Ëndërroj një Kishë të guximshme,largpamëse si Martirët tanë të lumë

1651
0
Share:

Bëmë që të jehojë në këtë tempull lajmi i gëzueshëm i Pashkëve që në këtë ditë, në të cilën kujtojmë dëftimin e Zotit, Kisha është e lumtur të shpallë sepse është në marrëdhënie të ngushtë me Misterin e Mishërimit të Birit të Hyjit që e kemi kujtuar për Krishtlindje. Në të vërtetë, për Krishtlindje lajmërohet Shpëtimtari, për Pashkë realizohet shpëtimi; për Krishtlindje Hyji bëhet njëri prej nesh, për Pashkë ne bëhemi si Ai.

Dhe këtë shndërrim e kujtojmë në mënyrë sakramentale në Pagëzim, prej ujërave të të cilit të gjithë ne kemi rilindur në një jetë të re, sipas masës së Krishtit, të bërë të ngjashëm me Të: Ai, Biri i Hyjit, na bën ne bij të Hyjit; Prift, Mbret dhe Profet na bën ne një popull priftëror e mbretëror, të aftë t’ia shpallë profetikisht botës; Ai, krye, na bën ne trupin e vet dhe gjymtyrët e veta, për ta bërë të pranishëm në kohë dhe në hapësirë; Ai që është, që ishte dhe që vjen, Zotëria i kohës dhe i historisë, na bën misionarë të tij në mënyrë që e gjithë bota të besojë në Të.

Për këtë arsye sot e bekojmë atë ujë që do ta merrni në shtëpitë tuaja: nuk është vetëm një traditë, dhe mos e dhashtë Zoti të jetë një gjest sjellfati, por një shenjë e fesë, e pranisë dhe e bekimit të Zotit! Ai duhet të mund të na kujtojë se jemi shpëtuar prej Jezusit dhe se jeta jonë duhet t’i përgjigjet shpëtimit që kemi marrë, duke na përtërirë vazhdimisht në mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit, duke ua përshtatur atë mësimeve të Ungjillit.

Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur të na referohen edhe ne ato fjalë të Isaisë që i dëgjuam në leximin e parë, një tekst shumë poetik që nuk dëshiron absolutisht të jetë një vetëlavdërim i popullit hebraik, por një përshkrim i asaj se si Hyji synon t’i dëftohet botës pikërisht falë popullit të vet. Ne e dimë se Hyji ka dashur t’i dëftohet botës në Jezu Krishtin dhe, nëpërmjet tij, t’i tërheqë tek vetja të gjithë popujt.

Shën Pali, në leximin e dytë, na ka thënë edhe se Shpirti ua ka zbuluar këtë vullnet të Atit apostujve dhe profetëve të Krishtit në mënyrë që ata ta bënin të mundur. Si? Pikërisht nëpërmjet Pagëzimit, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të marrin pjesë në të njëjtin premtim të bërë çdo besimtari: shpëtimi.

Shumë të dashur, si anëtarë të Kishës, pra si të pagëzuar, sot jemi të ftuar ta ripërvetësojmë Pagëzimin tonë, ta jetojmë atë në plotësi dhe me gëzim për t’u thënë të gjithëve, me vetë jetën tonë, se sa bukur është t’i përkasim Krishtit, sa e mrekullueshme është të jemi të falur e të shpëtuar. Me fjalë të tjera, sot Zoti ia beson përsëri secilit prej nesh mandatin misionar për ta shpallur Atë si i vetmi Shpëtimtar i botës. Kështu, të bindur prej dëshmisë sonë shumë vëllezër e motra të tjera, sikurse Mbretërit e Lindjes në tregimin ungjillor, do të ndjekin yllin e fesë sonë dhe do të arrijnë në takimin me Krishtin. Në të vërtetë, detyra jonë është t’i çojmë njerëzit drejt Krishtit, jo të zëmë vendin e Tij! Pra, dëshmia jonë le të jetë e mbushur me përvujtëri dhe e lirë prej çdo vetëreferencialiteti.

Si bari i juaji, ëndërroj një Kishë me të vërtetë misionare, (Të gjithë në mision – ka qenë nën titulli i letrës baritore e vitit 2002), që shkon në periferitë, si na thotë Papa Françesku: një Kishë dinamike, e bërë prej barinjsh dhe besimtarësh që së bashku pyesin veten se si mund ta mishërojnë ungjillin sot, se si mund ta rifuqizojnë praktikën fetare në ata që janë larg, se si mund ta shembin murin që është duke u ngritur gjithnjë e më shumë mes fesë dhe jetës.

Ëndërroj një Kishë të aftë të lexojë shenjat e kohëve, largpamëse sikurse qenë Martirët tanë të lumë, syçelur për ta dalluar të mirën në mënyrë që ta nxisë dhe mundësisht ta shtojë atë; por të aftë edhe të dallojë mashtrimet e kurthet që fshihen pas konsumizmit bashkëkohor.

Ëndërroj një Kishë të guximshme, të aftë të dalë haptazi për të shkatërruar të keqen, para së gjithash brenda saj, dhe të bëhet mbrojtëse e të drejtave themelore njerëzore, duke paditur padrejtësitë dhe duke bashkëpunuar për të mirën e kombeve në të cilët jeton dhe vepron. Një Kishë që, sikurse Nënë Tereza e Kalkutës, të cilën që prej shtatorit të kaluar kemi nderin ta thërrasim si shenjte, të jetë e aftë të marrë përsipër varfëritë, pritshmëritë dhe instancat më të thella të njerëzimit që vuan për t’u ridhënë dinjitet të varfërve dhe të shtypurve.

Por ëndërroj edhe një Kishë më të gjallë: pra të lirë nga gjithçka që e ngadalëson ecjen: e varfër në mjete, por e pasur në virtyte; e varfër në lavdi njerëzore, por e pasur në lavdinë që vjen vetëm prej Hyjit; e varfër dhe e aftë të bashkëndajë gjendjen e të fundëve të shoqërisë; një pjesë e vogël e këtij populli shqiptar, por një zemër e madhe që na bën të shkëlqejmë prej mirësisë dhe shenjtërisë së jetës.

Sot është edhe 20-vjetori i shugurimit tim ipeshkvor. I kujtoj ende fjalët që shën Gjon Pali II më drejtoi gjatë atij riti: ai më pyeti nëse isha i dërguar në Shqipëri dhe më besoi Shpirtit Shenjt që veprimi im baritor të ishte i drejtuar prej Zotit.

(me 6 janar 1997 ne Rrëshen dhe ne Lezhë dhe më 28 tetor 1997, pas vdekjes së ndijerit Imzot Frano Illia,si Administrator Apostolik në Shkodër dhe në Sapë)

 

Të dashur,

I jam mirënjohës Zotit dhe shën Gjon Palit II që më kanë zgjedhur të kryej këtë shërbesë në Kishën e Shqipërisë.

Falenderoj Kard. Ivan Dias, atëhere Nunci Apostolik në Shqipëri, të gjithë bashkëpunëtorët te 4 dioqezave; Meshtarët të mbietuar pas komunizmit; meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare dhe misionarë laikë; falenderoj të gjithë Edukatorët deh Profesorët të Seminarit dhe meshtarë të shuguruar nga viti 2000 deri më sot, brënda dhe jashtë Shqipërisë;diakonët dhe seminaristët

Falenderoj të gjithë ju të pranishmit, që keni pranuar ftesën time…falenderoj edhe ata qe per arsye te ndryshme nuk kanë patur mundësi pë të qenë këtu me ne sot…edhe nese shpirtërisht janë të pranishëm…

Një falënderim të veçant juve të dashur besimtarë, që jeni në katedrale dhe që na ndiqni me Mediat dhe me Radio Maria…për mbestetjen dhe për lutjen: ju kërkoj që të vazhdoni të lutuni për mua.

Të dashur, si Papa Gjon Pali II më besoi Shpirtit Shenjt që veprimi im baritor të ishte i drejtuar prej Zotit. Kështu sot, është dëshirë e imja që ai besim i personit tim Shpirtit Shenjt të kalojë tek ju.

Edhe unë ju besoj juve dhe gjithë Arkidioqezën e Shkodër-Pultit fuqisë krijuese të Atit, veprës shpëtimtare të Birit dhe veprimit shenjtërues të Shpirtit Shenjt. Trinia e Shenjtë gjettë në secilin prej jush hapësirën dhe gatishmërinë e mjaftueshme që të vazhdoni të veproni për të mirën e kësaj Kishe dhe që kjo Kishë të jetë vendi i privilegjuar nëpërmjet të cilit Ai të mund të vazhdojë t’i dëftohet botës si Shpëtimtar dhe Shëlbues.

Ndërmjetësofshin për ne në këtë vit të ri Martirët tanë të Lumë: Imzot Vinçenc Prennushi dhe 37 Shokët.

Amen.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.