Imzot Frano Illija, kryeipeshkvi i Shkodrës, i pari pas-komunizmit, në përvjetorin e vdekjes.

778
0
Share:

Duke shfletuar kalendarin historik, me 22  tetor, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Imzot Frano Illijsë, kryeipeshkvit të Shkodrës në vitet 1993- 1997, njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë.

Imzot Frano Illija lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa më 25 prill 1968 u dënua me vdekje. Datë e shënuar në jetën e tij është 25 prilli i vitit 1993, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, shndërruar në burgim të përjetshëm, do të shugurohej ipeshkëv nga dora e vetë Papës Gjon Pali II gjatë vizitës së paharrueshme e historike në Shqipëri..

Imzot Frano Illia u bë kështu kryeipeshkvi i parë metropolit i pas-diktaturës në Shkodër. Fitoi edhe titullin Profesor për punën e tij të palodhur në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Skënderbeut, vepër që pa dritën e shtypit shumë vjet pasi ishte përgatitur për botim. Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë, dom Franoja, njeriu që ia kushtoi gjithë jetën altarit e kulturës kombëtare, Fesë e Atdheut.

Kërkonte me këmbëngulje nga katolikët shenjtërimin e jetës e kultivimin e kulturës. Shenjtërimit dhe kulturës i shërbeu gjithë jetën, duke punuar me kujdesin e dashurinë më të madh misionin e tij meshtar, në njërën anë përherë besnik ndaj Ungjillit të Krishtit  e në anën tjetër duke mos e lëshuar kurrë penën nga dora. La kështu pas një vepër që vijon t’i shërbejë kombit e popullit të vet, “Kanunin e Skandërbegut”.

Në përvjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë se imzot Frano Illia, autor  i “Kanuni i Skandërbegut” ishte njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë. La pas veti edhe shembullin e punëtorit të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi tërë jetën me vëllezërit e besimeve të tjera,  për të mirën e përbashkët  e në emër të bashkimit kombëtar.

Duke ecur në gjurmët e traditës kombëtare e të krishterë ndër shqiptarë, Imzot Franoja jo vetëm që nuk hezitoi të fliste për vëllazëri të sinqertë dhe ruajtjen e bashkëjetesës në Shkodër e Shqipëri, por edhe organizoi personalisht mbrojtjen e ndërtesave të kultit të qytetit verior, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë islame të ruanin Kishat e duke nisur meshtarët e vet katolikë të mbronin Xhamitë e Shkodrës. Ishte një ngjarje e veçantë në historinë e kombit shqiptar kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave të 1997-tës.

Kryeipeshkvi imzot Frano Illia jetoi me moton: “Edhe sikur të më premtojnë njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë”. Moto kjo që ruan ende sot vlerën e aktualitetit. Ndërroi jetë më  22 tetor 1997.

Nga arkivi shkëpusim fjalët e Papës Shën Gjon Palit II shqiptuar më 25 prill 1993 në Katedralen e Shkodrës, gjatë Meshës e ritit të shugurimit ipeshkëvnor të imzot Frano Illijës, së bashku me tre ipeshkvij tjerë, pastaj fjalët e kryeipeshkvit të Shkodrës, imzot Illijës drejtuar Papës Wojtila gjatë lutjes së mesditës, nga ballkoni i kryeipeshkvisë, para një turme të madhe besimtarësh e shqiptarësh, mesin e të cilëve ishte edhe Shën Nënë Tereza Ganxhe Boajxhiu.

http://sq.radiovaticana.va/

Share:

Leave a reply

Opinion