Etapa post-martire nga Don Giovanni Kemal Kokona

828
0
Share:

5 nëntori i kaluar shënoi një kremtim që ishte në të njëjtën kohë mbyllës dhe hapës.

Mbyllës për arsye të kulmimit të një proçesi që kishte komplikimet e veta. Një proçes i ndërlikuar edhe për gamën e gjërë, sepse gjatë proçesit u punua jo vetëm për mbledhjen e informatave për 38 të Lumët e kohës së komunizmit, por edhe për dy periudha të tjera: atë të ndërhyrjeve malazeze (procesi për At Luigj Paliq o.f.m.) dhe të regjimit të Zogut (procesi për Don Gjon Gazullin).

Një proces jo i lehtë për shkak se shpesh pengesat vinin nga vetë aktori i procesit, pa lënë mënjanë këtu kushtet e vështira materiale e financiare në të cilën punohej.

Hapës për arsyen e thjeshtë se Lumnimi shënon një moment të rëndësishëm por jo përfundimtar në ecurinë e shpalljes së një shenjti, atë përmbyllës e shënon kanonizimi. Në këtë fazë postulatura (nëpërmjet personit të zëvendës postulatorit në bashkëpunim me postulatorin në Romë) ka rol kryesor në përhapjen e devocionit nëpërmjet konferencave (shumë njerëz në Shqipëri, përfshirë edhe ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë/e nuk kanë njohuri për këta martirë), organizimit të momenteve të lutjes etj.

Për tu theksuar është fakti që kjo fazë e kanonizimit kërkon edhe vërtetimin e një mrekullie.

Në të njëjtën kohë kjo fazë drejt kanonizimit sjell në vetvete edhe domosdoshmërinë e një reflektimi për fazën historikë të sapokaluar, atë të komunizmit. Shumë të rinjve e të rejave edhe nga rregulltarë/e që udhëheqin shkolla katolike me të drejtë u flitet për krimet e nazizmit në Auschwitz (1940-1945, rreth 5 vite) por jo me të drejtë u flitet pak ose aspak për krimet komuniste në burgun e Shqipërisë (1944-1991, rreth 47 vite).

Akoma Kisha në Shqipëri nuk është bërë pjesë e debatit për dërgimin përpara drejtësisë të autorëve të krimeve, a thua se Kisha nuk ka të bëjë me këtë pjesë. Akoma sot sigurimi i Shtetit nuk tregon ku i kanë eliminuar apo varrosur një pjesë të të pushkatuarve apo të atyre që vdiqën në burgje. Akoma sot shteti shqiptar më lehtë kompenson disa privatë për marrjen e pronave që i’u është bërë në komunizëm, sesa kompenson Kishën Katolikë. Harrojmë që e drejta e pronës dhe vendosja e drejtësisë janë baza të një shteti demokrat.

Pse duhet të kemi frikë të kërkojmë të drejtën e mohuar? Martirët na tregojnë se duke pasur konceptin Kishë nuk hezituan të flijohen që kësaj Kishe të mos i mohoheshin të drejtat.

Nga një analizë e martirëve duhet të lindë edhe reflektimi mbi ungjillëzimin. Ungjillëzimi lind nga Ungjilli, pra nuk është përhapja e një ideje personale. Kisha e kryen një gjë të tillë nëpërmjet anëtarëve të saj. Martirët na dëshmojnë fjalën, premtimin e Krishtit që Shpirti do të japë forcën në momentin e duhur për të dëshmuar. Prandaj edhe sot, si individë si Kishë, duhet të jemi hapur ndaj Shpirtit. Nën frymëzimin dhe udhëheqjen e Shpirtit mund të tejkalohet mendësia e gabuar, që, me vetëdije apo pa vetëdije, na shtyn të veprojmë me parimin se një shprehi e jetës kishtare “lind dhe mbaron me mua”.

Në këtë drejtim duhet të dimë të përballemi me sfidat e pashmangshme. Përgatitja dhe angazhimi i një laikati të shëndoshë, rritja e nivelit të formimit në Seminar, formimi shpirtëror dhe intelektual i rregulltareve, kujdesi, koordinimi dhe shoqërimi i emigracionit janë pa dyshim sfida të ditëvë të sotme. Në këtë kornizë hyn edhe forcimi i strukturës kishtare, që të jetë sa më pak me natyrë personale. Nevojitet krijimi i një mendësie në nivelin e dioqezës dhe të famullive, që të ketë si synim përfshirjen reale të besimtarëvë në përmasat e ndryshme të jetës kishtare. Një formë konkrete e kësaj përfshirjeje mund të jetë themelimi i këshillave për çështjet baritore dhe për çështjet ekonomike, ku anëtarëve laikë duhet t’u jepet pesha që u takon. Nuk duhet të mungojë as kujdesi për të eliminuar nga strukturat aktuale elementin komunist, akoma i pranishëm në forma të ndryshme. Jo rrallë ngrehina kishtare vepron si në një tranzicion, në të cilin çdokush kërkon të mbijetojë, e ndonjë herë edhe në dëm të të tjerëve.

Në ungjillëzim duhet të nxjerrim nga pluhuri edhe traditën kishtarë shqiptare, e cila mund të pasurohet nga traditat e kishave të tjera, por jo të zëvendësohet nga këto, duke i kopjuar këto të fundit pa ia përshtatur kontekstit vendas. Duhen marrë elementët pozitivë të traditës e të pasurohen më tej, por jo të shpërfillet tradita.

Papa Françesku, nëpërmjet krijimit të kardinalit Troshani, edhe një herë na thotë se duhet ti hapim sytë e mendjes e të zemrës. Kjo Kishë nuk po fillon me ne, por ne po korrim frytet e asaj Kishe që i qëndroi stuhisë, për të dëshmuar të Vërtetën, për të dëshmuar Fjalën. Prandaj nëse deri më tani nuk e kemi parë këtë Kishë, le të na nxisin gjestet e Papës për tu ndalur e për të parë nga ku jemi nisur. Duke pasur të qartë pikënisjen atëherë mund të shtrojmë përpara edhe rrugën ku duhet të ecim. Shqipëria në disa aspekte ka ndryshuar, por në disa aspekte të tjera ka mbetur e ngrirë. Për shembull sot nuk mund të vazhdojmë të konsiderojmë të tillë një famulli të cilës i kanë mbetur ndoshta 30 familje,  për arsyë se dikur kishte ndoshta 200 apo më tepër. As nuk mund të konsiderojmë katolike zona ku 80 për qind e popullsisë nuk vjen në Kishë “sepse janë katolikë”. Ndërsa aty ku gjallëria e famullisë është e dukshme lind natyrshëm pyetja së çfarë mund të bëjmë më shumë apo çfarë duhet të përmirësojmë. Këto dhe fakte të tjera duhet të na bëjnë  të hapim sytë e të konsiderojmë tipologjinë e ungjillëzimit, çfarë është e nevojshme sot.

Natyrisht është i nevojshëm edhe një organizim i mirë i forcave njerëzore, në mënyrë që të ketë një kujdes baritor jo vetëm për ata besimtarë që janë brenda por edhe për ata që janë jashtë Shqipërisë. Sa mirë kur u kërkohet ndihmë ekonomike për strukturat tona në vend besimtarëve që janë jashtë, por sa keq kur interesi baritor për ata shkon nga niveli i ulët deri në shpërfillje. E këtu harrojmë që shqiptarët vazhdojnë të largohen në forma nga më të ndryshmët nga Shqiperia edhe sot, dhe qendrat ekzistuese në ato vende ku ata janë shpërngulur bëhen si ai ‘miku i mirë që të hap derën e nuk mbetesh jashtë’.

Duke iu rikthyer martirëve, urojmë e shpresojmë që të na pasurojnë e të marrim frymëzim për të dëshmuar Ungjillin, duke u shfaqur përpara kombit ashtu siç Kisha është: një e vetme me Krishtin dhe në Krishtin.

 

Kreu

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.