550-vjetori i mbërritjes së Virgjërës Nënë të Këshillit të Mirë të Shkodrës në Gjenacan

206
0
Share:

Homelia

550-vjetori i mbërritjes së Virgjërës Nënë të Këshillit të Mirë të Shkodrës në Gjenacan

26 prill 2017


Hirësia e Tij Zotëri Kardinal Franc Rodé, C.M.

I dërguar i veçantë i Atit të Shenjtë

Prefekt Nderi i Kongregatës për Institutet e jetës së kushtuar dhe Shoqëritë e jetës apostolike

 

 

Të nderuar dhe të dashur bashkëvëllezër në episkopat dhe meshtari

Shumë të nderuar Vëllezër e Motra

të kësaj pjese të Kishës së Shenjtë të Hyjit që është në Shkodër-Pult

 

  1. Jam veçanërisht i gëzuar që jam këtu si i Dërguar i Veçantë i Atit të Shenjtë Françeskut për të kremtuar së bashku me ju, së bashku me gjithë Kishën e shenjtë të Hyjit që është në Shqipëri, 550-vjetorin e mbërritjes së figurës së Virgjërës Nënë të Këshillit të Mirë të Shkodrës në Gjenacan, në Itali. Një përshëndetje plot dashuri e mirënjohje i shkon para së gjithash Arqipeshkvit Tuaj, Shkëlqesisë së Tij Imzot Angelo Massafra, bashkëvëllezërve Ipeshkvinj dhe meshtarëve, bashkëpunëtorë të tyre në shërbesë, si dhe të gjitha Autoriteteve këtu të pranishme. Dëshiroj pastaj të përshëndes e të falënderoj secilin prej jush të mbledhur këtu për të nderuar Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, pajtorja qiellore dhe mbrojtësja e Shqipërisë, si dhe për të marrë pjesë në tryezën e Fjalës e të Bukës së jetës së pasosur që Biri i saj vazhdimisht e shtron për ne.

 

  1. Tradita që përçon historia e mundimshme e këtij populli dhe e kësaj shenjtëroreje gjatë shekujve i ka parë shtegtarët t’i kërkojnë ngushëllim, mbështetje e ndërmjetësi Marisë si Nëna e Këshillit të Mirë. Historia e kësaj Shenjtëroreje është e gërshetuar me lidhje të pazgjidhshme me historinë e vuajtjeve të popullit shqiptar, që në kohët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, «figurë e ndritur e të krishterit»[1] siç e përkufizoi Shën Gjon Pali II me rastin e udhëtimit të Tij të paharrueshëm në këtë tokë, në vitin 1993, të nesërmen e lirisë së rigjetur.

Pas vdekjes së Atdhedashësit që aq shumë luftoi për liri, pas vitesh beteje dhe dhjetë muajsh rrethimi të Shkodrës, Shqipëria po binte përfundimisht nën pushtimin turk.

Qenë pikërisht dy ushtarë të Skënderbeut, Georgis dhe De Sclavis, sikurse ai të devotshëm ndaj Zojës së Shkodrës, ata që panë në ëndërr dhe që qenë dëshmitarë e pjesëmarrës të mrekullisë së afreskut të Nënës së Këshillit të Mirë. Siç tregon tradita, piktura u shkëput prej murit dhe u bart mbi një re prej disa engjëjve. Ata e ndoqën duke mos kuptuar – të habitur – se po ecnin mbi detin Adriatik, deri sa arritën në fshatin e vogël të Gjenacanit, jo larg Romës, ku një e moshuar Terciare Domenikane kishte filluar të ndërtonte një Shenjtërore. Këta dy të mërguar, që ndoqën Virgjërën Mari, qenë vetëm dy nga mijëra të mërguarit shqiptarë në Itali që arritën gjatë valës migruese të shekullit XV-XVI. Dhe Shenjtërorja e Shkodrës u shkatërrua.

Ishte 25 prilli i vitit 1467: saktësisht 550 vjet më parë. Maria edhe një herë u bë shtegtare e fesë dhe Virgjër e ecjes – siç dëshironte ta quante Shën Gjon Pali II, Papa krejt i Marisë. Por populli shqiptar ka vazhduar ta ketë në zemrën e vet Zojën e Shkodrës, Virgjërën e Këshillit të Mirë, dhe Virgjëra Mari ka vazhduar ta ruajë këtë popull, duke e mbrojtur me mantelin e Vet edhe në momentet më të vështira.

 

  1. Qyteti i Shkodrës pësoi pushtimin shumëshekullor të turqve. Vetëm në vitin 1917, njëqind vjet më parë, qe e mundur të ndërtohej një Shenjtërore e re e Zojës së Këshillit të Mirë. Megjithatë, me marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve, kisha fillimisht u shndërrua në sallë vallëzimi dhe pastaj u rrënua me shpalljen e ateizmit të shtetit në vitin 1967, 50 vjet më parë, pesëqind vjet pas mërgimit të mrekullueshëm.

Por më 25 prill 1993, qe i njëjti Shën Gjon Pali II, i pritur prej mikpritjes shqiptare, pa dallim, nga besimtarët e të gjitha përkatësive fetare, ai që e bekoi gurin e parë të kësaj Shenjtëroreje të jashtëzakonshme, së cilës i dhuroi një kopje të përsosur të figurës së shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë, të ruajtur në Gjenacan.

Në të gjitha këto vite, torturat, vrasjet, Kishat e profanuara e të shkatërruara, edukimi i imponuar prej ateizmit, deri në nëntor 1990, nuk arritën t’ia merrnin frymën besimit fetar dhe marian shqiptar. Zoja e Këshillit të Mirë, e thirrur në ndihmë si Pajtorja e Shqipërisë, ka qenë gjithmonë mbështetja amënore e këtij populli që, sapo u çlirua, ktheu në shtëpi figurat e Nënës së Hyjit dhe u vu në veprim për të rindërtuar Kishat, duke filluar pikërisht prej kësaj Shenjtëroreje. Devocioni ndaj Nënës së Hyjit, thënia e Rruzares së Shenjtë, edhe në vitet më të errëta të komunizmit, kanë qenë për këtë popull ushqimi shpirtëror, ngushëllimi dhe qëndresa që e kanë mbështetur edhe kur ishte e nevojshme që ta luste Virgjërën e Shenjtë fshehurazi. Zoja e Shkodrës u ka prirë dhe i ka mbrojtur gjithmonë bijtë e vet. I ka ruajtur ata në vitet e gjata të katakombeve, dhe vazhdon t’u përgjegjet lutjeve të pareshtura e të heshtura të këtij populli që me mundim, por me guxim, kërkon rrugën e së ardhmes së vet të paqes e të fesë së rilindur.

 

  1. E gjithë jeta e Marisë na kujton mëshirën e Hyjit!

Virgjëra Mari di të vështrojë përreth vetes, i njeh dhe i jeton nevojat e ngutshme të jetës së përditshme, e vetëdijshme se ajo që merr si dhuratë prej Birit është dhuratë për të gjithë, na përsërit edhe neve sot “Bëni gjithçka t’ju thotë” (Gjn 2, 5). Ajo na mëson të mos mbetemi spektatorë të huaj, por të bëhemi pjesëmarrës, duke e lënë veten të drejtohemi prej Shpirtit Shenjt që banon në zemrat tona. Ajo e madhëron Zotin duke zbuluar në jetën e vet mëshirën e Hyjit, që e bën të lume sepse ka besuar në përmbushjen e fjalëve të Zotit (Lk 1,45).

Maria është Gruaja e fesë. Maria është Gruaja e heshtjes që lutet dhe adhuron planin e Atit që mban në kraharor në misterin e dashurisë. Maria është Gruaja me zemër të madhe, e paaftë t’i thotë jo atij që i drejtohet me zemër të thjeshtë, që kërkon të mirën, për çfarëdo nevoje.

«Prandaj mund të jetë Nëna e çdo ngushëllimi dhe e çdo ndihme, një Nënë së cilës në çfarëdo nevoje kushdo mund të guxojë t’i drejtohet në dobësinë e vet dhe në mëkatin e vet, sepse ajo ka mirëkuptim për gjithçka dhe është për të gjithë forcë e hapur e mirësisë krijuese. […] Zemra e saj, nëpërmjet të qenurit dhe të ndierit së bashku me Hyjin, është zmadhuar. Në Të mirësia e Hyjit na është afruar shumë. Kështu Maria rri para nesh si shenjë e ngushëllimit, e nxitjes, e shpresës. Ajo na drejtohet ne duke thënë: “Ki zemër që të guxosh me Hyjin! Provoje! Mos ki frikë nga Ai! Ki guxim të rrezikosh me fenë! Ki guxim të rrezikosh me mirësinë! Ki guxim të rrezikosh me zemrën e pastër! Vëre veten në rrezik me Hyjin, atëherë do të shohësh se pikërisht me këtë jeta jote bëhet e gjerë dhe e ndriçuar, jo e mërzitshme, por plot me befasi të pafundme, sepse mirësia e pafundme e Hyjit nuk shteret kurrë!”». [2]

Është fjala që Maria na përsërit sot. Kini guximin t’i besoni Hyjit, t’i besoni dashurisë së tij, mëshirës së tij. Kini besim në premtimin e tij.

 

  1. Është ajo që shumë vetë e kanë përjetuar te këmbët e kësaj figure të Marisë. Është ajo që kanë përjetuar martirët e shumtë «që e kanë dëshmuar fenë e tyre në kohët e vështira të përndjekjes»,[3] martirë të kësaj toke, të bekuar prej gjakut të tyre të derdhur.

Kur më 21 shtator 2014 Papa Françesku mbërriti në Tiranë për vizitën e tij baritore njëditore në tokën e Shqipërisë, gjatë Bulevardit qendror të qytetit, kushtuar “Heronjve të kombit”, anash të cilit gjenden ndërtesat publike kryesore, u mirëprit nga 38 figura të mëdha fotografike që ishin të varura lart mbi rrugën e kalimit. Ishin fytyrat e martirëve për të cilët një vit më parë, më 26 prill 2016, Ati i Shenjtë firmosi Dekretin që njihte zyrtarisht martirizimin e tyre, duke hapur kështu rrugën për lumnimin e tyre. 2 Ipeshkvinj, 21 meshtarë dioqezanë, 7 Fretër Minorë, 3 Jezuitë, 1 seminarist dhe 4 laikë, mes të cilëve një femër. Të njëjtat figura rrethonin Katedralen e Shkodrës të shtunën më 5 nëntor të vitit të kaluar, me rastin e Lumnimit.

I fundit ndër ata 38 martirë është Don Mikel Beltoja. Ishte vetëm 9 vjeç kur u vendos regjimi komunist; shumë aktiv në famullinë e tij, vendosi t’i përgjigjej thirrjes meshtarake pavarësisht prej përndjekjes së tmerrshme që po ndodhte, dhe në moshën 24 vjeçare, në vitin 1959, kërkoi dhe iu pranua nga regjimi, sipas praktikës së atëhershme, leja që të përgatitej për meshtari. Të afërmit dhe miqtë u përpoqën ta largonin nga ky vendim: «A nuk e sheh se të gjithë meshtarët po burgosen, po pushkatohen dhe po internohen?», por ai u përgjigj: «I kam marrë parasysh të gjitha këto dhe kam vendosur të vdes për Krishtin». Meqenëse seminaret ishin mbyllur, u përgatit veçmas me ndihmën e Arqipeshkvit të Shkodrës. Pas dekretit të ndalimit të çdo besimi vazhdoi një shërbesë shumë aktive në formë të fshehtë, sidomos në orët e natës, duke ecur në këmbë për orë të tëra në fshatrat përreth Shkodrës si edhe në qytet, duke i përbuzur rreziqet.[4] U arrestua më 14 prill 1973 në shtëpinë e vet. Gjatë procesit u soll me një guxim që vjen vetëm prej Zotit: «Ju mendoni se më bëni dëm duke më pushkatuar, por e keni gabim; në të vërtetë më bëni nder, sepse unë jam ushtar i Krishtit dhe për të do të vdes si martir», dhe pas vendimit me vdekje: «Ju që dëgjoni këtu të pranishëm, uroj që Zoti t’ju falë të gjithëve, sepse ju jeni ateistë dhe nuk e dini se çfarë jeni duke thënë e duke bërë».[5] Pushkatimi ndodhi më 10 shkurt 1974, pikërisht poshtë shtëpisë së Marisë, nën këtë Shenjtërore të Zojës së Këshillit të Mirë, ku bashkohen lumenjtë Drin e Kir për të formuar lumin Buna, vend i shenjtë për çdo shqiptar. Don Mikeli ishte 39 vjeç dhe reliket e tij humbën në lumë.

 

  1. Me ndërmjetësinë amënore të Marisë «Zoti ka qenë pranë jush, për t’ju mbështetur – ju ka përsëritur Papa Françesku dy vjet më parë -; Ai ju ka udhëhequr e ngushëlluar dhe së fundi ju ka ngritur mbi krahët e shqiponjës sikurse një ditë bëri me popullin e lashtë të Izraelit. Shqiponja, e paraqitur në flamurin e Vendit tuaj, le t’ju thërrasë në ndjenjën e shpresës, për ta mbështetur gjithmonë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen por është gjithmonë përkrah jush, sidomos në momentet e vështira».[6]

«Yll rrezatue i Lindjes; agim që i paraprin diellit; ditë që nuk njeh natë»,[7] «tejet e ëmbla dhe virgjëra Mari, që ke lindur vdekjen e vdekjes, jetën e njeriut, faljen e mëkateve, lumturinë e të gjithë të drejtëve» [8] po vijmë sot tek ti, duke sjellë tek këmbët e tua të këqijat që na shtypin, të sigurtë se në zemrën tënde prej Nënë do të gjejmë ngushëllim e falje, nxitje e lehtësim.

Shenjtja Mari e Shkodrës, Virgjëra Nëna e Këshillit të Mirë, lutu për ne! Bëj që, së bashku me ty, të dimë ta jetojmë jetën në dhurimin falas e në dashurinë, dhe që gëzimi ynë të jetë gjithmonë i njëmendtë dhe i plotë, që të mund t’ua komunikojmë të gjithëve!

Ne po t’i besojmë, o Mari, gëzimet tona dhe dhimbjet tona, pritshmëritë dhe zhgënjimet, dëshirat, planet, shpresat. Pranoji njetet e dëlirësisë, të altruizmit, të koherencës që kemi në zemër dhe fito për vullnetet e brishta dhuratën e guximit e të qëndresës.

Po të besojmë, o Nënë e Këshillit të Mirë, familjen, Kishën e vogël në të cilën zhvillohet feja e breznive të reja. Mbroje atë prej kurtheve që i ngre mendësia e kohës, shpesh kaq e largët me vlerat e Ungjillit, dhe ndihmoje që të realizojë në konkretësinë e jetës së përditshme planin e mrekullueshëm që Hyji ka për të.

Po të besojmë meshtarët, të kushtuarit dhe të kushtuarat, mësoju atyre t’i binden Fjalës së Hyjit dhe ta ruajnë atë në zemrat e tyre, duke e medituar përditë, priju në malin e shenjtë ku t’u jepet atyre të ndiejnë puhizën e lehtë të Pranisë Hyjnore.

Po të besojmë, o Nënë e njerëzve dhe e popujve, Kombin e dashur shqiptar. Bëj që të dijë të dëshmojë fenë, duke jetuar bashkimin e dashurisë, në një qëndrim respekti të ndërsjellë dhe bashkëpunimi konstruktiv.

Së fundi, po të besojmë Kishën, që bën të pranishëm misterin e Fjalës së mishëruar, të vdekur e të ngjallur për shpëtimin e njeriut. Shtrije mbi të mantelin tënd dhe mbroje prej çdo rreziku. Ti, o Nënë e Këshillit të Mirë, ji gjithmonë për të udhëheqje e sigurt.

«Nëna e Këshillit të Mirë, hapi mendjet e zemrat, garantoji Shqipërisë dhe gjithë njerëzimit dhuratën e harmonisë dhe të paqes!».[9]

Shenjtja Tereza e Kalkutës, nëna e të varfërve, ndërmjetëso për ne.

Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Popullit shqiptar, lutu për ne.

 

[1] Gjon pali ii, Mesazh drejtuar Kombit Shqiptar, Tiranë, 25 prill 1993.

[2] Benedetto XVI, Omelia nel quarantesimo anniversario della conclusione del Concilio Ecumenico Vaticano II, 8 dicembre 2005.

[3] Francesco, Discorso alle autorità, Tirana, 21 settembre 2014.

[4] Positio, I,442-3.

[5] Positio, I, 447 e 450.

[6] Francesco, Omelia, Tirana, 21 settembre 2014.

[7] Pietro il Venerabile, Poemi, (371).

[8] Goffredo di Vendôme, Omelia per ogni festa della beata Maria, Madre di Dio (354).

[9] Giovanni Paolo II, Regina coeli, Tirana, 25 aprile 1993.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.