Imzot Zef Simoni, meshtari që dokumentoi i pari martirizimin e kishës shqiptare

149
0
Share:

Ditën e mërkurë, më datë 21 shkurt, kujtojmë përvjetorin IX të kalimit në amshim të Imzot Zef Simonit, njërit prej meshtarëve që vujti persekutimin e komunizmit për ma tepër se dymbëdhjetë vjet.

Imzot Zef Simoni

Ai lindi në Shkodër më 1 dhjetor 1928. Mbasi kreu shkollën fillore “Skanderbeg” të qytetit, vazhdoi të mesmen në shkollën Françeskane deri në mbylljen e saj më 1946. Vitin e fundit e kreu në Liceun e Shkodrës.

Asht diplomue në Institutin Pedagogjik dy vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në degën Gjuhë dhe Letërsi. Ka marrë mësimet për filozofi e teologji për pesë vjet rresht mshehtas, që prej 1955. Asht shugurue meshtar më 9 shkurt 1961 nga Imzot Ernest Çoba.

Më 1976 arrestohet dhe dërgohet për dënim në kampin e Spaçit për pesëmbëdhjetë vjet, nga të cilat vuajti ma shumë se dymbëdhjetë.

Mbas hapjes së Kishave, në vitin 1992 asht caktue Vikar Gjeneral i Dioqezës së Shkodrës dhe drejtues i revistës “Kumbona e së Diellës”.

Shën Gjon Pali II, ditën e Kshnellës të vjetit 1992 e emnoi Ipeshkëv titullor të Beraros dhe Ipeshkëv ndihmës pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës.

Gjithashtu, po nga Shën Gjon Pali II u shugurue Ipeshkëv më 25 prill të vjetit 1993.

Dha një kontribut të madh në mbledhjen e dokumentimin e jetës së martirëve qysh në krye të herës kur, në vitin 1993, u emnue kryeredaktor i nji grupit që shkroi e përpunoi librin “Martirizimi i Kishës Katolike shqiptare 1944-1999”, i pari libër që shkruhej për martirët tanë dhe nga i cili asht marrë edhe informacioni i masipërm.

Asht autor i disa librave, ndër të cilët përmendim “Dritat në errsinë”, “Portrete Klerikësh Katolikë” e të tjerë e i sa e sa artikujve të botuem në numrat e “Kumbona e së Diellës”.

Mesha e Dritës për shpirtin e Tij do të kremtohet ditën e mërkurë, datë 21 shkurt në orën 16:00 në ambientet e Katedrales tonë.

 

Share:

Leave a reply

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.