Bukuria e Shërbimit dhe hareja e Shpalljes në Kishë

1148
0
Share:

Këtë të diele, më 31 korrik 2016, Kisha Katolike në Kosovë, së bashku me misionin e saj ungjillëzues në mërgim, ishte në ditë feste. Ishte një ngjarje e bukur, që kishte bashkuar besimtarët në Gjakovë, nga të gjitha anët e Kosovës, të cilët jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të botës, për tu bërë pjesë e lutjeve për diakonin e ri Don Kolën, i cili duke lejuar Shpirtin Shenjt ta bëj të ngjashëm me vetë Krishtin, duke marrë pjesë kështu në vetë misionin e tij “Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjn 20,21), në mënyrë që ta komunikojë Fjalën me gjithë jetën e vetë.

Pjesë të këtij gëzimi ishin edhe familjarët e pranishëm te Don Koles, si dhe miqtë të ndryshëm, e veçënarisht nga seminari i Shkodrës.

Meshës solemne në Kishën e Shën Pjetrit e Shën Palit, në ora 11:00, i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët dhe misonarët tanë. Imzoti në pretkun e preku domethënien e shërbimit diakonal, duke bërë një paraqitje teologjike dhe baritore. Jezusi ka dhuruar Kishës së vjet mjetet e shëlbimit dhe të shenjtërimit – tha Imzot Doda –, duke na bashkuar përbrenda saj si gjymtyrë të trupit të saj. Sakramentet janë dera dhe lidhja intime me këto të mira. Në anën tjetër, në bashkësinë e tij – Kishën – i ka thirr disa dhe i ka vërë rojtarë, dëshmitarë dhe mbarështues të këtyre të mirave hyjnor, në mënyrë që të jenë në shërbim të vëllezërve dhe motrave brenda kishës. Në këtë shërbim, këta burra si mbarështues të këtyre hireve, t’i prijnë atyre në dashuri, në bamirësi, shërbim.

Diakonit Kolës, iu drejtua ipeshkvi: të falënderoj që ke pasur guximin t’i përgjigjes thirrjes së Hyjit, me një po të përvujtë dhe të përhershme. Në këtë kohë, kur rinia dhe të rinjtë e sotëm ju mungon ky guxim, sepse janë të dhënë pas lakmisë së pasurisë dhe kënaqësisë, ti ke bërë një përcaktim të guximshëm për të qenë në shërbim të të tjerëve. Prandaj, mos pusho – tha Ipeshkvi – të jesh i gatshëm për të ushtruar shërbimin e diakonatit në asambletë liturgjike, duke shpallur tek besimtarët lajmin e mirë me një zell dhe dashuri të madhe e duke kremtuar disa sakramente të Kishës, për të thelluar dëshirën dhe gatishmërinë baritor për të shërbyer në mes njerëzve. Pastaj, duke qenë në një lidhje të ngushtë në shërbimin e altarit, ofroj Hyjit Atë vetveten si fli dhe të mbetet qendra e jetës tënde, shërbimin ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe ndaj atyre që kanë nevojë.

Në fund, ipeshkvi iu drejtua asamblesë së bashkuar, duke ju kërkuar atyre lutjen për thirrje të shenjta, në mënyrë që populli ynë të këtë sa më shumë djem dhe vajza të reja, që vihen në shërbim të ungjillit. Sepse – theksoi Ipeshkvi – nëse do të mungojnë këto, kush do të ngushëllojë popullin tonë e kush do ta ungjillëzojë atë? Kush do të shijë lotin e shpirtit të tij, kur të përballjet me divorcin, me fëmijën që ikën prej shpie dhe e devijon drejtimin e jetës së vet?! Kush do ta mësoj këtë popull të mos bie pre e gënjeshtrave dhe mashtrimeve dhe kush do ta qortojë këtë popull që nuk duhet ta duam armikun më shumë se vetveten, sepse Jezusi na ka mësuar të duam tjetrin si vetveten, kaq na mjafton?!

Pas meshës u shtrua dreka vëllazërore, duke i bërë urime diakonit të ri për misionin në shërbim të njerëzve. Falënderojmë Zotin për bukurinë e dhuratës së tij dhe urojmë që çdo i ri të bashkëpunojë dhe t’i hapë zemrën Jezusit, për ti përgjigjur menjëherë dhe bujarisht thirrjes së Tij.

Për Dritën: Don Daniel Markprekaj & Don Meriton Dedaj

Ballina

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.