Dita e shtatë: Dita falenderimi: Ana dhe Maria, adoleshente, falenderojne Zotin për veprën e Tij.

110
0
Share:

Dita e shtatë: Dita falenderimi: Ana dhe Maria, adoleshente, falenderojne Zotin për veprën e Tij.

22 dhjetor – Veprat e meshiershme: Të këshillojmë ata që janënë dyshim – T’i mësojmë të paditurit

Leximi i Parë 1 Sam 1, 24-28 – Psalmi Përgjegjës 1 Sam 2,1.4-8
- Ungjilli Lk 1, 46-55

Kënga e galdimit e Anës që e dëgjuam në psalmin është rrjedhoja logjike e dhuratës së një fëmije të pa shpresuar dhe të fituar prej Zotit pas shumë lotësh, ashtu sikurse vetë Ana na thotënë tregimin që na ka bërë në leximin e parë.

Ungjilli na ka paraqitur një tjetër këngë, atë të Marisë, që buron prej një zemre që galdon në Shpirtin: e njohim mirë sepse e lusim çdo mbrëmje, kur liturgjia na fton të falënderojmë Zotin për dhuratën e madhe të jetës dhe për të gjitha të mirat që vetëm Ai di të dhurojë.

Në kontekstin e Nëntëditëshes sonë, këto dy këngë na japin mundësinë të konsiderojmë edhe dy dimensione të tjera të përshpirtërisë së krishterë që nuk duhet të mungojnë kurrë: lavdi dhe falënderimi.

Të lëvdojmë dikë do të thotë para së gjithash të vërejmë të mirën, pozitiven që gjendet në personin e tij apo në veprat e tij dhe, vetëm në një moment të dytë, t’ia hapim zemrën vlerësimit të shprehur me fjalët ose me gjestet domethënëse. Të falënderojë është karakteristikë e atij që ka përjetuar në vetvete një të mirë nga ana e dikujt: zemra mbushet me gëzim dhe ky gëzim shprehet me fjalë dhe me gjeste mirënjohjeje.

Këto dy qëndrime kanë të përbashkët një element: përvojën e një të mire dhe aftësinë për ta vërejtur atë. Nganjëherë jemi aq të zënë me vetveten ose aq të përqendruar në problemet tona sa nuk arrijmë ta shohim të mirën që është përreth nesh dhe ta shijojmë atë. Dhe kjo ndodh sidomos në lidhje me Hyjin!

Zoti na e jep çdo ditë dashurinë e vet dhe na e dëfton atë me dhuratën e jetës, me bukurinë e botës së krijuar, me praninë e personave të mirë që duan të mirën tonë. Por edhe momentin historik në të cilin jetojmë, po ta shikojmë me sytë e djallit do të shohim vetëm të keqen, luftërat dhe padrejtësitë, dhe do të jemi tëprirur të shkurajohemi e të mendojmë se Hyji nuk është i mirë: është pikërisht mashtrimi që prindërit tanë të parë kanë përjetuar në parrizin tokësor. Ndërsa nëse shikojmë me sytë e Hyjit zbulojmë se nuk ka të keqe që të mos mund të kthehet në të mirë, se vdekja e një fare në tokë është garanci për kallëza të reja që do të japin grurë, se kemi në vetvete aftësinë për të zgjedhur atë që është e mirë dhe të mos e pranojmë të keqen, duke u bërë edhe vetë garanci e një bote më të mirë. Pra, bëhet fjalë vetëm që të kemi sy të mirë e të kthjellët, të aftë ta lexojnë botën dhe historinë në dritën e shëlbimit që Hyji dëshiron ende të kryejë, ndoshta duke na përdorur ne. Si të mos galdojmë, si të mos gëzohemi përgjithë këtë?

Vëllezër e motra, edhe sot Hyji e shikon përvujtërinë e shërbëtorëve të vet dhe përmbys fatet e botës: kemi parasysh vitete errëta dhe shtypëse që feja jonë ka pësuar deri 25 vjet më parë. Kush doli fitimtar? E keqja a fitoi mbi të mirën? Sigurisht që jo. Çdo ditë kemi mundësinë ta shohim mirësinë e veprave që Hyji bën në dobinë tonë dhe të bëjmë që të burojë prej zemrës lavdi drejtuar Atij. Dhe çdo ditë është e volitshme për falënderim, edhe pse jemi në mes të një mijë vështirësive; sepse i krishteri, në fe, e di se Hyji është në veprim për shëlbimin e tij.

Në veprimin e vet misionar Kisha, pra secili prej nesh, ndihet e ngarkuar me këtë detyrë shumë të rëndësishme për t’i rizgjuar ndërgjegjet dhe për t’i zbuluar mashtrimet e të Keqit që fshihen pas të gjitha formave të armiqësisë ndaj Hyjit, sidomos asaj të materializmit që, ndërsa duket se dëshiron të vlerësojë njeriun, në të vërtetë e zvogëlon atë në thelbin e tij sepse e ndan prej Krijuesittë vet. Në këtë detyrë është mirë të përdorim dy veprat e para të mëshirshme të shpirtit.

Të këshillojmë ata që janë në dyshim është akti i bamirësisë me të cilin, nxisim, bindim, lusim, drejtojmë të afërmin që të bëjë ndonjë të mirë që nuk do ta bënte, ose t’i shmanget ndonjë të keqeje që do ta bënte, nëse nuk do t’ia jepnim atë këshillë të mirë. Të gjithë dimë të japim një këshillë të mirë, por ka disa raste në të cilat këshilla më e mirë është ajo që ta drejtojmë personin tek dikush që di më shumë se ne, sidomos nëse bëhet fjalë për fenë dhe për moralin. Në këto raste është mirë t’i drejtojmë te meshtarët.

T’i mësojmë ata që nuk dinë është vepra e mëshirshme qëna detyron t’i mësojmë të paditurit në gjërat hyjnore që secili ka detyrën t’i dijë dhe që janë të nevojshme për të mirën e shpirtit dhe për shëlbimin e amshuar. Të gjithë e kemi për detyrë ta bëjmë këtë për dashuri dhe do të bënim një gabim të rëndë nëse nuk do të pranonim ta bënim. Sot kemi raste formimi të krishterë që famullitë organizojnë për të gjithë: le të bëhemi nxitës të këtyre nismave dhe t’i ftojmë bijtë tanë që të marrin pjesë në to për t’u rritur në fe, por edhe të rriturit të mos e privojnë veten prej këtyre mundësive.

Edhe kjo është një dhuratë: le t’i hapim sytë tanë për ta parë, zemrën tonë për ta pranuar dhe shpirtin tonë për të lëvduar e falënderuar Hyjin.

Share:

Leave a reply

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.