Bylbyli i Shkodres – Dom Ndre Zadeja

1010
0
Share:

Leht’ i prekë me fletë zbunimi
zemrën zemrave tuj qasë
ndin se rrahin prej mallnjimi
se janë fry e duen me plasë.

Këndon bylbyli, ban se s’ndjeva,
Shkundet puplash, ban se s’pa,
Po kur dorën mbrendë e ktheva,
Me ty bashkë bylbyl kam kja…

Zoga të bukra, delni, eni
Sot prej prindve do t’u dajë:
Gja s’po merrni gja s’po keni,
Bukurija e vetmja pajë!

Rrokni babë e puthni nanë,
Të dyvet lypni hallall,
Me sy matnje anë e m’anë
Shpinë që sot u qet me mall.

I përcjellë kafazi i vjetër:
Udhamarë bylbyka të mi!
Shkoni e gjeni ‘i kafaz tjetër
Shkoni e gjeni prind të ri…

Besabesë fort jam idhnue
E k’saj jete s’di çka me i thanë
Zemra zemrën me largue,
Syni synit lot me i dhanë!

Ndre Zadeja
Shkrel, Prendverë 1933

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.