Papa Françesku: ta provojmë si ecet me këpucët e të tjerëve

1934
0
Share:

Të fundmit, të varfërit, të pastrehët, emigrantët, lëmosha dhe vizita e ardhshme në Milano, në qendër të intervistës së Papës Françesku, dhënë Scarp de’ tenis (Këpucë tenisi) revistë italiane e rrugës pa qëllim fitimi, e lidhur me Karitasin. Emigrantët, që arrijnë në Evropë – mendon Ati i  Shenjtë – ikin nga lufta dhe kanë të drejtë të mirëpriten e të integrohen pa getizime, me virtytin e krishterë të maturisë.

Duhet ta provojmë të ecim me këpucët e të tjerëve! Duke luajtur me emrin e gazetës, që e intervistonte, Françesku pranon se “është shumë e lodhshme të ecësh me këpucët e të tjerëve, domethënë, të vihesh në vendin e tjetrit, sepse shpesh jemi skllevër të egozimit e, përballë atyre, që e jetojnë dhembjen si mort, mjaftohemi vetëm me ca fjalë, që nuk ngrohin, as ftohin!”.

Ta provojmë si ecet me këpucët e të tjerëve! 

Nganjëherë – pohon Papa – një i krishterë, i pyetur nga kush kërkon ngushëllim, “dëgjon, por nuk kupton”. Të ecësh me këpucët e tjetrit, do të thotë shërbim, përvujtëri, shpirtmadhësi: në disa raste në lagjet e barakave  ka shumë më tepër solidaritet, sesa në lagjet e qendrës e, ndoshta – ndoshta në  lagjet  e varfëra “droga shihet më shpesh”, por vetëm sepse në lagjet e tjera  është më e maskuar e përdoret me doreza të bardha.

Të pastrehët duhen shikuar si njerëz, jo si qen

Gjëja e parë, që thotë Papa kur takon ndonjë të pastrehë, është: “Mirëmëngjes, si jeni?”. Ata – rrëfen – e kuptojnë menjëherë kur tjetri interesohet vërtet për ta. “Sepse mund ta takosh një të pastrehë e ta shikosh si njeri, por edhe si qen”. Françesku kujton se në Buenos Ajres nuk i shkoi as nëpër mend ta dëbonte një çift pa strehë, që banonte në trotuar të kryeipeshkvisë. Shumëkush thoshte: “Po na e flliqin kurien”, por në këto situata – komenton Papa – duhet pasur shumë humanitet, sepse ndyrësia është në shpirt, ndërsa këta njerëz kanë dinjitet të madh.

Lëmosha të jepet duke prekur duart e duke e parë tjetrin në sy

Ati i Shenjtë shpreh, ndërmjet tjerash, kënaqësinë e tij për mënyrën si e pritën strukturat kishtare dhe famullitë italiane, thirrjen e tij të kohëve të fundit për t’ua hapur portat të varfërve. Të japësh lëmoshë është gjithnjë e drejtë. Natyrisht nuk është gjë e mirë t’i lëshosh lypësit në shuplakë vetëm ca kacidhe e pastaj të shikosh punën tënde. Rëndësi ka ta ndihmosh atë që lyp, duke e shikuar në sy e duke ia prekur duart. E nëse beson se po ia jep të hollat një njeriu, që shkon sakaq e pi me to një kupë me verë, “bën mirë të mendosh se ndoshta pikërisht ajo kupë me verë, është e vetmja lumturi që i ka mbetur në jetë”.

Të strehohen emigranët në ikje nga lufta

Françesku rikthehet tek tema e tij e dashur e emigrantëve, “atyre, që arrijnë në Evropë për të shpëtuar nga lufta, ose nga uria”. E ne – shton – jemi në një farë mënyre fajtorë, sepse i shfrytëzojmë trojet e tyre e nuk bëjmë kurrfarë investimi, që ata të mund të fitojnë aq, sa për të mbajtur gjallë jetën. Kanë të drejtë të emigrojnë, e të drejtë edhe të ndihmohen! Por mirëpritja – porosit Papa – duhet bërë me virtytin e krishterë  të ‘maturisë”, domethënë, duke strehuar ata, që mund të strehohen numerikisht, e, sidomos, duke i integruar. Nëse emigrantët nuk integrohen, getizohen – shton Françesku – duke kujtuar rastin e atentatorëve të Zaventem, në Belgjikë, emigrantë të breznisë së dytë, të rritur në geto. Për t’u lavdëruar, sipas Papës, shembulli i integrimit dhënë nga Suedia.

Nuk kam mundësi të dal në rrugë

Papa, më pas,  flet për familjen e tij të përbërë prej emigrantësh, ashtu si pothuajse të gjitha familjet në Argjentinë, vend ku dialogu ndërfetar është ligj. Gjyshërit e mi e im atë – tregon – duhet të ishin nisur aty nga fundi i vitit 1928. I kishin prerë biletat për të udhëtuar me anijen  Princesha Mafalda, anije që u fundos në brigjet e Brazilit. Por nuk mundën të shisnin gjithçka kishin e kështu i ndërruan biletat e u nisën me anijen Jul Çesari, më 1 prill 1929. Prandaj njerëzit e mi janë atje. E kur kujtohet Buenos Ajres, Françesku  thotë: “Një gjë, që më mungon shumë, është mundësia për të dalë e për të ecur lirisht nëpër rrugë”. E në Milano, qytet që është gati për ta pritur Papën  në fund të marsit, ku ka qenë vetëm një herë në kalim Françesku shpreson të takojë shumë njerëz.

 

http://sq.radiovaticana.va

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.