Dita e nentë: Jezus, Mesia, do të lind nga fisi i Davidit

282
0
Share:

Dita e nentë: Jezus, Mesia, do të lind nga fisi i Davidit

24 dhjetor – Veprat e meshirshme: Të falim fyerjet – Të durojmë personat e bezdisshëm

Leximi i Parë 2 Sam 7, 1-5.8-12.14.16 – Psalmi Përgjegjës prejPsalmit 88 – Ungjilli Lk 1, 67-79

Shpalljen e lindjes së Jezusit, pikërisht atë të Vigjiljes së Krishtlindjes, liturgjia e Kishes ia beson Zakarisë, të atit të Gjon Pagëzuesit. Kënga e tij është trashëgimi liturgjike e Kishës që, çdo mëngjes, e përsërit pikërisht për të kujtuar ngjarjen e Shëlbimit. Zakaria e përkufizon Mesinë si “Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit”, dhe në këtë mënyrë e deklaron të realizuar profecinë e bërë Davidit nga ana e Natanit dhe që e dëgjuam në leximin e parë. Por e përkufizon edhe si “diell që lind”, i cili shndrit errësirën: jo atë të natës, por atë të mëkatit. Këtë temë të dritës që Mesia ia sjell njerëzimit, do të kemi mundësinë pastaj ta thellojmë në Meshën e Krishtlindjes kur Gjoni ungjilltar do të na flasë për të me fjalët e mrekullueshme që përbëjnë Besojmën tonë. Por që sot besoj se mund ta kuptojmë rëndësinë e pranimit të dhuratës së shëlbimit që Jezusi ka ardhur të na sjellë. Po, sepse nuk mund ta supozojmë se jemi gjithmonë të gatshëm t’i pranojmë dhuratat e Hyjit: nganjëherë, ato nuk u përgjigjen pritshmërive tona dhe, shpesh, çdo dhurate i përgjigjet një përgjegjësi që jo gjithmonë jemi të gatshëm të marrim përsipër.

E shohim: dhurata e thirrjes, për shembull, nuk pranohet prej të gjithëve; megjithatë, Zoti vazhdon të thërrasë shumë të rinj qëta ndjekin në rrugën e kushtimit rregulltar apo të meshtarisë. Ashtu sikurse thirrja për martesë: është një përgjegjësi që lihet pasdore gjithnjë e më shumë, duke parapëlqyer forma të bashkëjetesës në vend të angazhimit sakramental. Aq më tepër kur flasim për thirrjen në shenjtëri: është një thirrje universale, e drejtuar secilit, por përgjegjësinë që ajo sjell me vete, ajo e kthimit të vazhdueshëm, jo të gjithë janë të gatshëm ta pranojnë.

Të shpresojmë që ky Vit jubilar të cilin e ka dëshiruar  Papa Françesku, të na ndihmojë ta thellojmë këtë kërkesë të pashmangshme të jetës sonë si besimtarë. I kemi përshkuar këto nëntë ditë në përgatitje për Festën e Krishtlindjes dhe jemi përgatitur me fe për këtë takim, duke besuar dhe duke shpresuar që lindja e re të përfaqësojë për secilin prej nesh dhe për personat tanë të dashur një rast të ri për një përtëritje të brendshme, duke u shërbyer me mëshirën që Hyjit ende i pëlqen të ketë për ne dhe duke mësuar prej Tij se si edhe ne të jemi të mëshirshëm ndaj të afërmit.

Kemi shqyrtuar disa elemente karakteristike të fesë sonë (po i përmend shkurtimisht):

– Ta ndryshojmë botën duke nisur nga ne vetë (dita e parë)

– Të presim dhe të dëshirojmë Zotin (dita e dytë)

– Të përjetojmë mëshirën dhe të bëhemi kanale të mëshirëspër të afërmin (dita e tretë)

– Gradualiteti i shëlbimit dhe thirrja jonë për të qenë bashkëpunëtorë të tij (dita e katërt)

– Gëzimi i fesë edhe në mes të vështirësive të jetës dhe galdimi në Shpirtin Shenjt (dita e gjashtë)

– Aftësia për të lexuar shenjat e pranisë së Hyjit, lavdi dhe falënderimi (dita e shtatë)

– Thirrja dhe misioni i të krishterit (dita e tetë)

Pasi kemi arritur në këtë ditë të fundit të Nëntëditëshes (dita e nëntë) duhet tashmë të jemi të gatshëm ta pranojmë dhuratën e shëlbimit që Zoti dëshiron të na bëjë, dhe t’i japim atij gatishmërinë tonë për t’u kthyer çdo ditë. Çfarë përgjegjësie rrjedh nga kjo gatishmëri për kthim? Ajo që na propozohet prej veprave të fundit të mëshirës shpirtërore.

Të falim fyerjet. Për të mos u zgjatur tepër, po kufizohem t’ju sjell në mend atë që vetë Jezusi na ka thënë: «Nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja». Prej këtu del se nuk mjafton që falja jonë të jepet me fjalë, por me zemër dhe që të mos mbajë inat me askënd. Megjithatë, ende edhe sot, pas më shumë se dy mijë vjetësh krishterimi, jemi të detyruar të shohim vrasjet dhe gjakmarrje që ndikojnë dhe e shkatërrojnë shoqërinë shqiptare. Le të reflektojmë mbi këto fjalë të Jezusit!

Të durojmë personat e bezdisshëm është një vepër bamirësie që kryejmë ndaj të afërmit, por që na sjell dobi edhe ne sepse na stërvit për përvujtërinë, për mirësinë dhe na jep dobi shpirtërore shumë të mëdha kur e bashkojmë këtë vuajtje me ato të Krishtit.

Vëllezër e motra, në fund ju falenderoj juve dhe Radio Marinë për pranin tuaj në këto ditë dhe ju uroj përfundim të mbarë të Nëntëditëshes dhe Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve ju.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.