Bëni gjithçka t’ju thotë!

148
0
Share:

Të dashur vëllezër e motra shkodranë,

Sonte nuk mund ta fsheh emocionin që po provoj. Jam në Shkodër, në kremimtin e Meshës për Pajtoren e këtij qyteti, Zojës së Shkodrës. Shkodra është shumë gjëra për të gjithë ne e më vjen të them se është si një llojatdheu shpirtëror i katolikëve shqiptarë. Por Shkodra, me meshën e saj të parë në Varrezën e Rrmajt më 4 nëntor 1991, është edhe dallëndyshja e lirisë për popullin tonë. Ashtu sikurse vitet numërohen nga lindja e Krishtit, ashtu kjo meshë e kremtuar 25 vjet më parë nga Dom Simon Jubani, përbën ndarjen e kohës nga dimri dhe errësira e egër e një regjimi antinjerëzor, në pranverën dhe dritën e lirisë që ende po vazhdojmë të shijojmë e të ndërtojmë me shumë mund. Prandaj sonte ndjehem të them: Faleminderit Shkodër.

Le të hidhemi tani në Fjalët e Shkrimit të shenjtë për këtë festë.

Dasma në të cilën Jezusi është i ftuar në një fshat të quajtur Kanë, sikurse dëgjuam në Ungjillin e sotshëm, është rasti për të që të bëjë mrekullinë e parë në publik. Shën Gjoni Ungjilltar e quan shenja e parë. Një histori e cila bën bashkë të shkuarën dhe të ardhmen, një moment që lidh dy epoka dhe është nisja e një epoke të re, një Beslidhje të re e kjo aleancë e re ka si shenjë pikërisht një dasëm, festën e kurorëzimit të dashurisë të dy të rinjëve. Jo rrallëherë martesa, dhe gjithçka lidhet me të, ka shërbyer në Shkrimin e Shenjtë për të ilustruar marrëdhënien e njeriut me Zotin. Në këtë dasëm të re, në këtë martesë të re në të cilën Krishti është ai që jep verën, gjakun e tij me të cilin vuloset njëherë e përgjithmonë lidhja e njeriut me Hyjin, e cila do të përsoset kur Krishti të japë gjakun e  tij përfundimisht në kryq, kemi një dëshmitare të privilegjuar: Zojën, Nanën e Krishtit.

Në një moment paniku dhe vështirësie për organizatorët e dasmës, të cilëve u mungon vera e kur turpi duket së është i afërt, ajo ndërhyn pranë Birit të saj për ta zgjidhur këtë moment delikat. Në dialogun me Birin e saj ajo duket sikur dylufton e në fund fiton. Momenti i vështirë është drejt një zgjidhjeje, por ka ende diçka për të bërë. Kushti që problem të zgjidhet është që shërbyesit të bëjnë atë që i thotë Jezusi. Ja pika e parë që më duket me rëndësi në këtë ungjill: “Bëni atë që ai t’ju thotë”, pra bindja! Jeta e Jezusit ka qenë e gjitha një jetë në bindje dhe përmbushje të vullnetit të Hyjit. Misioni i tij ka qenë i tillë. Ai në jetën e vet ka parë në bindjen ndaj Atit themelin e  lirisë së tij, sepse e dinte që kjo dëgjesë do ta çonte atë drejt jetës së vërtetë. Si një hebre i mirë Jezusi ishte i qëndrueshëm në dëgjimin e Fjalës së Hyjit, në Sinagogë e në jetën e përditshme e kësaj Fjalë ai i është bindur. Zbulesa e krishterë na thotë ne që ai është vetë Fjala, Fjala që u bë njeri e banoi ndër ne. Epoka e re që filloi me Jezusin tanimë ka një Fjalë të re dhe kjo Fjalë e re është Jezusi: “Bëni gjithçka t’ju thotë”. Jezusi thotë e gjithçka ndryshon, rikrijohet sikurse në Zanafillë ku Hyji tha e gjithçka u bë. Nga ky moment nis një epokë e re, sepse Fjala është shumë afër njerëzve, është njësh me to, është midis tyre. Hyji e ka bërë të veten, ka dërguar Birin e tij, Fjala është bërë njeri e ka vendosur banesën e tij mes njerëzish. Neve tani na takon bindja. Shumë herë kemi një koncept gati-gati magjik për Hyjin nga njëra anë e herë të tjera nuk e llogarisim Hyjin në punët tona. Por nëse shërbëtorët nuk do të bënin atë që do t’u thonte Jezusi, uji nuk do të shndërrohej në verë e dasma do të dështonte. Hyji që i del përpara njeriut e që shkon drejt tij me dashurinë e tij atërore e me ndihmën e tij, nuk mund ta bëjë këtë gjë nëse njeriu nuk e pranon, nëse edhe ai nuk vendos punën e vet dhe pranimin e tij.

“Bëni gjithçka t’ju thotë” është një grishje e njëkohësisht një kusht i domosdoshëm që Fjala të zejë vend në jetën e njeriut shpirtëror. Kjo atëherë do të thotë se nuk jemi vetëm dëgjues të pakujdesshëm, por jemi edhe të dëgjueshëm ndaj Fjalës: dëgjues të dëgjueshëm. Sa herë ne pra shkojmë te Zoja për me u lutë nuk mund të mos dëgjojmë tingëllimin e Fjalëve të saj që na tregon birin e saj: “Bëni gjithçka t’ju thotë”.

Konçili II Vatikan na thotë se Maria është shëmbëllimi më i mirë i Kishës. Ja pse atëherë Kisha është ajo që, sikurse hëna, pasqyron dritën që vjen ng Krishti e ajo, pra Kisha, na çon drejt Krishtit e na fton të ndjekim atë e të bëjmë çka ai na thotë. Këto ditë të dashur vëllezër e motra Kisha është e mbledhur në Romë me Papën dhe nën Papën për të folur për një gjë shumë të rëndësishme: familja. Më duket se i shkon për shtat leximi i Ungjillit të sotshëm dhe festa që po kremtojmë kësaj ngjarje Kishtare: Sinodit për familjen.

Jemi në një moment krize e vështirësie për familjen. Ndoshta të ndryshme nga vende të tjera, por këto vështirësi po ndihen edhe këtu në vendin tonë në Shqipëri. Jemi në një moment, sikurse në dasmën e Kanës, ku diçka ka ndodhur, diçka është thyer, diçka mungon: “nuk kanë më verë”. Është thyer diçka në atë aleancë të shenjtë që është familja e cila po lëngon diku nga mosmarrveshjet familjare, diku nga dhuna e moskuptimi, diku nga fanatimzi apo emancipimi tepër i shpejtë, diku nga dhimbja e ndarjes e divorcit e kështu me rradhë. Vera është elementi që i jep gëzim, i jep hare festës e bën atë më të bukur. Por ne e dimë se vera është edhe elementi i Beslidhjes së re: merrini dhe pini ky është gjaku im. Kjo verë, ky gëzim, kjo dashuri po zbehet në familjet tona.

Kjo ndodh sepse më së pari enët janë bosh dhe e kam fjalën për atë zbrazëti ekzistenciale që jetojnë sot shumë të rinj e  të reja, mungesa e perspektivës dhe e të ardhmes, papunësia e shpesh mosbesimi që ne të rriturit kemi ndaj të rinjëve që duan të ndërtojnë familjen. Ne më të rriturit duhet të jemi pranë tyre me më shumë besim e afrimitet. Sot na kërkohet që të mbushim ekzistencat tona plot me Shpirtin e Hyjit. Uji është shenja e jetës e njerëzisë. Vetëm kur të jemi të aftë të ofrojmë njerëzinë tonë ashtu si është, do të jetë e mundur që Krishti ta shndërrojë atë e ta bëjë të aftë që të jetë e gëzueshme dhe e bukur. Nëse enët nuk mbushen me ujë (me njerëzinë tonë) nuk ka mundësi të kthehen në verë.

Familja është ajo që na gëzon të gjithëve, ajo që na mbledh e na jep ngrohtësinë. Më vjen të mendoj tani për shumë familje që këtë ngrohtësi nuk e kanë për shumë arësye, por edhe për ato familje që me shumë mund e sakrifica çdo ditë mundohen të jenë të forta, t’i kalojnë vështirësitë të lënë mënjanë egoizmin personal e të ndjejnë afërsinë e t’u dhurojnë afërsinë të gjithëve atyre që janë në familje.

Të dashur miq shkodranë, duke falendruar dom Arturin për ftesën e të gjithë juve bashkë me të, dëshiroj ta mbyll me ato vargje të Fishtës kushtue Zojës së Shkodrës. Shpresoj t’i lexoj mirë:

E kur për rreth e qark t’elterevet t’mi

Si stina e bukur t’nisë me lulzue

Fmin e Shkodranit ndiej due m’këndue n’brohori

Vedin shkodrane m’kandet me e kujtue

E m’lejoni ta them edhe për veten time për pak çaste se edhe mua: Vedin shkodran m’kandet me e kujtue!

Nga Dom Gjergj Meta / http://peregrinus.al/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.