BOTA – MARTIRET – NE

1393
0
Share:

Në këtë klimë feste e lumturimi e gjithë bota po flet për Shqipërinë, për shqipëtarët, për ne. Po mendoja, ndërkohë që po përjetojme e presim me pa durim 5 nëntorin. E thoja, sa bukuri që Zoti na ka dhënë si Shqipëtarë, si besimtarë Katolik  në veçanti por edhe gjithë besimtarëve të besimeve të tjera, pasi kemi bashkënda vuajtjen e tani jemi të thirrur të bashkëndajmë gëzimin. E pyesja vetën, po në ato vite të ideologjisë komuniste sa ka folur bota për ne? Sa kanë qënë të interesuar masmediat botërore të asaj kohe për Shqipërinë? Sa e si kemi folur ne?

E shumë pyetje të tjera më lindin në këtë moment unik. Tani jo vetem ne krenohemi, por e gjithë Kisha katolike (universale) në mbarë botën me hare e pret këtë ditë. Edhe një herë reflektorët e masmediave botërore po flasin për ne. E kësaj radhe protagonistët janë bijtë që lindën dhe dhanë jetën këtu, për ne, për të vërtetën e fësë. Në pak kohë Shqipëria bëhet qëndër, në 2014 me vizitën e papa Francesku, në Shtator të këtij viti me Shenjtërimin e Nënë Terezës.  Gjithë këto, nga një anë janë motiv krenarie, nga ana tjetër është përgjegjësi, pasi lumturimi i martirëve është zëri që në heshtje ka folur në dhurimin e jetës, me dorëzimin e sajë në duart e Zotit.

Ato fjalë magjike e nga ana e jashtme vdekjeprurese që i kanë shprehur në momentin e ekzekutimit tani po bëhen fjalë jetëdhënëse për ne. Gati të gjithë në forma të ndryshme kanë thënë: “Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipëria” e pastaj sikurse Jezusi kanë thënë “Fali o Zot se nuk dinë çfare bëjnë”. Ata u varrosën në ato vite, e në këto ditë po na sjellin jetë, ata e mbollën besimin, e tani ne kemi përgjegjësinë të jetojmë vlerat tona njerzore, sociale e fetare. Ata folën në kohën e tyre me derdhjen e gjakur, me dëshminë e tyrë, e tani falë tyre po flitet për ne.

Bashkë me to vuajtën edhe shumë e shumë besimtarë. Vuajtën, por ishin të lumtur të mos braktisnin besimin e tyre. Po sjell dy fjalë të një bashkëvuajtësi. Ai quhet Ndue ishte i dënuar me pushkatim, por iu fal jeta dhe bëri gati 12 vite burg, vëllanë e tij e vranë menjeherë. Thoshte se gjatë torturave i dhanë mundësinë që të lirohej. Po si? E tmerrshme atij i duhej të mohonte besimin në Krishtin e të pohonte lavdinë e pushtetit. Por përgjigjja e tij ishte kjo: “nuk mund të mohoj autorin e jetës, nuk mohoj atë që ka krijuar çdo gje …”. E rezultati, ishte vuajtje, burg, torture, jo vetëm për të por edhe për famijarët. Nga ai kam dëgjuar mizorinë që kanë jetuar dëshmitarët, pra martirët tanë. Ai kishte jatuar në burg me disa nga këto 38 martirë, shumë besimtarë të tjerë që vuajtën.

Vërtetë në listë janë 38, por ky është vetëm nje numër që shihet e në realitet aradha e dëshmitarëve është shumë, shumë më e madhe. Falë këtyre, ne, sot kemi një hir, një dhuratë, një mundësi. Prandaj përgjegjësia jonë është të duam autorin e jetës sonë Zotin, e të duam vëllezërit, kombin, mbarë njerzimin e krejt kozmosin.

T’i lusim martirët tanë, dëshmitarët që nuk u frikësuan por i qëndruan besnik të vërtetës. Ti kërkojmë atyre dritën që të mund të rrisim dashurinë vëllazërore e dashurinë ndaj Zotit, që të kërkojmë të ndërtojmë një shoqëri sa më të shëndoshë.

Gëzuar o Kishë katolike që në çdo vënd të botës feston këtë triumf me e për martirët e lindur në Shqipëri! Gëzuar o Kishë e Shqipërisë për këtë ditë që mbarë bota me ty galdon! Gëzuar çdo besimtari!

Kreu

NORA B.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.