Kishë-xhamia në Rozafat dhe “ekstremizmi” imagjinar i prof. Xhufit.

1508
0
Share:

Në debatin e hapur prej mbas 26 dhjetorit të vitit të shkuar për kishë-xhaminë në Kështjellën e Rozafatit e që po vijon  ende, janë shpërfaqur aryetime gjithfarësh e janë improvizuar gjithfarë insinuatash, gjithashtu. Fakti , përreth të cilit kanë gjalluar të gjithë elementet e debatit ka qenë Mesha e dhënë  aty në ditën e shënuar të Shën Shtjefnit- pajtorit të qytetit të Shkodrës, nga famullitari i radhës i Shkodrës, don Artur Jaku. Ky ritual i përvitshëm ka zënë fill qysh në fillimet e periudhës post ateiste, në vitin 1995, në kohën kur Arqipeshkëv i Shkodrës ka qenë Imzot Frano Ilia, tash në amshim dhe ç’prej asohere vijon pa ndërprerë. Bëhet aty një meshë përkujtimore, në rikujtim e nderim të kohës para rënies së Shkodrës, nën pushtimin osman, më 1479, kur objekti në fjalë  ishte kisha e Shën Shtjefnit. Që prej asaj kohe e mbas kisha u kthye në xhami dhe  këtë  akt e pranojnë të gjitha palët ndërdebatuese si të vërtetë historike. Dëshmitë e argumentuara vijnë , më së pari prej studiuesve seriozë: Theodor Ippen në “Shqipëria e vjetër”, të tjerë më pas e deri tek Aleksandër Meksi :”Arkitektura e kishave të Shqipërisë në shek. VII-XV. Të njëjtin fakt e pohon edhe prof. Pëllumb Xhufi, studiuesi dhe njohësi i specializuar i Historisë së mesjetës në një shkrimin e vet të para dy ditëve. Më pas, kur prof. Xhufi merr pësipër të japë drejtësi ndër palët debatuese, sipas gjykatores së vet, arsyeton: “Sigurisht, meriton vlerësim qëndrimi i matur i komunitetit mysliman të Shkodrës dhe i vetë myftinisë, që nuk i janë përgjigjur provokimit të ndonjë famullitari ekstremist, i cili mendon se jeton në epokën e kryqëzatave dhe çdo 26 dhjetor u prin besimtarëve në një ritual grotesk, që zhvillohet në rrënojat e kishës xhami…”.

Këtu më duket se profesori i nderuar ngutet paksa. Mesha e shenjtë, sikurse çdo ritual lutjeje o bëhet o nuk bëhet; groteske assesi nuk mund të jetë. Një shëmbëllim i tillë për ritualin e përmendur mund të shfaqet vetëm i vështruar së jashtmi  nga një jobesimtar a më saktë një ateist, i cili çdo akt të tillë e percepton dhe e përjeton të papërputhshëm me bindjet dhe ndjesitë e veta.Ateisti, në rastin në fjalë, sikundërse prof. Xhufi pohon të jetë. Natyrisht, e drejtë e respektuar dhe e patjetërsueshme e tij dhe e cilitdo, që ka zgjedhë të jetë i tillë. Por që nuk do të thotë asesi se perceptimet e tua janë gjithnjë e vërteta. E aq më tepër t’u imponohen të tjerëve si të tilla.

Ndërsa gjykimi, të cilin profesori ka marrë përsipër të bëjë, duket se rëndon  fort mbi njërën palë, ndoshta edhe pse  ai është i paazhornuar me të vërtetat më të fundit që lidhen me rastin që merr në analizë. Dom Artur Jaku, famullitari, pohon në krye të herës se për veprimtarinë ka marrë lejen e institucioneve shtetrore. Të atyre institucioneve që kemi dhe, unë mendoj se për shumëçka, zyrtarët tanë të institucioneve të kulturës meritojnë të qortohen pa dhimbë, por jo si neofit (rishtar në besim) që si të tillë favorizokan ndonjerin besim në kurriz të tjetrit, siç don të thotë prof. Xhufi

Njëherësh famullitari në fjalë, siç ai vetë e ka pohuar , ka komunikuar me  Myftinë e Shkodrës, Z.Muhamed Syrtari , duke i a theksuar atij se, prej Kishës Katolike  nuk ka pasë e nuk ka asnjë pretendim  e se prej saj s’janë kërkuar kurrfarë tagrash pronësie mbi objektin në fjalë, në emër të komunitetit katolik, tashmë Monument kulture.

Kërkesa e vetme ka qenë kjo që aty të bëhet një vizitë e pelegrinëve të besimit katolik ,në një ditë të shënuar, që përsëritet njëherë në vit, sigurisht me njetin e dëshirën e secilit që e dëshiron një gjë të tillë dhe për to të thuhej një meshë. Madje e ka ftuar Myftinë që , nëse dëshiron, mund të shkojmë dhe të kryejmë së bashku lutje në objektin e sipërpërmendur. “Një meshë, një koncert, një aktivitet kulturor, një moment lutjeje nga të gjitha komunitetet nuk e dëmtojnë këtë monument, përkundrazi i japin një vlerë të rëndësishme për kombin tonë.”- është shprehur publikisht  famullitari, don Artur Jaku. Dhe , mua më duket, se kurrfarë mujsharie nuk ka këtu.(mujshar-që përdor forcën për të shtërnguar një tjetër të bëjë diçka, që shpërdoron fuqinë a pushtetin për të sunduar me dhunë mbi të tjerët ose për të bërë atë që do vetë; dhunues. fjalori i Gjuhës së sotme shqipe, Tiranë 1980).

Shkodra vetë është një qytet homogjen, dallueshëm si i tillë me rrënjë të thella qytetrimi, dhe aty ruhen vetvetishëm disa ekuilibra, që nuk mund të shprishen ashtu lehtë dhe turravrap sa herë ndodh ndonjë gricje, qoftë ajo e pëmrbrendëshme apo e stisur nga rrethana e faktorë jashtëqytetarë. Shembuj ka plot përgjatë historisë së qytetit, por meqë jemi në të sotmen, nuk është i largët për t’u sjellë në vëmendje rasti i meshës së parë parë në kapelën (kishën e varrezave) e Rr’majit, vjeshtën e vitit 1990, ku në bashkëthyerjen e frikës prej rregjimit kundërfe që po ikte kanë qenë së bashku katolikë e myslimanë, sikurse një javë më vonë, në rihapjen e xhamisë së Plumbit, gjithashtu kanë qenë vëllazërisht bashkë myslimanë e katolikë.

Kishë-xhamia dhe Kështjella e Rozafatit, brenda  së cilës ajo është, përbëjnë sot një Park arkeologjik dhe si i tillë ai vizitohet prej cilitdo turist a pelegrin, besimtar a laik, shqiptar a i huaj qoftë. Prej aty kundrohet ai peisazh i mrekullueshëm e i papërsëritshëm , dhuratë kjo e mahnitëshme e Zotit, si bekim i qytetit. Dhe sa më shumë vizitorë, aq më i përmbushur do të qe si institucion, aq më i dobishëm për kulturën tonë kombëtare, monumentet e së cilës vuajnë mungesën dhe jo teprinë e vizitorëve.Pa përjashtuar a anatemuar askënd. Madje shumë më i dobishëm se debati, që më shumë vjen si artific, në të përditëshmen halleshumë të qytetarit shqiptar sot.

”Qëndrimet a sjelljet e famullitarit Jaku, apo ,në përgjithësi të klerit katolik (që s’më bëhet mbarë ta quaj “shqiptar”, për sa kohë hierarkia e tij është e zënë nga klerikë të huaj) do të ishin një precedent e një shembull i keq edhe për drejtuesit e komuniteteve të tjera fetare”, shkruan në artikullin e tij profesor Xhufi.

Më së pari do të duhej  sjellë në vemendje  një e vërtetë e njohur , që profesori e di më mirë se shumëkush se Kisha Katolike është universale, sot e  që prej zanafillës, status i cili nuk i përjashton klerikët jo shqiptar të jenë në hierarkinë e Kishës në Shqipëri. Po  njëherësh do saktësuar një pohim jo i saktë në kumtin e mësipërm, se numerikisht vetëm diç  më pak se gjysma e ipeshkvijëve të Shqipërisë janë jo shqiptarë. Sikurse edhe në Romë sot shërbejnë klerikë shqiptarë, si bie fjala dom Marjan Paloka nga Kallmeti i Lezhës e të tjerë. Asnjë dëm nuk i ka ardhur Shqipërisë prej klerikëve katolikë jo shqiptarë. Përkundrazi…Korpusi i veprës së At Giuseppe Valentinit, është një fond i çmuar i filologjisë shqiptare, At Lorenzo Viezzoli, posë të tjerash i lë shkollës shqipe një tekst mësimor “Shqypnia-gjeografi dhe shtetistikë”, që edhe pse hartuar në vitet ’20 të shekullit të shkuar, si tekst mësimor për shkollën e Jezuitëve, është i lakmueshëm edhe sot për nga saktësia shkencore dhe skrupuloziteti i studimit; Fulvio Cordignano një fjalor italisht-shqip dhe shqip-italisht, fort i çmuar shumë edhe sot, Giacomo Junchu, një gramatikë të gjuhës shqipe, Lovro Mihaçeviq, një studim etnografik që rrok trevat shqiptare prej Ulpiane (Prishtinë) e deri në Prevezë… e sa e sa. Kurse shembulli i martirizimit këtu në Shqipërinë tonë i At Giovani Faustit dhe Dom Alfons Trackit e dom Jozef Marksen, shpallur të Lumë prej Papa Françeskut, bashkë me 35 martirë të tjerë shqiptarë janë veçse shembull dhe ftesë nderimi e adhurimi, jo vetëm për komunitet e tjera fetare, por për shqiptarët mbarë…

Nga Frano Kulli

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.