“Arsyeja që më shtyu t’i dedikohem Zotit”

1474
0
Share:

Të studiosh për t’i dhënë fre dëshirave më të mëdha të njeriut! Martesa, lindja e fëmijëve biologjikë, apo dhe thjesht pëlqimi i një femre shihen si ‘kurthe’ e për të cilat studenti duhet të mësojë që të mos bie pre e tyre. Një shkollë që shihet si burim dijesh, por njëkohësisht dhe manual i një jete larg së shkuarës, ku prioritet bëhet vetëm e ardhmja.

Kjo është shkolla e priftërinjve në qytetin e Shkodrës. Shumë pak e dinë se për tu bërë prift duhet të ndjekësh shkollë ashtu sikurse nuk e dinë as për ekzistencën e Institutit Ndërdioqezan ‘Nëna e Këshillit të mirë’, i vetmi që përgatit priftërinjtë nga të gjithë trevat shqipfolëse. Të vendosur në një godinë katër katëshe, në qendër të qytetit të Shkodrës, marrin mësime rreth 45 studentë.
Tek i sheh në pamje të parë, nuk të japin përshtypjen se këta do të jenë priftërinjtë e ardhshëm e ku shumë nga ne do t’iu besojnë sekretet. Janë si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë, por ajo që mund të bëjë diferencën është përkushtimi ndaj Zoti i cili vihet re në çdo fjalë që thonë.

Kristjan Marku, një ndër seminaristët na tregon se një thirrje prej Zotit, e ka bërë atë të heqë dorë nga dëshira për të emigruar ndoshta në një vend ku mund t’i rezervohej një e ardhme më e mirë.

“Vija nga një familje e varfër kisha dëshirë të emigroja jashtë shtetit, por në moshën 17- vjeçare më lindi dëshira për tu bërë prift. Pavarësisht frikës, zgjodha të hiqja dorë nga ajo dëshirë”- shprehet 20- vjeçari.

Çdo ditë në këtë seminar është një “luftë” e vazhdueshme pasi në çdo kohë duhet të bësh zgjedhje mes dëshirave më të mëdha, që ndoshta për të tjetër mund të duket absurde.

Vendimi për t’u bërë prift, ka qenë ndër zgjedhjet që seminaristët kanë bërë ku kanë hequr dorë nga familja e tyre për një familje më të madhe e t’i dedikohen Zotit me vetëmohim. Këto zgjedhje nuk priten shumë mirë nga njerëzit më të afërt priftërinjve të ardhshëm.

“Kam qenë shumë i lidhur me nënën, prandaj dhe vendimin që kisha marrë ja thashë asaj. Nuk e priti shumë mirë, pasi kishte frikë për atë që do të ndodhte më mua, por tani ajo është shumë e lumtur dhe besoj se është krenare për mua”- thotë Kristjani, seminarit në Institut.

Jeta e dedikuar Zotit, mund ta kushtëzojë Kristjanin të lidhë kurorë apo të ketë fëmijë biologjik, po s’mund të ndalë ndjenjat e tij.
“Ka ndodhur që gjatë viteve si seminarist të kem pëlqyer dikë, por ne mësojmë të jemi të ekulibruar dhe dashuria për Zotin ishte më e madhe së për të” na tregon me sinqeritet Kristjani.

Cikli mësimor në këtë shkollë zgjat plot shtatë e vite. Ky shtatë vjeçar njihet si një fazë tranzitore, ose ‘fejesa’ku studenti njihet me jetën e një prifti dhe nëse atij i pëlqen kjo jetë atëherë ai është gati për të hedhur hapin për fazën tjetër, atë drejt ‘martesës’.

Nuk është e nevojshme të kesh ndonjë aftësi të veçantë për t’ia dedikuar jetën Zotit, mjafton të plotësosh katër kritere kryesore.
“Seminaristi duhet të ketë minimumin e nivelit arsimor, të jetë një besimtar i devotshëm, të ketë dashuri ndaj zotit, Krishtit dhe të mos ketë dëshirë për karrierë po për të shërbyer”- thotë Padre Madre, drejtor i Institutit.

Ditët janë shumë të ngjashme me njëra- tjetrën. Nisin në orën 07:00 me lutjen e mëngjesit dhe vazhdojnë më tej më vaktin dhe me mësimin.
Ai është i përbashkët mes djemve dhe vajzave me ndryshimin e vetëm që motrat studiojnë disa prej lëndëve e jo ciklin e plotë.

Të gjithë kur dëgjojmë për këtë shkollë kemi përshtypjen së në këto banka ulen nxënës të shkëlqyer, të përkushtuar ndaj mësimeve ashtu sikurse ndaj Zotit, por nuk është kështu. Ka dhe nga ata që neglizhojnë dhe që nuk u kushtojnë aq kohë sa duhet mësimeve. Ndoshta qenka në natyrën studentit e që askush nuk mund ta shmangë pavarësisht drejtimit që ka nisur.

Ndryshimet qëndrojnë në mënyrën sesi ato “justifikojnë” këtë lloj neglizhence në dallim nga studentët e shkollave të profileve të tjera.

“Edhe ne gëzohemi kur mësojmë që nuk do bëjmë mësim sepse profesori është larguar në një udhëtim, apo kur kemi ardhur të papërgatitur dhe jemi “fshehur” pas një aktiviteti në komunitet”- shprehet motër Visarta, studente Institutin “Nëna e Këshillit të mirë.

Dita vijon me lutjen e orës 13:00 e më pas të gjithë së bashku ulen për të ngrënë drekën. Pasdreka është një kohë ku seminaristi ia kushton plotësisht mësimeve por edhe një hapësirë ku mund të qëndrojnë vetëm. Një ndër qëllimet kryesore e këtij Instituti është jetesa në komunitet.

Në orën 19:15 mbahet mesha në një nga kapelat e ndërtesës. Fill pas darkës, seminaristët zhvillojnë aktivitete të ndryshme për t’u argëtuar, si një ndeshje futbolli, një film a një libër. Me disa ndryshime të vogla vijon dhe e nesërmja, e pasnesërmja e kështu me radhë…

Shtatë vite, për një kandidat zyrtar i cili ka zgjedhur rrugën drejt qiellores, i dedikohen mësimeve filozofike, teologjike dhe praktike. Mungesa e literaturës në shqip, por edhe eksperienca në Vatikan e shumicës së profesorëve bën që gjuha kryesore në Institut të jetë italishtja. Për këtë arsye viti i parë i dedikohet plotësisht mësimeve të kësaj gjuhe.

Në ciklin filozofik, qendra e studimeve është qënia njerëzore, raporti i njeriut me zotin dhe bëhen kryesisht lëndë, si sociologjia, psikologjia, por edhe gjuhët e huaja, latinisht dhe greqisht.

Ndërsa në tre vitet e ciklit teologjik jepen mësime fetare. Lëndët bazë në këtë stad studimi janë bibla, dogmat, filozofia morale si dhe këndimi, ritet liturgjike e ato baritore. Në këtë fazë kandidati zyrtar për shukërimin meshtar (formë diplomimi) merr shërbesën e lektoratit dhe ka të drejtën të shpallë fjalën e zotit dhe të lexojë në kishë. Viti i fundit bazohet totalisht te praktika, jeta në komunitet.

Ky ‘test’ për çdo seminarist mund edhe të dështojë. Sfidat e pafundme psikologjike, fizike dhe mendore nuk i kanë përballuar të gjithë studentët, pavarësisht dëshirës së madhe të tyre.

“Nga 100 studentë gjatë gjithë viteve, pothuajsë 20 prej tyre nuk ia kanë dalë mbanë. Në qoftë se studenti e sheh që nuk është ky qëllimi që ai i ka vënë jetës, atëherë ai është i lirë ta lërë këtë rrugë, askush nuk e pengon”- shprehet drejtori Padre Mario.

Në një të ardhme jo shumë të largët, nga kjo shkollë dalin barinjtë e shpirtit, njerëzit që do t’ua besojmë pa frikë sekretet tona.

d.b/shqiptarja.com

Share:

Leave a reply