“Ëngjëlli i birucave”

2854
0
Share:

“…kur shkova në Pllanë, mora për shërbime një murgeshë të moshuar që thirrej motër Gjyzepina Radovani. Kishte qenë edhe Madre te Stigmatinet, kur u mbyll kuvendi i murgeshave. Me përgatitje në Napoli për infermierre, por që dinte sa një mjeke. Kishte shërbyer  vazhdimisht në spitalin e Shkodrës. Për natyrë nuk fliste, bile duhet t’I nxirrje me grep ndonjë ngjarje që fillonte ta tregonte, por e mbyllte bisedën shpejt, pasi : “…simbas parimit komunisht, sytë që kanë pa, duhen verbue, veshët që kanë ndigjue duhen shurdhue, duhen pre gjuhët që flasin e shkurtue krenat që mendojnë!”. Këto fjalë m’i ka përsëritur shpesh motra që thirrej “Ëngjëlli i birucave”. Dukej e shëndetshme, por ishte e sëmurë me zemër. Shpesh thoshte : “Si kam me kenë mirë me zemër, kur kujtoj çka kam pa në spitalin e burgut…?! Mos më pyet, se asht mirë dhe për ty mos me i dijtë ato tortura që bahen mbi priftën!”. Kishte mjekuar edhe mjaft intelektualë, qytetarë të burgosur dhe, me një fshëhtësi të madhe, kishte sinjalizuar shum familje për gjëndjen e tyre shëndetësore. Pas arrestimit të Dom Lazër Shantojës, At Anton Harapit, Dom Ndre Zadejës, Dom Alfons Trackit, ishin dërguar mbas dy – tre ditësh, për t’u mjekuar në spital dhe, vetëm mbas ndonjë dite, kishin arritur t’i njihnin në fytyrë kush ishin. Ajo kishte mjekuar me duart e saj At Çiprian Nikën, kur i thyen këmbët në tortura dhe kishte vënë në dijeni motren e tij  për gjëndjen shëndetësore. “Unë, – thoshte ajo, – kam pasë rasën me mjekue plagët e pshkvës së vlueme të hjedhun mbi kambët e Imzot Volajt; ndër sjetulla prej vezëve të zieme, plagët e hekurave të skuqun ndër krahët e Myzafer Pipës dhe Paolin Palit, kryet e çamë me hekur të Kolë Prelës, plagët e kthyeme në kancer të Dom Nikollë Dedës e kam mbyll me duert e mija sytë e mbetun të hapun të Fratel Pantalisë… Te tanë këta martirë e shenjtën I kam prekë me duert e mija…!”

Një ditë më tregoi se si e kishin çuar pa ndjenja në spital Fratelin Gjonin. “ E bana gadi shtratin shpejt dhe e vuna në dhomë me At Çiprianin. I çova nji gotë kos, por nuk kapërdini vetëm dy hurma, e më tha me nji za të mekun : “ Motër, nuk mundem me u kapërdi…”, e ra si në gjumë. I tregova se karshi ke një shenjt, At Çiprianin, që ka ardhë ma keq se ti e asht ba mirë. Mos u mërzit, se do të njoftoj Dr. Shirokën e do t’I shofin ai kambët…! Në agoninë e tij, vazhdonte me thanë uratë…

Në darkë shkova e i pashë, vazhdojshin me fjetë me atë gjumë të randë…

Të nesërmen , kur dola në punë në orën 6.30 të mjesit, sa hyna në dhomë, vrejta kah frateli: krahi i kishte ra shtratit, kryet ishte kah At Çipriani, sytë e hapun , me shikim nalt… U afrova, i mora dorën, e pashë se ishte i ftohtë… N’atë kohë, ai ishte në Parriz…

Në komodin aty afër kishte ba me gisht shejën e një kryqit e nën të, kishte shkrue në pluhun Fra Gjon Pantalia S.J : “Kishte dekë,  i bana kryq, i mbylla sytë, i thashë shpejt uratën, mbasi kjo ishte e vetmja ndihmë që i duhej. Kishte çue At Çiprianin prej gjumit, i cili i kishte diftue se ka ndigjue se asht në grahmat e fundit e se me vështirësi kishte muejt me prekë dorën e shtrime të Fratelit, e i kishte dhanë me kuptue se i ka dhanë ndihmën e fundit shpirtnore.

  • Çfarë fatit,- thoshte motra, – me dikë martir nën kujdesin e dorës t’nji shenjtit…! Të nesërmen kishin marrë e çue në burg edhe At Çiprianin, të pamjekuem… e edhe atë nuk e pashë ma!”

Motra kishte mjaft kujtime të hidhura të asaj kohe të vështirë. Ruante me kujdes tek koka, një sirtar, disa fotografi. Veçonte tre : të Luigj Gurakuqit, ishte kushëriri i parë i nënës së saj; Kolë Radovanit, major i xhandarmërisë që u ishte vënë pas komunistëve, deri ditën që u vra në bombardimin e Tiranës, prej anglezëve, në tetor të 1943; dhe një tjetër, të murgeshave, ku në mes ishte At Anton Harapi. E merrte se edhe ky ishte ndër njerzit më të mëdhenjt të vendlindjes së saj, Shkodrës. Bisedat për Dr. Shirokën e ndihma që u ka dhënë ai të burgosurve, ishin volume librash më vete. Kishte saktësi në ngjarje, pasi i përsëriste shpesh nga pleqëria, por gjithmonë njësoj.

Ishte një murgeshë e posaçme dhe e përkushtuar. Ishte gojëmbyllur e nuk fliste aty kur nuk nuk duhej të zbulonte çështje të ruajtura në kasafortën e mendjes së saj. Dinte shum për befotrofet e s’hapte gojë, edhe pse disa për atyre “shoqeve” që kishin kaluar nëpër atë derë, ishin sjellë brutalisht me Motrat, ndër vende ku ato më vonë ishin “drejtuese” ose “drejtoresha” të institucioneve, ku murgeshat e shkreta, me djersën e ballit fitonin bukën e gojës, pa hapur kurrë gojën për ato e të shkuarën e tyre!

Ajo më tregonte me seriozitet :

“Padër, as mos mendo se ka ma muejt kush me shkrue ndonjëherë se çka kanë ba komunistat mbi Klerin Katolik e atdhetarët shqiptarë, e me i mbajtë mend të gjithë, ka me u dashtë me u kthye Deti Adriatik në mereqep (bojë shkrimi), për me shkrue çka asht ba mbi popullin shqiptar! As mos u lodh me i mbajtë ndër mend…ata që nuk kanë provue ose pa me sy krimet e Sigurimit, jo vetëm nuk kanë me i besue, por edhe me ia diftue, kanë me kërkue me i harrue shpejt…”!

Më duket se po dalin fjalët e saj….

Padër Konrad Gjolaj

Marre nga libri i autorit Dr. Pjeter Pepa me titull “Tragjedia dhe Lavdia e Klerit Katolik ne Shqiperi”

Share:

Leave a reply

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.