Kardinali Amato: Në martirët shqiptarë Kryqi, i ngulur nga shtrëngata komuniste, sot buloi rishtas e në rremat e tij rinisi të ndjehet ringjallja

975
0
Share:

Në Shkodër, atmosferë pritjeje për kremtimin e madh të nesërm, në orën 10.00 me Meshën dhe ritin e Lumnimit të 38 martirëve shqiptarë, viktima të diktaturës. Do ta kryesojë Prefekti i Kongegatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, në bashkëkremtim me episkopatin e Shqipërisë, të Kosovës, të Malit të Zi e të Diasporës. Në këtë atmosferë, Shkodra sot përkujtoi 26-vjetorin e Meshës së parë, kremtuar më 4 nëntor, nga dom Simon Jubani në varrezat katolike të Rrëmajit. Siç dihet, i dërguar i Papës në kremtimin e jashtëzakonshëm të Lumnimit, do të jetë pikërisht kardinali Angelo Amato.

1. Hirësi, të shtunë, më 5 nëntor, në Shkodër të Shqipërisë do të lumnohen 38 martirë. Eshtë fjala për një grup të shumënumërt, në të cilin bëjnë pjesë edhe dy ipeshkvij e, me ta, 21 priftërinj dioqezanë, shtatë Fretër të Vegjël Françeskanë, tre Jezuitë, një seminarist e katër laikë. Ndërmjet tyre, edhe një dëshirtar për jetën rregulltare. Por, çka ndodhi ndërmjet viteve 40-90 të shekullit të kaluar në Shqipëri?

Në këto vite këtu u vendos diktatura më e egër komuniste, që nisi një sulm të pashembullt mbi çdo shprehje të fesë. Shqipëria ishte i vetmi shtet në botë që u shpall ateist. E edhe sulmi qe i përgjithshëm, pa shumë dallime, mbi katolikët, ortodoksët e myslimanët. Katolikët u vunë posaçërisht në shënjestër për shkak të përgatitjes së tyre kulturore e të identitetit të fortë fetar.

2. Ç’mund të na thoni për të Lumët të rinj?

Ndonëse në ferrin e një persekutimi të tmerrshëm e të padrejtë, martirët shqiptarë iu përgjigjen armiqve, ashtu si do t’u ishte përgjigjur vetë Krishti: me falje, me ndershmëri, me qëndresë, me vëllazëri, me mëshirë. Ata janë dëshmitarë të njerëzimit të ri, që nuk e mbjellin historinë me luftëra, përçarje e vrasje njerëzish të pafajshëm, por me paqe, gëzim, vëllazërim, duke lartuar talentet e vërteta të njeriut të krijuar – siç këndon Poeti i madh Dante: “Jo për të jetuar si stihi, por për të ndjekur virtyt e dijeni”.

3.  Shumëkush, gjatë kësaj stuhie poshtërimi e gjaku pati pyetur: “Ku ishte Zoti?”

E kësaj pyetjeje i përgjigjen vetë martirët, kur bëhet fjalë për heshtjen e Zotit. Në të vërtetë martirët shqiptarë u kujtojnë të gjithëve se Zoti nuk mungonte. Ishte me ta. Jezu Krishti jetonte në martirët shqiptarë. Ishte  pranë tyre në mundime, pranë tyre kur ngjiteshin në Kalvar. Mundohej me ta, qante me ta. Në martirët shqiptarë Krishti rijetonte martirizimin e vet; në vdekjen e tyre, vdekjen e vet. Jezusi ishte pranë dom Lazër Shantojës, kur e pushkatuan në Tiranë, më 5 mars 1945; ishte pranë dom Ndre Zadejës, kur e qëlluan për vdekje në Shkodër, më 25 mars 1945. Ishte pranë atë Gjon Faustit e Danjel Dajanit, pranë françeskanit Gjon Shllaku e seminaristit Mark Çuni; të riut 21 vjeçar Gjelosh Lulashi e babait të familjes, Qerim Sadiku, më 4 mars 1946, në orën tragjike të pushkatimit. Krishti ishte aty, për t’i përforcuar, për t’i ngushëlluar. Ndryshe si do të kishin mundur të qëndronin në atë orë aq të ogurzezë?

4. A mund të na kujtoni ndonjë episod posaçërisht mizor?

Torturat që pësuan martirët ishin të parrëfyeshme. Posaçërisht kriminale qe, për shembull, vrasja e imzot Frano Gjinit, ipeshkëv i Shkodrës pas shërbimit në Abacinë Nullius të Mirditës, i ngarkuar nga ipeshkvijtë katolikë të dialogojë me regjimin në fuqi. Imzot Gjini u arrestua dhe u akuzua për propagandë anti-komuniste, u torturua e u la pa ngrënë e pa pirë deri në humbjen e ndjenjave. I varur mbi një dru në oborrin e Sigurimit, u rrah me shkop e më pas u flak në gjiriz. Së fundi u pushkatua më 8 mars 1948 së bashku me 18 priftërinj e laikë të tjerë. Ky guxim mbinjerëzor ishte fryt i hirit të Krishtit, që mbështeste një martir në mundimet e  padurueshme të torturës.

5. Ç’kuptim ka sot dëshmia e tyre për Kishën shqiptare?

Duke falënderuar Provaninë Hyjnore, druri i Kryqit, i ngulur në rrugën  e rrahur nga shtrëngata komuniste, sot buloi rishtas e në rremat e tij rinisi të ndjehet ringjallja, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar e të ngjallur, Kisha – që nuk e harron fjalën e Zotit: “Nëse më persektuan mua, do t’ju persekutojnë edhe ju”(Gjn. 15,18-20) – pas shtypjes rilindi edhe më e shkëlqyeshme se më parë, e fuqizuar edhe nga dëshmia e bijve të saj martirë.

6. Si shpjegohet kjo ringjallje e fesë?

E dimë se feja në Shqipëri nuk u shua kurrë. Kur mungonin meshtarët, fëmijët i pagëzonin vetë prindërit, e po prindërit u jepnin mësimet e fesë e u bekonin martesat. Njerëzit nisën ta thonë gjithnjë më shpesh Rruzaren. Fshehurazi, natyrisht. Kur i merrte malli për të parë kryqe e figure, vizitonin muzeun ateist. Shpesh shkonin në kishat e shndërruara ose të rrënuara, për t’u lutur. Pashkë e Këshndella vijonin të kremtoheshin me të njëjtin devocion, ndonëse pa Meshë e në fshehtësi të plotë. E ndaluar edhe t’i vihej fëmijës emër i krishterë. Qeveria kishte nxjerrë një listë të posaçme me emrat e lejuar. Atëherë besimtarët mundoheshin t’i përshtasnin emrat e shenjtorëve, me ato të listës. Kur retë e zeza të terrorit u davaritën më 1990, njerëzit rifilluan të uronin njëri-tjetrin me buzë në gaz: “Për shumë mot Pashkët!”. U mbyll muzeu ateist në Shkodër. E, më 4 nëntor të vitit 1990, u kremtua një Meshë në kapelën e varrezës shkodrane të Rrëmajit, pasuar nga Mesha e madhe e 11 nëntorit, me pjesëmarrjen e më se 50 mijë vetëve. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Kisha shqiptare me ipeshkvijtë e saj, me meshtarë e besimtarë, është si një rrap madhështor shumëshekullor, që nuk e shkulin dot shtrëngatat e historisë, por vijon t’i shtrijë rrënjët e veta në fenë e Krishtit.

7. Si duhet reaguar sot përballë prapësive të diktaturave çnjerëzore e gjakatare?

Duke bërë tonat fjalët e Papës Françesku: “Nuk duhet t’i harroni plagët, por nuk duhet as të merrni hak. Shkoni përpara e punoni me shpresë për një ardhmëri të ndritur!”.

 

http://sq.radiovaticana.va/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.