MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KRESHMËT 2016

381
0
Share:

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË
FRANÇESKUT
PËR KRESHMËT 2016

“Më pëlqen mëshira e jo flia” (Mt 9,13).
Veprat e mëshirës në ecjen jubilare
1. Maria, ikona e një Kishe që ungjillëzon sepse është e ungjillëzuar
Në Bullën e shpalljes së Jubileut kam drejtuar ftesën që «Kreshmët e këtij viti jubilar të jetohen më fuqimisht si moment i fortë për të kremtuar dhe përjetuar mëshirën e Hyjit» (Misericordiae Vultus, 17). Me thirrjen për të dëgjuar Fjalën e Zotit dhe për nismën «24 orë për Zotin» kam dashur të nënvizoj parësinë e dëgjimit të Fjalës, veçanërisht asaj profetike. Në të vërtetë, mëshira e Hyjit është një shpallje botës: por çdo i krishterë është i thirrur ta bëjë personalisht përvojën e kësaj shpalljeje. Pikërisht për këtë arsye në kohën e Kreshmëve do të dërgoj Misionarët e Mëshirës që të jenë për të gjithë një shenjë konkrete e afërsisë dhe e faljes së Hyjit.
Sepse ka pranuar Lajmin e Mirë që i është drejtuar prej kryeengjëllit Gabriel, Maria, në Magnificat, i këndon në mënyrë profetike mëshirës me të cilën Hyji e ka parazgjedhur. Virgjëra e Nazaretit, e fejuara e Jozefit, bëhet kështu ikona e përsosur e Kishës që ungjillëzon sepse ka qenë ungjillëzuar dhe ungjillëzohet vazhdimisht prej Shpirtit Shenjt, që e ka fekonduar kraharorin e saj virgjëror. Në traditën profetike, mëshira, në të vërtetë, ka lidhje të ngushta, edhe në nivelin etimologjik, pikërisht me kraharorin amënor (rahamim) si dhe me një mirësi bujare, besnike e të dhimbshme (hesed), që ushtrohet brenda marrëdhënieve bashkëshortore e familjare.
2. Besëlidhja e Hyjit me njerëzit: një histori mëshire
Misteri i mëshirës hyjnore zbulohet gjatë historisë së besëlidhjes mes Hyjit dhe popullit të tij Izraelit. Në të vërtetë, Hyji dëftohet gjithmonë i pasur me mëshirë, i gatshëm në çdo rrethanë që t’i rezervojë popullit të vet një dashuri dhe një dhembshuri të madhe, sidomos në momentet më dramatike kur pabesnikëria e këput lidhjen e Paktit dhe besëlidhja kërkon që të ratifikohet në mënyrë më të qëndrueshme në drejtësinë dhe në të vërtetën. Këtu jemi përballë një drame të vërtetë dashurie, në të cilën Hyji luan rolin e atit dhe të burrit të tradhtuar, ndërsa Izraeli luan atë të birit/bijës dhe të nuses së pabesë. Janë pikërisht figurat familjare – sikurse në rastin e Ozesë (krh. Oz 1-2) – ato që shprehin se deri në çfarë pike Hyji dëshiron të lidhet me popullin e vet.
Kjo dramë dashurie e arrin kulmin e vet në Birin e bërë njeri. Në Të Hyji derdh mëshirën e vet të pakufishme deri në atë pikë sa ta bëjë «Mëshirë të mishëruar» (Misericordiae Vultus, 8). Si njeri, Jezusi i Nazaretit është në të vërtetë bir i Izraelit me të gjitha efektet. Dhe është i tillë deri në atë pikë sa të mishërojë atë dëgjim të përsosur të Hyjit që i kërkohet çdo hebreu prej Shemà-së, që është ende edhe sot zemra e besëlidhjes së Hyjit me Izraelin: «Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!» (Lp 6,4-5). Biri i Hyjit është dhëndri që bën gjithçka është e mundur për të fituar dashurinë e Nuses së vet, me të cilën e lidh dashuria e vet e pakushtëzuar që bëhet e dukshme në dasmën e amshuar me të.
Kjo është zemra rrahëse e kerygma-s apostolike, në të cilën mëshira hyjnore ka një vend qendror dhe themelor. Ajo është «bukuria e dashurisë shpëtimtare të Hyjit të dëftuar në Jezu Krishtin e vdekur dhe të ringjallur» (Nxit. Ap. Evangelii gaudium, 36), ajo shpallje e parë që «duhet gjithmonë të kthehemi e ta dëgjojmë në mënyra të ndryshme dhe që duhet gjithmonë të kthehemi e ta shpallim gjatë katekezës» (ibid., 164). Pra, mëshira «shpreh sjelljen e Hyjit ndaj mëkatarit, duke i dhënë një mundësi të mëtejshme për t’u ndrequr, për t’u kthyer dhe për të besuar» (Misericordiae, Vultus, 21), duke rilidhur kështu marrëdhënien me Të. Dhe në Jezusin e kryqëzuar Hyji arrin deri në atë pikë sa të dojë ta arrijë mëkatarin në largësinë e tij më të skajshme, pikërisht atje ku ai ka humbur dhe është larguar prej Tij. Dhe këtë e bën me shpresën që kështu më në fund të mund ta zbusë zemrën e ngurtësuar të Nuses së vet.
3. Veprat e mëshirës
Mëshira e Hyjit e shndërron zemrën e njeriut dhe e bën atë të përjetojë një dashuri besnike, dhe kështu e bën edhe të aftë për mëshirë. Është një mrekulli gjithmonë e re që mëshira hyjnore të mund të rrezatohet në jetën e secilit prej nesh, duke na motivuar për dashurinë ndaj të afërmit dhe duke animuar ato që tradita e Kishës i quan veprat e mëshirshme të trupit dhe të shpirtit. Ato na kujtojnë se feja jonë kthehet në akte konkrete dhe të përditshme, të destinuara ta ndihmojnë të afërmin tonë në trup e në shpirt dhe sipas të cilave do të gjykohemi: ta ushqejmë, ta vizitojmë, ta ngushëllojmë, ta edukojmë. Prandaj kam uruar «që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut mbi veprat e mëshirshme të trupit e të shpirtit. Do të jetë një mënyrë për ta rizgjuar ndërgjegjen tonë shpesh të kotur para dramës së varfërisë dhe për të hyrë gjithnjë e më shumë në zemrën e Ungjillit, ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore» (ibid., 15). Në të vërtetë, në të varfërin trupi i Krishtit «bëhet përsëri i dukshëm si trup i martirizuar, i plagosur, i fshikulluar, i paushqyer, në arrati… për të qenë prej nesh i njohur, i prekur dhe i ndihmuar me kujdes» (ibid.). Mister i padëgjuar dhe shkandullues i zgjatjes në histori të vuajtjes së Qengjit të Pafajshëm, kaçubë e zjarrtë dashurie falas para së cilës mundemi, sikurse Moisiu, vetëm të heqim sandalet (krh. Dal 3,5); edhe më shumë kur i varfëri është vëllai apo motra në Krishtin që vuajnë për shkak të fesë së tyre.
Para kësaj dashurie të fortë si vdekja (krh. Kk 8,6), i varfëri më i mjerë zbulohet se është ai që nuk pranon ta njohë veten si të tillë. Beson se është i pasur, por në të vërtetë është më i varfëri ndër të varfër. Ai është i tillë sepse është skllav i mëkatit, që e nxit të përdorë pasurinë e pushtetin jo për t’i shërbyer Hyjit dhe të tjerëve, por për të mbytur në vetvete vetëdijen e thellë se edhe ai nuk është asgjë tjetër veçse një lypsar i varfër. Dhe sa më i madh të jetë pushteti e pasuria në dispozicion të tij, aq më i madh mund të bëhet ky verbim mashtrues. Ai arrin deri në atë pikë sa madje nuk dëshiron ta shohë Lazrin e varfër që lyp te dera e shtëpisë së tij (krh. Lk 16,20-21), i cili është figurë e Krishtit që në të varfërit lyp kthimin tonë. Lazri është mundësia e kthimit që Hyji na jep dhe që ndoshta nuk e shohim. Dhe ky verbim shoqërohet me një delir krenar gjithëpushtetësie, në të cilin jehon kërcënueshëm ajo fjalë djallëzore «do të jeni si Hyji» (Zan 3,5) që është rrënja e çdo mëkati. Ky delir mund të marrë edhe forma shoqërore e politike, siç kanë treguar totalitarizmat e shekullit XX, dhe siç tregojnë sot ideologjitë e mendimit të vetëm dhe të teknoshkencës, që pretendojnë ta bëjnë Hyjin të parëndësishëm e ta kthejnë njeriun në një masë për t’u instrumentalizuar. Dhe aktualisht mund ta tregojnë edhe strukturat e mëkatit të lidhura me një model zhvillimi të rremë të bazuar në idhujtarinë e parasë, që i bën shpërfillës ndaj fatit të të varfërve personat dhe shoqëritë më të pasura, që i mbyllin dyert e tyre, duke mos pranuar madje as t’i shohin.
Për të gjithë, Kreshmët e këtij Viti Jubilar janë pra një kohë e volitshme që të mundemi më në fund të dalim prej tjetërsimit tonë ekzistencial falë dëgjimit të Fjalës dhe veprave të mëshirshme. Nëse nëpërmjet veprave të mëshirshme të trupit prekim trupin e Krishtit në vëllezërit e motrat që kanë nevojë të ushqehen, të vishen, të përbujten, të vizitohen, ato të shpirtit – të këshillojmë, të mësojmë, të falim, të qortojmë, të lutemi – e prekin më drejtpërdrejt të qenit tonë mëkatarë. Prandaj veprat e mëshirshme të trupit dhe ato të shpirtit nuk duhet të ndahen kurrë. Në të vërtetë, pikërisht duke prekur në të mjerin trupin e Jezusit të kryqëzuar mëkatari mund të marrë si dhuratë vetëdijen se edhe vetë është një lypsar i shkretë. Nëpërmjet kësaj rruge edhe “krenarët”, “të fuqishmit” dhe “të pasurit” për të cilët flet Magnificat kanë mundësinë të kuptojnë se janë në mënyrë të pameritueshme të dashur prej të Kryqëzuarit, të vdekur e të ringjallur edhe për ta. Vetëm në këtë dashuri gjendet përgjigjja ndaj asaj etjeje për lumturi e për dashuri të pafundme që njeriu gënjen veten se mund ta shuajë nëpërmjet idhujve të dijes, të pushtetit dhe të pasjes. Por mbetet gjithmonë rreziku që, për shkak të një mbylljeje gjithnjë e më hermetike ndaj Krishtit, që në të varfërin vazhdon të trokasë në derën e zemrës së tyre, krenarët, të pasurit dhe të fuqishmit arrijnë të dënojnë veten dhe të bien në atë humnerë të amshuar vetmie që është ferri. Prandaj, ja përse jehojnë përsëri për ta, sikurse edhe për të gjithë ne, fjalët e Abrahamit: «Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!» (Lk 16,29). Ky dëgjim veprues do të na përgatisë në mënyrën më të mirë për të festuar fitoren përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen të Dhëndrit tashmë të ringjallur, që dëshiron ta pastrojë të Fejuarën e vet, në pritje të ardhjes së tij.
Të mos e humbasim këtë kohë Kreshmës të volitshme për kthimin! Le ta kërkojmë këtë me ndërmjetësinë amënore të Virgjërës Mari, që e para, përballë madhështisë së mëshirës hyjnore të dhuruar asaj falas, ka njohur vogëlsinë e vet (krh. Lk 1,48), duke e njohur veten si shërbëtorja e përvuajtur e Zotit (krh. Lk 1,38).
Prej Vatikanit, 4 tetor 2015
Festa e Shën Françeskut të Asizit
Françesku

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.