Papa, për herë të parë në xhaminë e Romës. Sot u ftua nga myslimanët

193
0
Share:

Sot, në mëngjes, para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku priti një delegacion mysliman, i cili e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë zyrtare në xhaminë e Romës. Në delegacion merrnin pjesë zv.kryetari i Bashkësisë Fetare Islamike Italiane (Coreis), hoxha Yahya Pallavicini, si edhe drejtori i Qendrës Islamike Kulturore të Italisë, Abdellah Redouane, të cilit i është besuar administrimi i kompleksit të xhamisë, disa ambasadorë dhe një përfaqësi nga Këshilli administrativ i Xhamisë së Madhe.

Nuk është njoftuar ndonjë datë për vizitën e mundshme të Papës Françesku, megjithëse disa agjensi lajmesh në Itali kanë përmendur 10 prillin. Kështu, Bergoglio, pasi ka vizituar Xhaminë Blu në Stamboll, më 29 nëntor 2014 e, atë qendrore të Koudoukou-t në Bangui, kryeqytet i Afrikës Qendrore, më 30 nëntorin e vitit të kaluar, do të shkojë tani për herë të tretë në një vend kulti të fesë myslimane.

Por, kësaj radhe, nuk është fjala vetëm për statistika: vizita e Atit të Shenjtë në xhaminë romake do të jetë sidomos një sinjal i fuqishëm në favor të dialogut e të bashkëjetesës paqësore, në kuadrin e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës e në një çast historik, karakterizuar nga tensioni e frika, mbjellë kudo nga fundamentalizmi islamik e nga terrorizmi, që e përdor emrin e Zotit për qëllimet e veta të dhunshme.

Për vizitën e Papës Françesku në xhaminë e Romës u fol këto ditë edhe në media. Eskponentë të myslimanëve italianë deklaruan se kjo vizitë mund të bëhej më 27 janar, por u përgënjeshtruan menjëherë nga hoxha Yahya Pallavicini, zv.kryetar i Bashkësisë Fetare Islamike Italiane (Coreis). 27 janari, saktësoi ai, është Dita e Kujtesës, data në të cilën u hodhën poshtë kangjellat e kampit të përqendrimit nazist në Aushvic, prandaj është e pamundur një vizitë e Papës në atë ditë. Bashkësia myslimane nuk prononcohet, por me sa duket po punohet për muajin prill. Vizita do të bëhet pas dy takimeve të rëndësishme të Atit të Shenjtë me eksponentë të botës myslimane. Më 26 janar, Papa do të presë presidentin iranian, Hassan Rohani, ndërsa më 27, emirin e Katarit.

“Çdo urë, çdo takim, çdo fjalë dialogu ndihmon në ndërtimin e një bote paqësore e në ndalimin e valës së konfliktit e të urrejtjes, e cila, përndryshe, do të bëhet gjithnjë e më dramatike në kuadrin aktual”, deklaroi kreu i Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vincenzo Paglia, duke nënvizuar kuptimin e veçantë të kësaj vizite gjatë Jubileut të Mëshirës Hyjnore, temë e përbashkët për të krishterë e myslimanë.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.