“Bukuria e Thirrjes” nga Don Gjovani K. Kokona

168
0
Share:

Ai që do të gjejë kohë e dëshirë të lexojë këto rrjeshta të jetë i sigurt se nuk do të gjejë këtu ndonjë shkrim poetik për arsye se ai që i ka shkruar nuk është ndonjë njeri i penës.

Arsyeja që më shtyu të shkruaj është qëndrime, bisedime me meshtarë e rregulltare gjatë vizitave të fundit në Shqipëri.

Në rradhë të parë zbulova te ta pasionin e thirrjes dhe të përkatësisë ndaj Krishtit! Në një atmosferë të sotme ku shpesh moskuptuesit e një thirrje janë vetë të pagëzuarit, kjo përkatësi më ngjalli admirim. Djem e vajza që pasi kanë gjetur “thesarin e fshehur në arë”, kanë “shitur” gjithçka kanë dhe e kanë “blerë arën”. Janë treguar të mençur që kanë bërë gjithçka në qetësi e heshtje deri sa e kanë “blerë atë”, e të mos ua kishte marrë dikush tjetër nëse do të bënin zhurmë e gjurulldi. Dhe në një heshtje të vazhdueshme me Autorin e thirrjes, këtë thesar vazhdojnë ta ruajnë.  E ky thesar i transformon që të jenë thesarë për të tjerët. Kjo është një mrekulli që vetëm Autori i thirrjes, Thesari i vërtetë, di të bëjë. Vetëm Ai di sesi të thërrasë disa mëkatnorë ndërmjet mëkatnorëve për tu shërbyer mëkatnorve.

Në të njëjtën kohë zbulova që këto thirrje nuk ishin si nje oaz në shkretëtirë, por dilnin nga një kopsht i bukur që vetëm dora e një kopshtari plot pasion mund ta bëjë, ky kopsht ishte realiteti shqiptar ku ata lindën dhe u rritën. Ata lindën gjatë orës tragjike në Gjetsemani. Ata lindën falë lutjeve të atyre Marive që qëndruan pranë kryqit, falë lutjes të asaj Kishe që nuk e mohoi Kryqin.

E ndërsa shihja me admirim këtë entuziazëm të Ringjalljes më ra ndërmend se lufta akoma nuk është e fituar. Këto janë si ato ditët me diell pas një furtune shiu e breshëri, që nuk do të thotë se furtuna nuk mund të rikthehet. E për tu bërë ballë furtunave të tjera vijnë ndërmend fjalët: “Unë e kam fituar botën”.

E shenja furtunash që vura re janë ato të Izraelit në liri. Lodhja, thashethemet, gjykimet, paragjykimet. E këto vijnë qoftë nga ambjenti i jashtëm: në fakt jeta e meshtarëve/regulltareve është në sytë e çdokujt qoftë për mirë qoftë për keq; por vijnë edhe nga ambienti i brendshëm.

 

Dëshira njerëzore për të qenë dikushi nëse arrin të mbizotërojë jetën e dikujt bën që të sjellë pasoja të dëmshme në marrëdhënie me të tjerë. Tundimi i atij që lutet: të falenderoj o Zot që nuk jam si ky tagrambledhës, është/bëhet edhe tundimi ynë. Sigurisht këtu ndikon edhe mungesa e një udhërrëfyesi/udhëtreguesi. Në një ushtri të dobët edhe një ushtar i fortë rrezikon të rrëzohet, por në një ushtri të fortë edhe një ushtar i dobët mund të arrijë të mos dezertojë. Një pjesë e udhëtreguesve të këtyre të rinjve e të rejave vinin nga ambiente kishtare e/o shoqërore ku mungesa e entuziazmit dhe thatësira shpirtërore  kishte filluar me vite të mbizotërojë (me një lule s’vjen pranvera…). Prandaj vlen gjithmonë këshilla: sa më shumë ngrihesh në detyrë, edhe më shumë ke nevojë të përparosh në përvujtëri. Sa herë ndodh që meshtarë/rregulltare të devotshëm  mbas ngritjes në detyrë bien në mediokritet dhe në shqetësimin për arritje të një suksesi tokësor. Sepse pesha e detyrës, shqetësimet që ajo sjell, vështirësitë materiale për përmbushjen e detyrës; të gjitha bashkë mund të sjellin humbjen e energjive dhe shtimi i mungesës së një jete të brendshme lutjeje sjell edhe degradimin shpirtëror. Mesha bëhet një praktikë e zhurmshme e çoroditëse. Çdo lutje bëhet thjesht një praktikë e jashtme dhe breviari, rruzarja një përsëritje e nxituar si diçka për tu thënë.  Kështu bëhesh i dëmshëm për vetveten  dhe rrjedhimisht edhe për të tjerët.

Të tjerët llogjikisht presin nga i thirruri tu flasë për Krishtin, për Zotin; tu sjellë kujtesën e Jezusit, praninë e Tij. Për çfarë duhet kripa që e ka humbur shijen apo drita që nuk ndriçon më.

Por duke iu rikthyer lodhjes në “liri” dhe pasojat e saj të dëmshme, mund të them pa frikë se rritja e një jete të brendshme të propozuar nga Ungjilli sjell qetësinë e brendshme, qetësinë shpirtërore dhe qetësia e brendshme (interior silence) e qetësia shpirtërore sjell fundin e gjykimeve, pasioneve, dëshirave. Kjo qetësi të mban të qëndrueshëm në identitetin e thirrjes që ke. Pascal shkruan: “I gjithë trishtimi te njeriu vjen nga një akt i vetëm, nuk mund të rrinë në qetësi/heshtje në dhomën e tyre”. Zhurmat e ndryshme që na rrethojnë apo edhe aktivitetet jo të paraprira nga një jetë heshtje e brendshme bëhen të rrezikshme sepse është një ilaç mashtrues që na nxit të shmangim ballafaqimin e vetvetes me boshllëkun tonë të brendshëm.

Tundimi që sjell boshllëku shpirtëror dhe mungesa e formimit njerëzor që në rritje në familje, ka pasoja të dëmshme. Një meshtar, motër apo ipeshkëv që bëhet si ajo fjala popullore: si “gratë e këqija”, që rrinë duke marrë nëpër gojë apo duke ju shpifur dikujt, e kanë marrë veten e tyre në qafë për shkak se nuk janë më në gjendje të shohin as bukurinë e thirrjes së tyre, dhe aktiviteti i përditshëm kthehet në një tentativë për të mbushur boshllëkun apo mungesën e formimit që përmenda më sipër. E rezultati i kësaj tentative të fundit është negative sepse, edhe pse mund të krijojë një lloj përmbushje apo kënaqësie, nuk është i qëndrueshëm në kohëzgjatje.

Duke e mbyllur i ftoj ata që do ti lexojnë këto rrjeshta që të mos mi marrin për keq, pasi unë që në thirrjen time jam, gati gati si thotë shën Pali, si një abort; frymëzohem në këtë thirrjen time të brishtë nga këta alter Christus të cilët nuk i josh bota me marrëzinë e saj por qëndrojnë besnikë duke u bërë ajo fara e mirë e mbjellë që vetëm duke vdekur jep fryte diku tridhjetëfish diku gjashtëdhjetëfish e diku njëqindfish.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.