka rrëmbyer thirrjen shumë të rinjve si tundim i një jete më të mirë dhe më të pasur, edhe pse shpesh herë pastaj rrezikonte të ishte vetëm një iluzion.

Shumëllojshmëria e karizmave rregulltare, duke sjell kështu frymën e Koncilit II të Vatikanit, e ka bërë Shqipërinë një kopsht me shumë ngjyra, ku mund të lexohet qartë prania gjallëruese e Shpirtit Shenjt që vepron në Kishën e Tij. Prania domethënëse e Urdhrave Rregulltar, larmia e thirrjeve femërore për jetën e kushtuar, kanë ndezur shpesh herë dritën jeshile në Shqipëri se edhe pas një dimri të gjatë 40 vjeçar, po fillon të lulëzojë një pranvere e re e themeluar dhe e ujitur nga gjaku i martirëve.

Një vend të veçantë, dhe shprehës për këtë ecje formative zë edhe Seminari Ndërdioqezan Shqiptar “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër. Që nga viti 2000, kanë dal rreth 45 shugurime meshtarie dioqeza dhe rregulltarë nga ky ambient formimi. Ndonëse është ambient formimi vetëm për dioqezanët, por në të njëjtën kohë është edhe vend bashkimi për formimin intelektual dhe shpirtëror të të gjithë kandidatëve drejt meshtarisë ose jetës së kushtuar. Vitet e fundit herë pas here, në ambientet e po këtij Seminari por edhe nga vetë ai, janë organizuar Kuvende Thirrore, takime me ekspert të ndryshëm në fushën e formimit si dhe çdo vit mbahen 3 kurse të Ushtrimeve Shpirtërore që u jepet mundësia të gjithë Meshtarëve e Motrave që të rigjejnë forca të reja për jetën shpirtërore.

Jam i bindur se edhe në shumë Kuvende rregulltarësh, është bërë shumë dhe ka ende për tu bërë, sepse fusha e formimit është një sfidë e vazhdueshme që kërkon gjithmonë risi dhe shpirt dhurimi. Për këtë arsye është e rëndësishme t’i jepet më shumë përparësi këtij aspekti sesa aspekteve të tjera ndërtuese materiale, ngaqë tani nuk jemi më në një situatë emergjente. Sfida e formimit njerëzor, në radhë të parë me të rinjtë që sot, gjithmonë e më shumë paraqesin një personalitet të lëngësht, të lëkundshëm dhe të frikësueshëm sidomos përballë zgjedhjeve për të gjithë jetën. Breznitë e sotme falë fenomenit të globalizimit dhe të botës së internetit paraqesin simptoma të ngjashme me ato të vendeve perëndimore, bile këtu edhe më keq, sepse kalimi nga një regjim tek tjetri i ka gjetur të papërgatitur.

Një vëmendje të veçantë duhet të kihet në momentet e përzgjedhjes së kandidatëve. Nuk mund të nxitohemi nga ankthi se nuk kemi thirrje dhe të mbushim kuvendet me të parin që na paraqitet. Në lidhje me këtë maturi edhe Papa Françesku në Evangelii Gaudium nr. 107: “Nga ana tjetër edhe nga pakësimi i thirrjeve, sot kemi një vetëdijesim më të madh mbi përzgjedhjen e kandidatëve për meshtari. Nuk mund të mbushen Seminaret mbi bazën e çfarëdo lloji motivi të thirrjes, aq më tepër nëse këto motive janë të lidhura me mungesën e sigurisë afektive, kërkimi i formave të pushtetit, lavdia njerëzore ose mirëqenia ekonomike”.

Por më përpara Papa Francesku kishte dhënë edhe arsyet se si mund të ndihmohen thirrjet, duke thënë se ku ka jetë, zell dhe dëshirë për ta çuar Krishtit të tjerëve, aty lindin edhe thirrjet. Nga kjo atëherë lind nevoja e një kordinimi baritor të operatorëve thirror nga njëra anë dhe e formimit të personave përkatës që merren me formim. Nuk është e falshme që edhe sot me të gjitha mundësitë e ndryshme që kemi të mos investojmë në personat që formohen për Formator. Sikurse shpenzojmë vite për të formuar një person që përgatitet për një lëndë të caktuar, duhet të shpenzojmë vite për të formuar persona që ndihmojnë dhe studiojnë mënyrat e duhura për të shqyrtuar thirrjen e Zotit.

Në lidhje me këtë aspekt, në Shqipëri besoj se ia vlen të përmendet dhe të vihet ne gjendje alarmante edhe mungesa e drejtuesve shpirtëror. Jo vetëm kaq por edhe në shumë kuvende nuk kultivohet ideja dhe domosdoshmëria e një “ati shpirtëror” që e shoqëron kandidatin/en që të marrë vendime të pjekura dhe sipas vullnetit të Zotit. Nuk është e tolerueshme që në mesin tonë (kur është mundësia) të refuzohet ati shpirtëror nën maskën e krenarisë se tashmë nuk kam nevojë se kam bërë kushtet. Sa më shumë që të formohemi ne vetë, sa më shumë që të rritet harmonia në mesin tonë, aq më shumë do të mund të jemi edhe dëshmi dhe pikë tërheqëse për shumë thirrjeje. Bashkimi, harmonia dhe besimi në Zotin dhe në njeriun do ta bëjë vend tonë një tokë pjellore thirrjesh, sepse është lagur nga gjaku i martirëve dhe ushqehet nga ndërmjetësimi i tyre.

Populli ynë ka nevojë për ne, edhe ne për popullin, kemi nevojë të gjithë në këtë shtegtim tokësorë t’ia kërkojmë ndihmën Zotit dhe të forcohemi me trupin e tij e me gjakun e Tij, që është freskim e ngushëllim “në këtë shekull plot me lot”. Njëkohësisht hapja ndaj Kishës Universale na bën edhe më guximtarë dhe më të përgjegjshëm në misionin tonë. Është e rëndësishme ta zgjerojmë horizontin tonë, duke dalë nga ai rrethi i vogël famullitar që shpesh herë edhe rrezikojmë të izolohemi. Kur hyjmë në këtë logjikë edhe zemra zgjerohet sepse me të drejtë ndihemi pjesë e Trupit të Krishtit të përhapur në mbarë botën dhe puna e jonë baritore merr një rëndësi universale për mbarë kishën. Prandaj porosia e Jezusit, shndërrohet në një përgjegjësi personale që do të japim llogari: “ I mjeri unë nëse nuk e shpalli Ungjillin e Krishtit” (1Kor 9,16).

Mund të themi se forca më efikase e shpalljes së ungjillit dhe e vetë formimit qëndron në fjalët e Jezusit në ungjillin e Gjonit: “nëse do ta doni njëri tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi”. Duke dashur njëri tjetrin dëshmojmë se duam edhe vetë Jezusin dhe njëkohësisht duam edhe Kishën. Dashuria për Zotin dhe për të tjerët (d.m.th. dëshmia konkrete e jetës), është mënyra më efikase e shpalljes së ungjillit. Le ta duam Kishën dhe si thotë shprehja latine sentire cum ecclesiae, të ndiejmë bashkë me Kishën. Tani dua të sjell një lutje- poezi mbi Kishën, e një meshtari:

E dua Kishën me bamirësinë e saj, e dua Kishën që ka me mijëra meshtarë e motra që kushtojnë çdo sekond të jetës së tyre dhe çdo forcë të tyren për të tjerët, duke mos u shfaqur mes katër erave, por në heshtje dhe shpesh herë edhe në vetmi e në keqkuptime; e dua Kishën që nuk më jep gjithmonë të drejtë, por më shtynë që të shkoj në thellësi të çështjes duke më kujtuar që fjala e fundit i takon ndërgjegjes sime. E dua Kishën që më bën të gatshëm për Krishtin fizikisht e shpirtërisht; e dua Kishën sepse në mesin e saj janë me miliona të tjerë sikurse unë që përpiqen për të mësuar me dashtë, me dhuru vetveten; e dua Kishën për ato plaka që vazhdojnë të vijnë në meshë edhe pse nuk e fillojnë kurrë një këngë në notën e saktë; e dua Kishën për ato fëmijë që gjatë meshës duket se mendojnë për tjetër gjë, por nëse ju bën një pyetje, të përgjigjen në një mënyrë që të bëjnë të mendosh se ata e kanë kuptuar më mirë se ti; e dua Kishën edhe për ato të rinj që nuk ju intereson moda, dhe që kërkojnë ta jetojnë në maksimum fenë e tyre. E dua Kishën për ata miliona njerëz që e jetojnë fenë e tyre pa mburrje, në vështirësitë e përditshme, pa asnjë shpërblim ( dhe që as nuk e kërkojnë), të fshehur dhe në qetësi.

E dua Kishën për këto dhe për shumë motive të tjera!”

(poesi- lutje e një meshtari)

Virgjëra Mari, Nëna e Kishës dhe Nëna e Këshillit të Mirë na ndihmoftë që të jemi gjymtyrë të denja të Trupit te Krishtit dhe që të jetojmë gjithmonë të lidhur me Të si shermendi me hardhinë, në mënyrë që të japim shumë fryt dhe fryti ynë të jetë i qëndrueshëm.

Dom Gjovalin Simoni

Zv. Rektor

Marre nga : http://peregrinus.al/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.