Mëkati kundër Shpirtit të Shenjtë? – Moskthimi baritor!

117
0
Share:

Në fjalimin e tij drejtuar Ipeshkvinjëve pjesmarrës në Takimin Botëror të Familjeve në Filadelfia gjatë vizitës së tij në USA javën e  kaluar, Papa Françesku në një farë pike thotë: “Jemi të thirrur … të shohim realitetin me sytë e atij që e din se është i thirrur të lëvizë, të bëjë një kthim baritor. Bota sot na kërkon me këmbëngulje këtë kthim baritor. “Është jetësore për Kishën sot të dalë e t’u kumtojë Ungjillin të gjithëve, në të gjitha vendet, në të gjitha rastet, pa ngurruar, pa përtesë e pa frikë. Gëzimi i Ungjillit është për të gjithë popullin, nuk mund të përjashtojë askënd” (Evangelii gaudium, 23).”

Në një intervsitë të tijën për Gazetën italiane Corriere della sera të datës 1 tetor 2015 po ashtu Kardinali Kasper flet përsëri për kthimin baritor: “Papa don një ndryshim baritor, në kuptimin e pasjes së një bashkësie të vërtetash, jo izolimin e njërës  e duke lënë menjëanë të tjerat”.

Kisha Katoike është para një Sinodi të rëndësishëm (4-25 tetor 2015) në të cilin pritet të ketë një debat ndërmjet etërve sinodalë, një debat të hapur e të sinqertë sikurse ka qenë edhe ai i Sinodit të Jashtëzakonshëm në tetor të vitit të Kaluar. Sigurisht që shumë prej nesh presin që fryma e Sinodit, dhe gjithçka do të thuhet aty, do të jetë një pasurim për Kishën Universale. Është Papa më pas ai i cili do të japë udhëzimet e duhura rreth disa problematikave që do të diskutohen në Sinod.

Do të kisha dëshirë të bëja disa reflektime personale rreth të ashtëquajturitkthim baritor që Papa Françesku na kërkon. Si e kuptoj unë këtë kthim baritor?

Kthimi apo konvertimi, apo ajo që Krishti e quan metanoia, do të thotë njëndryshim i mendjes, një kthim i mendjes. Ky ndryshim apo kthim është i nevojshëm për nxënësit e Krishtit dhe dëgjuesit e tij, sepse një realitet i ri po vjen, madje një ndryshim rrënjësor ka ndodhur jashtë jetës së dishepujve e pavarësisht atyre: Mbretëria e qiellit është ngjat, është afër, kthehuni e besojini ungjillit (Mk 1,15). Ky ndryshim që ka ndodhur, ky realitet i ri që po vjen, që ka ardhur dhe tashmë është i pranishëm edhe pse jo në polotëninë e tij, kërkon nga ana e nxënësve të Krishtit një ndryshim në jetën e tyre. Ky është mesazhi i Krishtit, ky është ungjilli. Ky është në fund të fundit misioni i Kishës e në misionin e saj kjo Kishë është gjithnjë në një lloj tendosje, në mënyrë të përhershme. Mbretëria e Hyjit është në botë dhe vjen çdo ditë. Ky ndryshim në jetën e botës ndodh vazhdimisht e përditë e ky ndryshim thërret edhe Kishën që të ndryshojë. Ajo do të humbiste natyrën e saj nëse nuk do të ndjente bashkë me botën, nëse ashtu sikurse Ati nuk do ta donte atë aq shumë sa të vazhdonte të jepte Krishtin çdo ditë (Gjn 3,16). Kisha është protagoniste dhe gjithashtu përftuesja e kumtit të Ungjillit, por ky Ungjill nuk mund të zërë vend nëse Kisha nuk bëhet pjesë e këtij dinamizmi të botës e të shoqërisë.

E shoh jetën baritore të Kishës në Shqipëri, megjithë sfidat që vendi ynë po kalon, sidomos këto vitet e fundit, si një mundësi të madhe për këtëkonvertim baritor thelbësor. Duhet një Kishë e cila të jetojë një llojshekullariteti të saj, d.m.th. më shumë në shekull, në dhe me jetën e botës. Ajo jeton në botë me frymën e Unjgillit pa dashur ta imponojë këtë frymë, por duke e dëshmuar atë në jetën e bashkësive dhe të gjymtyrëve të saja. Nuk na bën mirë asesi një lloj mbyllje ndaj realitetit, mbyllje ndaj dialogut me botën jashtë Kishës. Nëse nuk ndodh kjo hapje e madhe me realitetin ne rrezikojmë të kthehemi në një sekt ose më mirë të themi të atrofizohemi e të vyshkemi.

Në fjalimin që cituam më sipër është e qartë se Papa, duke u folur prelatëve të Kishave nëpër botë, i drejtohet të gjithë Kishës dhe çdo veprimtari baritor, çdo prifti, rregulltari, katekisti etj., që të dimë të lexojmë kontekstin e ri në të cilin gjendemi dhe i cili po ndryshon me shpejtësi të madhe. Sigurisht Papa u drejtohet atyre në lidhje me familjen, por kjo ka të bëjë me krejt jetën e Kishës dhe të shoqërisë. Ia vlen të citohet ende ndonjë pasazh i këtij fjalimi: “Bariu vigjëlon mbi ëndërrat, jetën, rritjen e deleve të tija. Kjo “vigjilencë” nuk lind duke mbajtur fjalime, por nga përkujdesja baritore. Është i aftë të rrijë zgjuar vetëm kush di të rri “në midis”, kush nuk ka frikë nga pyetjet, kush nuk ka frikë nga kontakti dhe nga shoqërimi (i njerëzve)”.

Në kontekstin specifik të familjes, mund të themi se nuk vlejnë asgjë fjalimet rreth familjes, martesës (për më tepër nga njerëz të pamartuar sikurse jemi ne meshtarët katolikë) e kështu me rradhë, nëse ne nuk zbresim në jetën e tyre, nuk dëgjojmë e shohim se çfarë ka ndryshuar në familjet tona, në familjen shqiptare e çfarë kuptimi kanë për ne dhe për veprimin tonë këto ndryshime. Kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk shkojmë te ta, duke i vizituar të gjitha ditë për ditë. Vetëm duke i njohur do të jemi në gjëndje të flasim me to dhe për to. Shpesh ne i kritikojmë besimtarët tanë sa herë na vijnë në Kishë. Personalisht kam qenë gjithmonë kundër kësaj mënyre, pasi njerëzit vijnë në Kishë pas një lodhje një javore, plot me shqetësime, probleme e lodhje, e vijnë për të gjetur një farë qetësie. Nëse do të hasen menjëhëre dhe çdoherë me kritika, atëherë sigurisht që do të ftohen ose do të vijnë me zor.

Konvertimi baritor është një çelës interpretimi shumë i rëndësishëm për ne të gjithë. Unë mund të them se ky konvertim është frut i një jete reflektimi, heshtjeje dhe kundrimi të misterit të Hyjit. Jo pa qëllim Papa në fjalimine tij e vendos si kusht të domosdoshëm kur u flet ipeshkvinjëve e u thotë: “Bariu rrin zgjuar më së pari me lutjen, duke mbështetur besimin e popullit të tij, duke përcjellë besimin në Zotin, në praninë e tij”.

Nuk mund të dallojmë Shpirtin e Hyjit në jetën e botës nëse nuk e dallojmë atë në jetën tonë. Duhet një shikim i pastër dhe i pastruar që vjen vetëm nga takimi me Fjalën e Hyjit. Është pikërisht ky shikim i cili na bën të shohim botën me sytë e Hyjit, ky është kundrimi i vërtetë. Prej këtu nis edhe ky kthim baritor i cili nëse nuk bëhet është një mëkat kundër shpirtit të shenjtë e këto mëkate nuk do të falen ( Mk 3,29).

 

Nga Dom Gjergj Meta / http://peregrinus.al/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.