Kardinal Ernesti : Kujtojuni orë e çast se jeni këtu me një mision të naltë

5921
0
Share:

Asht nji nder i vecantë sot për mue me folë prej kësaj foltoreje, dhe me ju drejtue ju, përfaqësuesve të popullit shqiptar. Ashtu sic asht nji nder i pashoq me përfaqësue dhe me folë në emën të Kishës katolike shqiptare.
Nuk kam ardhë këtu me ju msue asgja të re, por kam ardh ma se parit me falenderue atdheun e të gjithë popullin pse mbas nji rrebeshi prej gadi pesë dekadash që i shkaktoi vuejtje e mjerime Kishës katolike, ma në fund gjeti forcën e duhun shpirtnore me ua njohtë vlerat bijve e bijave të tija që për me ruejt lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e besimit nuk I ranë mohit Zotit dhe nuk e braktisën popullin e tij.
Jam i fundit dëshmitar i nji brezi klerikësh katolikë që vuejten dhe u persekutuen. Tue më ba Kardinal, Papa Francesku nuk më nderoi mue por nderoi gjithë Kishën katolike shqiptare e mundësisht të gjithë popullin shqiptarë.
Ne, kemi punue me të gjitha forcat për ngritjen morale dhe kulturale të shqiptarëve, e edhe atëherë kur s’kemi pasë mjete tjera, kemi gjetë fjalë ngushëlluese dhe s’i kemi lanë vetëm ma të vogjlit dhe ma të vorfnit. I këmi shërbye këtij populli dhe kemi dëshmue me gjakun tonë se i përkasin atij dhe nuk ligshtohena edhe në orën ma të vështirë. Ky popull ka nda kashatën e gojës me ne, na ka ndihmue aq sa ka mujtë dhe na ka qëndrue afër. .
Të dashtun vllazen e motra,
Po ju them se ne si Kishë katolike do të jena si gjithmonë në parimin e bashkëpunimin me gjithë forcat politike dhe shoqnore që kanë me punue për zhvillimin dhe përparimin e Shqipnisë demokratike dhe sovrane.
Do të mbështesim gjithmonë zhvillimin e kulturës së vërtetë dhe s’do të reshtim tue punue për me i përkit familjes së përbashkët europiane, vlerat ma të kullueta të së cilës kemi kontribue edhe ne me I formue ndër shekuj.
Jam këtu me ju kujtue përvujtërisht ju, përfaqësuesve të këtij populli:
Kujtojuni orë e cast se jeni këtu me një mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit, mos e leni mbas dore asnji cast popullin tuej, e mos lejoni që përplasjet tueja politike, edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën për pushtet por vetëm problemet e popullit shqiptar.
Jemi një komb ku jetojnë vllaznisht besime të ndryshme fetare, të barabarta para ligjit e të gjitha me detyrën e shenjtë me i shërbye Zotit dhe idealeve tona kombëtare. Nuk due me folë për tolerancë por për vllaznim, që asht ma tepër.
Ta kultivojmë pra vllazninë ndërfetare, besimi i vërtetë në Zotin dhe liria na ndihmojnë me gjallnue ma fort vlerat e solidaritetit dhe të ndihmës ndaj të gjithë atyne që shoqnia i ka lënë mënjanë.
Krishti, tue marrë shëmbëlltyrën njerëzore ka lindë në nji votër të vorfën prej Marisë dhe shpirtit shenjt. Kujdesin ma të madh ai e ka pasë për të vobektit, për të sëmurët, pë rata që vuejnë padrejtësisht dhe pë rata që pendohen dhe duen me ndërrue rrjedhën e jetës së tyre.
Mos ti lamë mas doret të gjitha këta, pse shkalla e qytetnisë së nji kombi matet edhe prej kujdesit që ai tregon ndaj këtyre kategorive. Për ju un kam vetëm nji porosi atnore: Krishti ka shtru parimin hyjnorë të pavdeksisë së shpirtit: Cfarë të vlen o njeri? Po fitove edhe të gjitha pasuritë e botës në qoftëse humb shpirtin. Pra të përpiqemi ti shërbejmë me të gjitha forcat shërbimit hyjnor që të fitojm lumturinë e parrizit.
Po hyjmë në vitin 2017 viti i triumfit të zemrës së papërlyer të Zojës së bekuar, nanës se Krishtit që na fton të lutemi për paqen, vëllazërim, dashuri e lumturi.
Ju të nderuar deputetë të përpiqeni që të gjithë së bashku, cdo njeri në Shqipëri duke shikuar në sytë tuaj të shohë begatinë, drejtësinë, bujarinë e bekimin hyjnor.
Qëndroni më afër problemeve të popullit shqiptar, bani që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim, e vetëm atëherë keni me pasë respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë besuar tek ju.
Zoti e bekoftë Shqipninë dhe shqiptarët, Zoti bekoftë familjet tueja.
Kardinal Ernest Troshani

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.