Krenaria njerëzore e rrënon krijimin.

2282
0
Share:

Shpesh tundimi na shtyn të mendojmë se krijimi është prona jonë, pronë, të cilën mund ta shfrytëzojmë sipas dëshirës e pa i dhënë llogari askujt. Në fragmentin e Letrës drejtuar Romakëve (8,19-27), një pjesë të së cilës sapo e dëgjuam, Shën Pali Apostull na kujton se krijimi është dhuratë e mrekullueshme. Zoti e vuri në duart tona, për të hyrë në lidhje me Të e për ta pranuar vulën e planit të Tij të dashurisë, në realizimin e të cilit jemi të thirrur të bashkëpunojmë të gjithë, ditë për ditë.

Por kur pushtohet nga egoizmi, njeriu nuk ia përton të rrënojë edhe gjërat më të bukura, që iu besuan. E kështu ndodhi edhe për gjithësinë e krijuar nga Zoti. Të mendojmë për ujin. Uji është mrekullisht i bukur e po aq edhe i rëndësishëm; jep jetë, ndihmon për gjithçka, por për të shfrytëzuar mineralet, uji ndotet, ndotet krijimi, rrënohet krijimi . E ky është vetëm një shembull.

Me përvojën tragjike të mëkatit, si u prish lidhja me Zotin, e këputëm edhe lidhjen e zanafillës me gjithçka që na rrethon e nisëm ta  rrënojmë krijimin, duke e bërë skllav nënshtruar kotësisë sonë. E, për fat të keq, pasoja e gjithë kësaj, është dramatikisht para syve tanë ditë për ditë. Kur e këput lidhjen me Zotin, njeriu e humbet bukurinë e zanafillës e ia nis ta rrënojë gjithçka ka përreth: e gjithçka që së pari të kujtonte Atin Krijues dhe dashurinë e tij të pafundme, tani ka shenjën e trishtuar e të mjerë të fodullëkut e të makutërisë njerëzore.

Por Zoti nuk na lë vetëm e edhe në këtë kuadër mjeran, na hap një perspektivë të re çlirimi, shpëtimi universal. Është ai, që Pali e vë në dukje me gëzim, duke na ftuar t’ia vëmë veshin rënkimit të mbarë krijimit.

Gjithçka rënkon, ofshan e gjëmon: gjëmojmë ne, qeniet njerëzore, e gjëmon Shpirti brenda nesh, në zemrën tonë. Tani gjithë këto gjëmë nuk janë vaj shterpë, i pangushëllueshëm, por – saktëson Apostulli – mbarë krijesa gjëmon e vuan nga dhimbjet e lindjes. Është rënkim lehone!  Janë britmat e njeriut që vuan, por edhe që e di se po  del në dritë një jetë e re.

E, në rastin tonë, është me të vërtetë kështu. Ne jemi akoma pre e pasojave të mëkatit tonë e gjithçka rreth nesh ka shenjën e djersës sonë, të mungesave tona, të kufizimeve tona. Por njëkohësisht e dimë se Zoti na shpëtoi e edhe se mund të parashijojmë e të kundrojmë në veten tonë  e në gjithçka na rrethon, shenjat e Ringjalljes, të Pashkëve, që endin krijimin e ri.

Kjo është përmbajtja e shpresës sonë. I krishteri nuk jeton jashtë bote, di t’i dallojë, në jetën e tij e në gjithçka e rrethon, shenjat e së keqes. Eshtë solidar me atë që vuan, me atë që qan, me atë që përjashtohet nga radhët, me atë që është i dëshpëruar.

E i krishteri ka mësuar, ndërkaq, ta lexojë gjithë këtë gjëmë, që e tund krijimin, me sytë e Pashkëve, me sytë e Krishtit të Ngjallur. E atëhere e di se jetojmë kohën e pritjes, kohën  e një dëshire, që shkon përtej së sotmes, kohën e përmbushjes së premtimeve.

Shpresojmë se Zoti dëshiron të na i shërojë plotësisht, me mëshirën e Tij, zemrat e plagosura e të përulura dhe gjithçka që njeriu e përçudnoi me babëzinë e tij të pangopur. E se në këtë mënyrë Ai do të rilindë një botë të re e një njerëzim të ri, më në fund të pajtuar në dashurinë e tij.

Sa e sa herë, edhe ne të krishterët tundohemi nga zhgënjimi e nga pesimizmi. Shpesh shfrejmë në ankime të kota, ose heshtim e nuk e dimë as vetë çka të kërkojmë e çka të shpresojmë. Por në këto situata na vjen në ndihmë edhe një herë Shpirti Shenjt, frymëmarrje e shpresës sonë, që e mban të gjallë gjëmimin dhe pritjen.

Shpirti Shenjt shikon për ne përtej dukjeve negative të së sotmes, e na i tregon, që tani,  qiejt e rinj e tokën e re, që Zoti po ia përgatit njerëzimit!

http://sq.radiovaticana.va

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.