Atë Gjergj Vata

1121
1
Share:

Më 13 shkurt 1999, ndërroi jetë në Romë jezuiti shqiptar, Atë Gjergj Vata. Lindi më 6 maj 1915. Mësimet e para i ndoqi në shkollën e jezuitëve në Shkodër, ku ndjeu edhe thirrjen meshtarake e rregulltare. Pati si mësues e më vonë si vëlla rregulltar, njërin nga jezuitët shqiptar më në zë: Atë Pjetër Meshkallën, tek i cili gjeti shokun e ngushtë të idealeve të shenjta fetare e kombëtare. Studimet e mesme i vijoi në Seminarin Papnor të Shkodrës, për të vijuar studimet e larta filozofike e teologjike në shkollat e jezuitëve në Itali. I vijoi studimet por qe detyruar t’i ndërpriste për t’i kryer në klandestinitet. Atë Vata u shugurua meshtar më 19 mars 1955, kur në Shqipëri kishte filluar kalvari i Kishës katolike, duke i qëndruar besnik zgjedhjes që pati bërë që në moshën të re për të ecur gjurmëve të Krishtit. Shtoi një rregulltar jezuit në shoqërinë e masakruar të Jezusit, e para që qe vënë në shënjestër nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Atë Gjergj Vata u arrestua tri herë, e tri herë iu desh të vuante në biruca, hetuesi e kampe përqendrimi. Herën e parë i vunë prangat kur ishte ende seminarist student, më 21 qershor 1945, derisa fillonte sulmi, që përfundoi me shkatërrimin e të gjitha veprimtarive të etërve jezuitë në Shqipëri e që do ta çonte në pushkatim mësuesit e tij më të mirë: Atë Gjon Faustin e Atë Daniel Dajanin, për të cilët vijon procesi kishtar i kanonizimit. E lidhën dorë për dorë me mësuesin e vet, Atë Jak Gardinin. Duke qenë tepër i ri, e liruan, pasi bëri vetëm një vit e gjysmë burg. Ishte data 8 dhjetor e vitit 1948. Kishte dalë nga Kuvendi i Jezuitëve për të hyrë në burg; delte nga burgu pa e ditë ku do të hynte, sepse Kuvendi i rregulltarëve jezuitë nuk ekzistonte më, ishte mbyllur prej komunistëve. Herën e dytë u arrestua më 8 gusht 1974, për t’u liruar më 8 dhjetor 1974. Për të tretën herë përfundoi në qeli të burgut më 2 nëntor 1977, për t’u liruar vetëm pas dhjetë vjetësh burgimi, më 20 maj 1987. E ndoqën kudo vuante dënimin, sivëllezërit rregulltarë që kishin mbetur jashtë e sidomos, familjarët. Hynte e dilte nga burgu gjithnjë me të njëjtën akuzë: “Armik i popullit”. Vetëm pas vitit 1991 Atë Gjergj Vata do të çlirohej nga një atribut i tillë kaq i pamerituar, për t’u quajtur “Mik i popullit” e për t’u rikthyer në urdhrin e Jezuitëve, në rimëkëmbje e sipër në Shkodër e Tiranë. Pa marrë parasysh moshën, Atë Gjergj Vata i vuri krahët punës për rihapjen e seminarit ndërdioqezan në Shkodër dhe u bë një nga drejtuesit e parë të tij pas rënies së diktaturës komuniste. Por mosha, mundimi e sëmundja e bënë të vetën, ndonëse si vëllezërit e tij jezuitë bënë çmos për ta shëruar. Atë Gjergj Vata mbylli sytë në krahët e tyre më 13 shkurt 1999 në Romë, ku u kremtuan edhe salikimet e para, pas të cilave u kthye për të pushuar në tokën e atdheut, për amshim. Atë Gjergj Vata qe i butë, i vendosur dhe me një dashuri të pakufishme për popullin e Kishën.

Share:

1 comment

  1. Pjerin 27 March, 2017 at 00:39 Reply

    Me kujtohet si sot kur u rikthi te kishe e jone ne Korthpule per veq komonistave qe nuke ishin ne prezence.ne te tjeret pa dallim moshe burra e gra djem e vajza kure dolem te Kisha ishe operativi i zones Sokol e qunin nga Tirana ishe me tre ushtar te armatosur .ne donim qe Dom Gjergji ta qonte meshen ne Kishe por Kishen e kishin kthy ne vater kulture quhej ne ate koh dhe ne kerkume qelesin ,qelesin e kishe nje isuf nga qarreti i pukes mos gaboj dhe tham ne do hapim Kishen tone dhe meshen do e qojme ne KISHE Mrena Pasi na pa te acarume dhe na ashte drejtu neve qe ishim afer tij une nuke qoj Meshe ne qofte se thyhet dera Kushes ne tha meshen do e qojme ne Oborrin e Kishes. Ishe nje krenari te shoqerosh nje Meshtare ne 1991 ishem 16 vjeq .

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.