Gjashtë Shkurti 1967 – njollë e zezë në historinë e popullit shqiptar

1074
0
Share:

Ndodheshim në Lushnje në aksionin vullnetar kombtar për ndërtimin e hekurudhës Rogozhinë– Fier me grupin e studentëve të Shkollës Pedagogjike të Shkodrës. Gazetat e radiot mbushnin edhe ajrin e qytezës së vogël të aksionistëve me tone të papërmbajtura. Transmetoheshin fjalët e udhëheqësit. Flitej edhe për inisjativen e rinisë për shkatërrimin e objekteve të kultit. Por në fakt ky sulm i ri ishte i tëri kundër klerit e në veçanti atij katolik. Me 18 shkurt 1967 në oren 7,00 të mjesit, një bori marramendese buçiste në çdo derë kapanoni në shenjë alarmi dhe bënte thirrje për rreshtimin e të gjithë aksionistëve në sheshin ku ngrihej flamuri çdo mëngjes. Në tribunë hipi një grup të rinjsh me shalla aksionistesh në qafë. Njëri nga organizatorët foli për inisjativen që kishte marrë shtabi i rinisë së aksionit për shkatërrimin e xhamisë e të kishës së Lushnjës “prandaj – tha ai – kerkoj mbështetjen tuaj. Në fillim u dëgjuan disa duartrokitje e pastaj më shumë, derisa kjo menyrë aprovimi pushtoi gjithë sheshin. E gjithë kjo farsë bëhej në sy të shumë sigurimsave që vërenin se mos ndokush pëshpëriste apo nuk duartrokiste. Ne, që ishim mësuar me këtë lloj taktike dhe frike, duartë na shkonin vetë si të telekomanduara. Në orën 10.00 te 600 studentet e mësuesit e të tri shkollave pedagogjike; Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastres në kolona marshimi u drejtuam për në qënder të qytetit të Lushnjes. Binte një shi i imtë, sikur edhe natyra po qante për atë që do te shihte më vonë. Arritëm para xhamisë. Aty priste një hoxhë më mjeker krejt të bardhë. Ashtu i ngrirë, si ishte, dukej si statujë e lashtë romake. Rreth 30 veta u shkëputen e me vrap nxituan për në xhami duke uluritur e bertitur në hapesirat bosh. Dëgjonin jehonën e zërit tyre e gëzoheshin. Hodhën prej andej vetëm ca tapete e asgjë tjetër.Të tjerë të ngjeshur te porta ngacmonin hoxhën me lloj lloj sharjesh dhe ndonjë arriti edhe ta shkelmonte, por njeriu i ngurtësuar as nuk levizi, as nuk u mbrojt. Ashtu, stoik, m’u duk sikur thoshte “une ketu do te jem”. Pastaj u dha urdhëri të kalonim të kisha që mbante emrin e Shën Prokopit, e cila ishte vetëm 300 m larg prej xhamisë. Aty gjetëm një grup të rinjsh që po shkallmonin deren kryesore. Me ata u bashkuan edhe disa të tjerë derisa ia arriten qellimit. Prej brenda nxoren një prift ortodoks me nje pamje engjellore, një mjeker thinjoshe dhe me nje kryq që i varej në qafë e vazhdonte deri në gjoks. Tre veta e kishin mberthyer në formë arresti dhe filluan ta shajnë. Ai rrinte para nesh me kokën drejtë, në oborrin e kishës, ku të krijonte përshtypjen e një tribune të vogël. – E shikoni këtë fytyrë – tha njeri prej tyre që e mbante ne arrest – ka genjyer gjithe jeten, ka vjedhur popullin e ka jetuar si parazit. Tani do ta shohë si fitohet buka me krahë. – Tfu maskara – e pështyu tjetri. Pastaj i dhanë një të shtyrë e atij iu morën kembët e ra. Ne e ndoqëm gjithë skenën derisa u çua e mori rrugën mes selvive, si një hije që po shkonte të vizitojë varrezat. Për herë të parë dallova se një perqindje shumë e madhe e të rinjve qëndronte në heshtje dhe në heshtje, ashtu si dhe unë, nuk e miratonte në shpirt këtë brutalizëm, këtë mllef, këtë zemerligësi, që na imponohej dhunshëm. Turma tjetër kishte hyrë në kishë e në menyrë barbare thyente ikonat, përplaste për tokë pikturat. Pastaj filluan të nxirrnin librat e shumtë duke i flakur nën murin e vogël të oborrit. Spektatorë të kësaj skene vandalizmi ishim ne, që qendronim sehirxhinj, të heshtur, pa patur mundesi as edhe të reagojmë të pakten edhe me një fjalë… aty nen pikat e imta te shiut, i cili përzihej me lotin tradhetar, që rrëshqiste fshehurazi në shumë faqe te atij grumbulli të madh studentesh. Në mes tyre mbaj mend si sot shoqen time të klasës, Fatimen, e cila kishte vënë të dyja duart në ball e veç qante pa pushim. Unë isha ngulë të turra e librave nën mur, qe priste bidonin me benzinë për t’i dhënë flakën. Në këtë grumbull pa fund librash shikoja historinë e kombit tonë, shikoja luftën, qëndresën, heronjtë. Në këtë turrë kishte edhe libra shumë të rrallë, me vlera shekujsh. Por ku dinin vandalet vlera e histori; për ta mjaft të kishin emrin e Krishtit apo të një shënjtori, për t’u shpallë herezi politike e për t’u denuar me djegie. Shtriva dorën të marr një liber. M’u duk se ishte një botim i hershëm i shtepisë botuese “Luarasi”, por shokët me qortuan duke me bërë me dije se dikush po më shikonte. Atëherë tërë dhimbje e hodha ne flakën që tashma po përpinte çdo gjë. Të gjithë ne studentet e Shkodrës e ndjemë ne shpirt këtë menxyrë që dukej sikur dilte nga errësira e shekujve për t’u përsëritur në shekullin e XX. Ashtu kokulur e në heshtje u drejtuam për në kapanonet tona, sikur po ktheheshim nga një funeral i dhimbshem nga fundi i një epoke të lumtur, që një dorë e zezë e kishte denuar me vdekje, me pushkatim e ndoshta me keq; me djegie. Vite me vonë shkrova një poezi kushtuar historisë kobëzez të asaj dite, që kurrë nuk do të më shlyhet nga mendja.

Ndoc Selimi.

TE KISHA E VJETER; LUSHNJE 67′

Qielli i shkurtit lshonte pika shiu n’formë loti
mbi pullazin e kishës Shën Prokopit Lushnje, 67′.
Turra e librave nën mur
flakë shpirtnash shpërndante kur digjej
e fryma e saj drejtë qiellës
me zogj e shejtnor bashkë ngjitej.
Ne, flakdhansave t’shekullit na u duk,
se vorret pa kokë
shpupurisnin koca e kafka
e n’trajta heshtash e shpatash dolën mbi tokë.
Trungu i ullinit moçëm me krahë
zgjatun mbi kishë
thonë se ruen imazhin e krimit
me mijëra vjet në rrathë.
Fatimja , shoqja ime e klases
për here të parë në jetë bani kryq
mandej qau mbi ikonën e Shën Mërisë
që zjarmi i pamshirshëm e kishte kthye n’prush.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.