Ideja e Logo-s së Martirëve Shqiptarë

844
0
Share:

Logo-ja më së pari është një rreth.
Rrethi: Simbol qiellit, i botës shpirtërore, i botës së përtejshme në mardhënje dialektike me Tokën. Simbol i hyjnisë, Alfa dhe Omega. Simboli i të përkryerës, të palëvizshmes. Paraqet Amshimin. Në fakt tre rrathë të ngjitur me njëri-tjetrin simbolizojnë Trininë e Shenjtë.

Logo-ja ka ngjyrën e Artë, nuancën e së Artës.
Ngjyra: Ngjyrat kanë një simbolizëm të përcaktuar.

E Arta: Është imazhi i diellit, simboli i Dritës. Imazhi i Dritës, si burim jete, është në Krishterim në disa versione të Lajmërimit, në ikonografinë e krishterë është shndërruar në të verdhtë të artë të aureolave.

Të krishterët e parë me ngjyrën e Artë simbolizonin Krishtin, si Dritë të botës. Ngjyra e artë simbolizon Dritën, e verdha jeton prej dritës; e arta është refleksi i përkryer i dritës, është shkëlqim.

Kryqi dhe Palma.
Kryqi: Nuk është vetëm simbol i pemës së jetës, por është pema e jetës. Edhe pse dru i thatë është bërë i njomë dhe i frytshëm prej Gjakut të Krishtit, i cili duke vdekur mundi vdekjen e dhuroi jetën. Fryti i pemës së kryqit është Shëlbimi, Krishti Zot. Kryqi është djepi i jetës së re.

Palma: Perfiguron, që në fillesat e krishterimit, martirin. Pemë gjithmonë e gjelbër dhe e njomë. Mendohej që palma duke lulëzuar dhe duke dhënë fryte, dmth farën, do të thahej, por ndodh e kundërta, jep një jetë tjetër, kështu edhe martiri, duke dhënë jetën e vet nuk thahet, nuk është i pafryt, por bëhet farë për të krishterët e tjerë. Domethënja e palmës është ajo e fitores, e ngritjes, e rilindjes dhe e pavdeksisë. Pikërisht atëherë kur duket më e thatë, ajo lëshon farën e frytit të saj dhe fillon proçesi i ringritjes dhe i ringjalljes.

Në logo-n tonë, Kryqi dhe Palma kanë të njëjtën pikënisje, normalisht të stilizuar, nga një anë Kryqi i thatë dhe vend i flijimit, i cili bëhet i njomë me gjakun e Krishtit, kurse palma, nga ana tjetër, merr domethënjen e plotë të simbolit të martirit pikërisht tek këmbët e kryqit duke u bërë pemë e lulëzuar dhe e njomë.

Ndërlidhja e ngjyrës së artë me atë të bardhë, do të tregojë që, përveç të artës, ngjyra tjetër është ajo që ia jep vendi i aplikimit të saj, dmth ambjenti i jetës, mishërimi në kontekstin e secilit njeri dhe secilës kohë.

Në të gjithë këtë gjithëpërfshirje domethënjesh, simbolesh të ndryshme ndërlidhet mirë edhe jeta e secilit nga Martirët tanë, që nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen. Ata i dhanë dëshmi (μαρτυρεῖν), të artës, Hyjit të vërtetë duke marrë pjesë në mundimet e Kryqit, Djep i jetës, dhe duke mbajtur në duar palmën e fitores që ua jep pikërisht fitorja e Atij që vdiq mbi kryq dhe e bëri pemë të jetës.

Edhe didaskalia, Lumnimi i Shërbëtorëve të Hyjit Imzot Vinçenc Prennushi, ofm dhe 37 Shokët Martirë, është lënë qellimisht brenda këtij konteksti domethënjesh, ku niset nga këmbët e kryqit dhe futet në zemrën e palmës së fitores.

Semantika e perdorimit të fjalës Lumnim na ka shtyrë të bëjmë këtë zgjedhje fonetike. Fjala Luminim ka në vete dy kuptime: Konceptin teologjik që ka fjala greke μακάριός, në kuptimin e parë si fitim i të amshuemes, por edhe ilustrimin e konceptit tokësor të Lumturisë, në kuptimin e dytë të fjalës μακάριός, si fat i pasurisë materiale tokësore. Ndërsa Lumturimi nuk na del asnjëherë në kontekst religjoz.

Spektri Semantik është vëndimtarë në zgjedhjen e kësaj fjale. Veç kësaj, tradita është po aq vendimtare. Pra ajo që na bën për të anuar nga kjo zgjedhje është Semantika e përdorimeve kontekstuale dhe tradita e përdorimit të kësaj fjale.

P.G T Komisioni per kulturen per përgatitjen e cermonis se Lumnimit.

Ora-al.com

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.