“Ah moj nanë… sa janë ka m’dhamin eshnat…. ” Si torturohej Dom Mikel Bletoja nga xhelati Shyqyri Çoku

14305
0
Share:

Janë thirrje mundimesh të Dom Mikel Beltojës në torturat e burgjeve komuniste atë dimër të ftohtë midis dhjetorit 1973 e shkurtit 1974. Historia e njërit prej 38 klerikëve shqiptarë të vrarë gjatë diktaturës, të cilët shpallen martirë nga Papa Françesku, më 5 nëntor në Vatikan.

Le të dalë Shyqyri Çoku e të thotë: I kam thyer unë ato kocka. Le të dalë e të thotë për të larë sado pak shpirtin. Dom Mikel Beltoja e ka falur qysh atëherë, kur si bishë sulej mbi  të, për ta sakatuar deri në ashtin më të fundit. E ka falur se është lutur për të që Zoti ta falë bashkë me eprorët e tyre të diktaturës komuniste. Lë të dalë sot Shqyqyri Çoku, të flakë dekoratën që ka marrë nga Rilindja, e të thotë nuk e dua s’më takon e të rrëfejë mizorinë e tij ndaj Dom Mikelit. Le të dalë e të thotë nga i buronte gjithë ajo urrejtje… ose të dalë e të thotë: nuk i kam thyer unë kockat e dom Mikel Beltojës.”

“Hapeni dosjen e Shyqyri Çokut”, tha ish-ambasadori gjerman në Shqipëri në vitet 1987 -1990, Verner Daun. “Hapni dosjen e Shyqyri Çokut dhe nëse është përgjegjës të dënohet dhe t’i hiqet medalja! Të dënohet sipas ligjit për vrasje të shumëfishtë”. Ka torturuar edhe At Zef Pllumbin e akademikun Sami Rrepishti ndër shumë të tjerë. Por, Shyqyr Çoku është sot i dekoruar nga qeveria e Ramës dhe aspak i penduar për ato krime që ka kryer.

coku-433x300Thonë se e ka shqyer gjymtyrësh priftin shkodran që nuk kishte bërë asnjë mëkat tjetër, veçse predikonte besimin katolik e kryente shërbesat kishtare që regjimi gjakatar i Enver Hoxhës i kishte ndaluar. Torturat e tmerrshme që “heroi” i Rilindjes ka kryer mbi priftin Dom Mikel Beltoja, shkojnë përtej imagjinatës së kriminelëve më të spikatur. Është një ndër historitë më makabre të dhunës komuniste ndaj popullit të vet.

Historia e këtyre torturave vjen përmes dëshmisë së Luara Keçit, të cilën e ndante veç një mur me qelinë e dom Mikel Beltojes. Ishte vetëm 16 vjeç, kur u arrestua. Laura Keçi, ishte spiunuar nga shoqet e veta tëhttp://27.al/ gjimnazit, “vigjilente në shërbim të partisë”, pasi kishte guxuar të bënte kryqin. Ishte viti 1973, kur asaj i ra fati i zi të njihte ato dhoma të errëta të torturave komuniste e ku do të shihte e të dëgjonte gjithçka bëri komunizmi ndaj saj e priftit martir, Dom Mikel Beltoja.

 Dëshmia

“Isha 16 vjeç kur u arrestova. Më futën në një birucë dhe aty afër meje në një tjetër ishte Dom Mikel Beltoja. Dua të tregoj me pak fajlë si e torturonin njeriun e Zotit. Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku priste vendimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si duket ishte shumë e ngrohtë mbasi nga djegia e saj ndigjohej virrma e priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmet e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…  Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpër gjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme…Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!..
Ai vuante pandërpremje e bashkë me té edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerrshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…, por gjithmonë zhag…

Një ditë prej atyre ditëve të zeza, isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmerr i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova, kur pashë se jam në birucë, por si duket, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të them… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia!, Rrnoftë Krishti!” Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue, nëse ndigjohet prap zani i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës… Dom Mikel Beltoja u pushkatua më 10 shkurt 1974.

 

Historia e marrë nga Fritz Radovani, Melburn 2015

 

 

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.