Arma e vetme e mundshme, të dashur vëllezër e motra, është përvujtëria.

167
0
Share:

Shumë të dashur vëllezër e motra në Krishtin, një vit pas Vizitës historike të Papa Françesku në tokën tonë, Kisha që është në Shqipëri mblidhet rreth tryezës së Fjalës dhe të Bukës së Jetës për falënderimin që duhet t’i japë Zotit për dhuratën që ka marrë.

Një dhuratë të cilën sot e kujtojmë me mirënjohje, por edhe me dëshirën për t’i përtëritur para Hyjit angazhimet që, si bashkësi e krishterë, kemi marrë përsipër kur i kemi premtuar Atit të Shenjtë se duam të pranojmë mesazhin e tij dhe udhëzimet e tij.

Në të vërtetë, nuk do të kishte asnjë kuptim përkujtimi nëse nuk do të shoqërohej edhe nga një vullnet serioz për ta bërë aktuale atë që kremtohet. Pra, ne sot duam të sjellim ndër mend ato mësime dhe me to duam të bashkohemi me zemër e me vullnet, për t’u bërë aktuale.

E dimë mirë, dhe shumë herë e kemi përsëritur gjatë këtij viti, se Vizita e Papa Françeskut na ka “përforcuar në fe” (Lk 22,32), na ka kalitur në shpresë dhe na ka nxitur në një dashuri më të lartë. Në këtë mënyrë, ai ka realizuar për ne dëshirën që qe dëshira e shën Palit drejtuar besimtarëve të Efezit: “për ndërtimin e trupit të Krishtit,  derisa të gjithë ta arrijmë njësinë e fesë dhe njohjen e Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit”.

Por, sikurse shën Pali, edhe Ati i Shenjtë e ka realizuar këtë dëshirë me nxitjen, duke na besuar neve detyrën që ta konkretizojmë në fakte, duke e bërë të mundur me angazhimin tonë të përditshëm, në bashkim qëllimesh mes barinjve dhe popullit të krishterë.

E kemi përjetuar mbi lëkurën tonë bukurinë por edhe vështirësitë e pamasa të lidhura me organizimin e një ngjarjeje si ajo që jetuam një vit më parë, por ato janë asgjë në krahasim me angazhimin personal dhe bashkësior që, përditë, jemi të thirrur të kryejmë për ndërtimin e Trupit të Krishtit, në njësinë e fesë dhe njohjen e Birit të Hyjit.

Në të vërtetë, nuk është aspak e lehtë ta jetojmë këtë njësi. Tëgjithë kemi nevojë të rritemi, si nxënës, në shkollën e Mësuesit Hyjnor, me krejt përvujtërinë.

Ungjilli i së dielës së kaluar dukej sikur donte ta vinte gishtin pikërisht në këtë plagë, kur na thërriste në një ndjekje të përbërë prej shërbimit dhe jo prej kërkimit të vendit të parë. Kur mes nxënësve të Krishtit hyn tundimi i vendeve të para e vetmja pasojë e mundshme është “diskutimi” ose, për ta thënë bashkë me shën Jakobin apostull, “ngatërresat”.

Nuk mund të ketë dishepullat të vërtetë nëse ka “diskutim” në kuptimin negativ ose nëse ka “ngatërresa”: këto janë shfaqjet e armikut të Kishës, gjithmonë në veprim për ta shkatërruar Shëlbimin e bërë prej Krishtit. Është e vërtetë: armiku i Hyjit nuk do ta mposhtë kurrë Kishën e Krishtit, por mund të korrë shumë viktima mes nxënësve të tij.

Arma e vetme e mundshme, të dashur vëllezër e motra, është përvujtëria, po ajo që Krishti na ka mësuar duke ardhur mes nesh si Ai që shërben. Të jemi anëtarë të Kishës, të jemi nxënës të Krishtit do të thotë të kemi në ne të njëjtat ndjenja të tij. Është gjithnjë shën Pali ai që na e kujton në Letrën drejtuar Filipianëve: “Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus”. Jezusi e zhveshi vetveten duke marrë gjendjen e shërbëtorit… deri në vdekjen, mu deri në vdekjen në kryq.

Këtu, në kryq, gjendet mburrja e vërtetë e të krishterit. Kemi reflektuar mbi këtë mister vetëm pak ditë më parë. Kryqi, i pranuar në të gjithë mizorinë e vet është i vetmi shpëtim i mundshëm: ai na bën të rritemi sepse është ai dru i hedhur në detin e jetës i cili ështëi vetmi ku mund të kapemi, është ajo urë që mund të hidhet mes dy brigjeve të një humnere në mënyrë që ta kapërcejmë. Të dashur, sa herë kemi përjetuar se si pas një vuajtjeje dalim më të fortë, fitimtarë? Kështu është edhe për kryqin që çdo i krishterë është i thirrur të marrë mbi vete që të mund të shkojë pas Krishtit.

Pas viteve të përndjekjes diktatoriale ka dalë një Kishë më e fortë, një kopsht i lulëzuar, i vaditur prej gjakut të martirëve tanë. Kjo është prova më e madhe se kryqi, sado i vështirë, sjell me vete fryte të papritura dhe të mrekullueshme.

Neve, sot (kjo është zemra e mesazhit të Papa Françeskut) na përket detyra që të mos lejojmë që këto fryte të humbasin, por madje të punojmë shumë në mënyrë që me angazhimin tonë dhe me dhuratën e vuajtjeve tona të përditshme, sidomos me dhuratën e përvujtërisë sonë, ky kopsht të lulëzojë edhe më shumë dhe të prodhojë shumë më tepër fryt në termat e të krishterëve të mirë, shtetasve të angazhuar, bashkësive të gjalla që të jenë në mes të këtij brezi kripë dhe dritë.

Vëllezër e motra,

këto janë qëllimet dhe urimet e bëra nga të gjithë pjesëmarrësit në Asamblenë I Kombëtare të Kishës sonë, që e jetuam në Shkodër, në ditët 18-20 qershor 2015, me temën: “Gëzimi i Ungjillit: dje, sot dhe nesër”.

Në Ungjillin e sotëm na jepet një tjetër mësim po aq i rëndësishëm dhe që, sikurse ai i së dielës së kaluar, është në linjë me atë që Ati i Shenjtë na ka thënë duke ardhur në Shqipëri.

Pyetja e bërë prej apostujve: “Pamë një njeri që i dëbonte djajtë… ne ia ndaluam, sepse nuk na ndiqte” e përshkruan mirëskematizmin e ngurtë brenda të cilit, ata sikurse edh ene, do të donim ta robëronim lirinë e Shpirtit, që fryn gjithmonë ku dhe si do.

Nuk jemi ne të krishterët zotërinjtë e shpëtimit, që na e ka dhuruar Krishti. Megjithëse duke pasur përgjegjësi dhe modalitete të ndryshme në gjirin e Kishës, ne të krishterët kemi vetëm detyrën t’i bëjmë të tjerët të takojnë personin e Krishtit, nëpërmjet dëshmisë sonë, fjalës sonë dhe veprave tona.

Vetëdija për dhuratën falas të Krishtit na detyron të vlerësojmë gjithçka që, në botë, bën të parashikohet dhe të dëftohet prania e tij shpëtimtare, sepse Krishti, i vetmi që ka një përgjigje të plotë për shqetësimin e pranishëm në zemrën e njeriut, mund të dërgojë Shpirtin Shenjt për të ndriçuar zemrën e çdo personi.

Dëshira jonë më e thellë duhet të jetë ajo e Moisiut, kur ka brohoritur: “Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet!”.

Urimi i Papa Françeskut për një bashkëjetesë paqësore mes besimeve në Shqipëri është edhe urimi për një ecje të përbashkët të bërë në njohjen e një atësie të vetme, asaj të Hyjit.

Së fundi, Ati i Shenjtë, përveçse me anë të nxitjes, vazhdon të na tregojë rrugën edhe me shembullin e bariut të dashuruar me grigjën e vet: e ndjek dhe e ushqen me Fjalën, i kuron sëmundjet e saj me ilaçin e nxitjes, nganjëherë ilaç i hidhur, por efikas, me shembullin e thelbësisë së një jete që nuk kujdeset për veten por për realizimin e detyrës që ka marrë.

Pasi na ka kujtuar disa herë se ndihet objekt i mëshirës së Hyjit, tani ka shpallur një Vit të Shenjtë të Mëshirës, që të gjithë të mund ta përjetojnë atë dhe të kthehen nga Ati.

Vëllezër e motra, në përfundim, mendoj se vetë ky kremtim që tani jemi duke jetuar, nëse nuk duam që të mbetet një vetëkremtim i shterpët, duhet të mund t’i hapë zemrat tona dhe të na lejojë të meditojmë e të vëmë në jetë mësimet që kemi marrë. Le ta pranojmë me përvujtëri se kemi nevojë për mëshirën e Zotit! Nëse zemrat tona janë të sinqerta kur e kërkojnë atë, Ai, që është i mirë, nuk do të na e mohojë. Kështu edhe ne, të pajtuar, do të dimë të jemi mjet i mëshirës me vëllezërit e motrat tona, duke realizuar të gjitha ato kërkesa, fryt i Ungjillit, që leximet e sotme na kanë treguar dhe duke pasur për zemër njësinë.

Faleminderit, o Zot, për këtë mundësi të re që na jep për ta përtërirë bashkimin tonë me Ty.

Faleminderit, Papa Françesku, për dhuratën e Vizitës tënde Baritore që na nxit të fluturojmë lart.

Faleminderit, o Kishë që je në Shqipëri, që e pranon nxitjen që të drejtohet sot për të jetuar “shpresën që nuk zhgënjen”.

Në lavd të Krishtit. Amen.

 

Mons. Angelo Massafra OFM

 

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.