Imzot Vinçenc Prennushi, martiri i madh shqiptar i kishës botërore

132
0
Share:

Imzot Vinçenc Prennushi lindi në Shkodër në vitin 1885 bashkë me një motër binjake. Pasi përfundoi studimet fillestare në qytetin e lindjes, eprorët e dërguan jashtë, ku studioi për Filozofi e Teologji duke u shugurar meshtar në vitin 1908. Nga ai moment filloi aktiviteti i tij i pareshtur në të mirë të atdheut në dy lëme: atdhetari dhe kulturë.

Në lëmin e kulturës u dallua si shkrimtar, poet, përkthyes, publicist dhe studiues i rëndësishëm. Të gjitha punët e tij artistike e studimore i botoi në revistën më të rëndësishme të kohës, “Hylli i Dritës”. Në hirerarkinë kishtare gëzoi të gjitha postet: nga gjakue, diakon, meshtar, provincial (i françeskanëve shqiptarë) e deri Ipeshkëv i Durrësit ku dhe ndërroi jetë në krye të detyrës së tij.

Në Durrës Imzot Vinçenci u bë shumë popullor. Të gjithë e donin atë, pa dallime fetare. Ndoshta më shumë se të krishterët durrsakë të cilët donin një Ipeshkëv nga ai qytet, e donin myslimanët të cilët, sipas deklaratës së atë Mati Prendushit që është botuar në “L’oservatore Romano” në vitin 1994, “Kishte shpirt ekumenik dhe respekt të madh për fetë e tjera. Myslimanët e quanin “melek” që do të thotë “engjëll”.

Pasi i shërbeu Atdheut, shërbim i cili kulmoi në vitin 1914 kur mbajti fjalimin prekës para gjithë popullit të Shkodrës në ditën kur u ngrit flamuri shqiptar në kalanë e Rozafës, kuptoi se Zoti priste më shumë nga ai.

Gjithçka filloi në pranverën e vitit 1945, kur Imzot Prennushi u thirr në Selinë Qendrore të Qeverisë bashkë me Ipeshkvin e Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin. Partia kërkonte që Kisha të ndahej nga Vatikani, por Ipeshkvinjtë nuk pranuan. Nga këtu filloi gjithçka…

Në gjyqin e zhvilluar kundër tij dhe kundër klerikëve të tjerë, ai u dënua me 20 vjet burg me akuzat “Agjitacion dhe Propagandë” dhe “Krijimi i Partisë Demokristiane”.

Mënyrën se si ai qëndroi në burg e më pas vdiq, e tregon më së miri profesor Arshi Pipa, në librin kushtuar Imzot Vinçencit, botuar në Tiranë në 1995, i cili ishte aty, në qelinë e vogël prej 30 metrash katarorë bashkë me sa e sa të tjerë:

…Terrori ishte natën. Deri në mesnatë kishte dritë elektrike, e deri atëherë vuajtja ishte më e durueshme. Por sapo fikej drita, në errësirën që i merrte frymën qelisë, vuajtja e tij shtohej e bëhej e mprehtë. Sikur mungesa e dritës i hiqte frymëmarrjen…

Një prej atyne netëve më tha ngadalë: “Tani i kuptoj fjalët e Gëtes: ’Mehr Licht’ [Më shumë dritë]”. Ajo dritë së cilës poeti i ishte drejtuar në fill të vdekjes, nuk ishte me siguri drita që shohin sytë tanë.

Imzot Prennushi u nda nga kjo jetë në një natë marsi të vitit 1949. Atë natë kishte zjarr në kamin. Kur i mbylla sytë, sytë e lodhur e të sfilitur që aq shumë kishin kërkuar dritë. M’u duk se pashë në fytyrën e tij të gërryer, të konsumuar, të paqësuar tashmë, pas aq shumë vuajtjesh, një dritë të pazakontë.

Shumë kohë para se të jetonte vetë mundimin e errësirës, ai shkroi vargjet e mëposhtme duke parandjerë atë çfarë do t’i ndodhte Shqipërisë:

Der foshnjeve t’shkreta

S’druen lakun m’u a ngrehun;

N’sa shtigje ka jeta,

Shum’ gjarpni rrin mshehun!

Ka marrë qiella pezem,

Na matet me rrfe:

O Krisht, na mloi terri:

Rri pra, rri me ne.

Kështu bariu i të krishterëve e engjëlli i myslimanëve u vra nga barbarët që asnjëherë nuk ditën të besonin Zotin e të donin njeriun.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.