Inaugurimi i kuadrit të Zojës së Shkodrës, një gjerdan i çmueshëm.

119
0
Share:

 

Për mua që historia më previligjoi me kenë pjesë e këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, që zbriten një nga një mbi vendin tonë si shpërthim bekimi qiellor, janë lumni që të shestojnë zemrën e të bajnë gadi të paaftë me përzgjedh fjalët e duhura.

Jubileu i 550 vjetorit të shpërnguljes së Zojës së Shkodrës, hap dhe kristalizon një vizion historik të papërfytyruar tërësisht, por nga ana tjetër dëshmon qartësisht një lidhje  amnore, gati-gati trashendente midis nënës dhe bijëve, midis Zojës dhe popullit, midis legjendës dhe mrekullisë.

Në këtë sfond, inaugurimi i kuadrit të Zojës së Shkodrës, është një gjerdan i çmueshëm që rrethon këto festime, dhe shton hijeshinë e kultin shpirtëror ndaj Zojës.

E çmoj të vyeshme për të ndarë me ju, rrugëtimin e kësaj figure të shenjtë nga realizimi i saj, deri tek mbërritja e gjymtuar në vigjiljen e demokracisë, dhe rrugën që përshkoi nga famullia e Shën Shtjefnit deri tek Palazzo Spinelli për t’u restauruar.

Shkodra, që në krye të herës, e ka dashur Zojën si nënë, ose vet identiteti i Shkodrës është ngritur mbi supet e një femre, e një nëne. Siç dëshmohet edhe nga kronikat e kohës, gjithmonë është tentuar për ta sjellë nënën në shtëpinë e vet, në duart e saj janë lëshuar britmat e vuajtjeve e të padrejtësive, Zoja është thirrur për të pajtuar zemrat e shporuara nga travajet e kohës. Populli i ka besuar të kuptueshmet e të pakuptueshme halle, lutje, dëshira zemre, kurajo jete.

E në këtë etje për Zojën, populli gjithmonë ka dashtë me e pa, me e sodit, me u shkri në adhurim para saj.

Ky kuadër që sot e kemi të shndritur nga penelet e kujdeshme, është fryt i kësaj etje për të parë Zojën, është si shiu në shkretetërin e mungesës.

Historiani Gjush Sheldija na tregon se në kohën e  imzot Jak Sarreqit, porositet ky kuadër kaq i bukur i Zojës së Këshillit të Mirë, dhe vendoset në altarin kryesor të projektuar nga Idromeno, që sytë e besimtarëve të pushonin të qetë teksa e shihnin nënën aty, që vigjilonte me ta, që jetonte orët e qytetit, ngrihet e ngryset e za iu lëshonte në tingëllimën e këmbanave.

(Ne nuk e dimë se kush është autori i kësaj vepre, por dimë padyshim rëndësinë që ka ajo për ne, një rëndësi e vlerë domethënëse mbasi i ka shpëtuar  viteve të pafundme të kalvarit të përndjekjes duke bartur deri sot, jo vetëm kultin e Zojës por edhe vlera artististike të qytetit të saj)

Kuadri në të cilën Zoja ëmbëlsisht mban në krah Jezusin fëmijë, me një dashuri të mrekullueshme, pasqyron një raport drite, të vërtetë, sinqeriteti por edhe teologji e dogmë. Eshtë një vepër që ritmon me plagët e vet historinë e qytetit e të fatzezave ditë që do të vinin në Shqipëri.

Regjimi, Zojën fort të dashur, do ta hidhte tutje, nga një muze ateist tek bodrumet e errëta të mendjeve të zbrazta e shpirtërave të pa Tënzot. Do ta plagosnin pa dhimbje, pa kuptuar se çfarë po kryqëzonin, pa e kuptuar se Zoja është Nënë e shpirtit që s’vritet, s’burgoset, por vetëm lëndohet nga plagët e bijëve.

Komunizmi e plagosi deri vdekje, brishtësia e orëve të para të pluralizimit, me paaftësinë e orientimit për të ndarë të rëndësishmet nga gjërat urgjente, si një pjekuri që vjen me kohën, për shumë vite e la Zojën me plagët në trup duke e thelluar dhimbjen e nënës, martire e sfilitur në limitet e ekzistencës.

Vitet zunë vite, siç edhe po e ndjejmë çdo ditë, progresi është fryt i mendjes së zemrës dhe i zemrës së mendjes, është rrugë e atyre që përpara se të marrin japin, është ditë e atyre që rrokun Dritën, e që bahen mburojë e së Drejtës e  Lirisë.

Rruga nga famullia e Shën Shtjefnit tek Palazzo Spinelli, është një rrugëtim shumë dashamirës, pa asnjë përgjërim, a mëshirim, ishte një udhë që lindi krejt thjesht, nga një vizitë që Znj. Ministre bëri në famulli para një viti. Kur shikimet e tyre u kryqëzuan, bëra gjithë ç’mundej për t’i dhënë udhë rrugës së re të Zojës sonë të përndjekur që tashmë kthehet e kuruar në vatrën e dëshirume të saj.

Prandaj dëshiroj të falenderoj për kujdesin e veçantë zonjën Ministre të Kulturës, dhe stafit të saj të përkushtuar, që na dhanë gjithë shijen e një pune pasionante dhe motivuese për t’i kthyer ngjyrat e duhura Zojës në këtë jubile.

Falenderime edhe për restauruesit që e kuptuan rëndësinë që ka për ne kjo figurë dhe që janë sot këtu, për të na folur rreth teknikave të përdorura e punës së bërë.

Së fundmi, duke iu përgëzuar të gjithëve për punën, dua të uroj Shkodrën për këtë ditë të lume, të kthimit të bijës së vet,  që njëherësh është nënë dhe Derë e Qiellit.

Gëzuar, e uroj e që kuadri i Zojës, të jetë ogur i mbarë për të rikthyer çdo gjë shpirtërore, materiale dhe historike në vendin e vet.

Faleminderit.

 

Dom Artur Jaku / 25.04.2017

Share:

Leave a reply

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.