Kreshmet: ecje drejtë Lirimit!

233
0
Share:

Nga Dom Vlashi

Shën Antoni Abat thoshte: “Ka nga ata që keqtrajtojnë trupin gjatë pendesave kërkimtare, por që kështu largohen nga Zoti. Ai që do të farkëtojë një copë hekuri, më parë duhet të dijë mirë se çfarë do të arrijë; një drapën, një shpatë apo ndoj gja tjetër. Gjithmonë duhet të dimë se çfarë virtytesh synojmë, në menyrë që sakrifica jone të mos jetë e kotë”.

Dje mbas meshe, Kohë Kreshmesh, një i ri erdhi me më taku dhe më bani këtë pyetje: “Të ndigiova ndërsa predikoje për Kohën e Kreshmeve; si kohe lutjeje, agjërimi dhe lëmoshet. Çfarë duhet të baj konkretisht për të zbatu këto tre parime feje?” Pyetja mu duk shumë impenjative. Prandaj gjatë atij takimi të rastësishem, pas meshës, nuk mund t’i përgjigjesha. Tuj qesh, i thashë se do të mundohesha t’ia shpjegoja, gjatë ktyne shtatë javëve që i paraprijnë festës së Pashkës. Vërejta se përgjigjja ime nuk la një shije të mirë tek ai i ri. Mbas pak i thashë: “Më jep pak kohë!”

Spontanisht, si mendim i parë, më erdhi ta imagjinoj kohën e Kreshmëve si një kohë e priviligjume për të njoft Krishtin, nëpërmjet misterit të Mundimeve, të Vuajtjes e të kryqëzimit. Asnjë e vërtetë e madhe, cilado kjoftë ajo, nuk mund të arrihet pa sakrificë të madhe. Mendoni për të gjithë ata që u sakrifikune për të pa një ditë të lirë! Sa të shumtë janë ata që kanë arrit të kenë diçka të ashtuqujtun liri, por vazhdojnë e sakrifikojnë për ta ruajt atë! Sa shumë luftohet për me arrit paqe…! Paradoks i madh; të luftohet për me arrit paqe! Prandaj, të hysh në brendinë e misterit te Vujtjeve të Krishtit kërkon sacrificë, por asht një sakrificë që sjell  paqen e brendshme, të cilën asgja nuk mundet me e largu ma.

Thuhet se shqiponja asht shpendi më jetëgjatë. Mund të jetojë deri në 70 vjet. Por që t’ia arrijë kësaj moshe, shqiponja duhet të marrë një vendim të vështirë. Kur i mbush katërdhjetë, me kthetrat e saj të gjata dhe elastike, nuk mund të gjuaj ma çka do të thotë se nuk mund të ushqehet (po s’gjuejti, s’ka me çka!) Skjepi i saj i mprehtë dhe i fortë bahet shumë i përkulshem. Krahët e saj të rënde dhe të vjetër, për shkak të pendeve të shpeshta, i njiten mbas gjoksit, gja që ia pengon fluturimin.

Atëherë, shqiponjës i mbeten vetëm dy mundësi; të lejojë deken me e marrë ose të kalojë nëpër një proces të dhimbshem ndryshimesh që zgjatë 150 ditë. Nëse ajo vendos të sakrifikojë për të jetu, i duhet të fluturojë drejt bjekshkëve të nalta dhe të ulet në fole. Aty shqiponja skjepton me skjepin e vet mbi gur, derisa skjepi i bjen. Ma pas, shqiponja pret t’i rritet skjepi i ri. Mandej, me skjepin e ri, shkulë kthetrat e vjetra. Kur i rriten kthetrat e reja, shqiponja fillon t’i shkulë me skjep pendët e krahëve të saj të randum dhe të vjetërum. Dhe kështu, mabs pesë muejsh, shqiponja nis fluturimin e ri të jetës së re dhe jeton edhe 30 vjet të tjera.

Çfarë sakrifice! Por, kështu ndodh edhe me ne. Nganjëherë në jetë, gjendemi përballë sfidës; ose duhet të ndryshojmë, ose duhet të zvarritemi për të mbijetu. Heronjtë kurrë nuk pranojnë ta zvarrisin lirinë. “Njerëzit e mëdhenj”, edhe pse çdo njeri asht i madh në planin e Zotit, na kanë mësu se asht mirë të rrezikohet çdo gja e deri tanishme, për diçka prap edhe ma të madhe.

Asht e nevojshme të lirohemi nga ndjenjat e vjetra, nga ndjenjat e çrregullta, nga ndjenjat e dyshimta; nga veset, zakonet e së shkumes; nga kujtesa e keqe, nga ankthi i gjanave të shumta, nga stresi i së përditshmes, nga frika e së ardhmes. Vetëm atëherë kur do arrijmë të lirohena nga barra e randë e së kaluames mund të jetojmë mirë të tashmen e të shpresojmë për të ardhmen. Duhet pranu se një proces i tillë nuk asht i lehtë, përkundrazi asht i dhimbshëm dhe shumë i veshtirë, por ia vlen. Ia vlen që të sakrifikosh 150 ditë, për të jetu 30 vjet ma pas. Ia vlen të sakrifikosh 40 ditë të Kohës së Kreshmëve për të ndryshu, sadopak, brendinë tonë, për të arrit, kjoftë edhe pak, liri të brendshme e për të shpresu ma shumë në jetën e në Krijuesin e saj. Më besoni se asht shumë e randësishme, për një jetë të jetume mirë, të stabilizohet një kohë e mjaftueshme për të analizu raportin tonë me Zotin, me tjetrin ose me veten. Mund të filloni edhe nga vetja e mandej, të shihni raportin me Zotin.

Asht gjithmonë urgjente të dimë nëse jemi realisht të lirë në shpirtin tonë. Shpesh nuk e dimë. Shpesh mendojmë se jemi të lirë, mbasi tendenca për të justifiku çdo gjë tonën asht tipike e egos njerëzore. Prandaj, në të tilla raste, kur jena të paqartë, duhet të stabilizojmë një kohë për veten dhe vetem me veten. Kohë për shqyrtim, kohë për të kuptu nëse jemi të lirë.

Njëherë, një i ri nuk dinte nëse ishte i lirë apo jo. Pyeti gjithandej për të kuptu dhe askush nuk mundi ta ndihmojë në kete iniciativë. Dikush i tha se kishte dëgju për një njeri të urtë që jetonte në vetmi, larg qendrave të rrëmujshme dhe se ndihmonte shumë njerëz për të gjet ritmin e jetës. Ky i ri, menjëherë, u nis për të gjetë atë njeri të urtë dhe kur pas shumë kohësh e gjeti, i tha: “Mesues! Kam dëgju se ke ndihmu shumë njerëz, prandaj dua të di; çka duhet të bëj për të qenë i lirë?”

I urti, mbasi u përqendru për një çast dhe gërvishti lehtë token me një shkop të vogel që kishte në dorë, iu përgjigj: “Nëse  do të jesh i lirë, shko në vetmi dhe shiko se çfarë të pengon!”

Me kaq përfundoi përgjigjja e tij, por që e zhgënjeu krejtësisht të riun dhe ashtu i zhgënjyer shkoi i vetmuar, duke i mbetur mendja te përgjigjja zhgënjyese. Mendoi shumë, ashtu në vetmi dhe vendosi të kthehet tek i urti për t’i thënë se ishte i lire. Dhe ashtu bëri. Kur u gjet përballë të urtit, i tha plot frikë: “Kam mendu shumë mbi atë që më pengon të jem i lirë, por nuk kam zbulu asgja.” Atëherë  njeriu i urtë, i tha: “Meqë asgja nuk të pengon të jesh i lirë dhe je aq i sigurtë për këtë, atëherë pse erdhe tek unë?”  Mjaftoi kaq, për të kuptuar se nuk ishte i lirë dhe se kishte nevojë të zbulonte se çka e pengonte.

I dashtun Kristian, ka shumë të rinj si ti, që më pysin se çfarë duhet të bajnë për t’u  lidh me atë që na mëson Kisha. Por unë e kam të veshtirë t’i mësoj njerëzit se çfarë duhet të bajnë. Ma shumë më pëlqen të flas për lirinë, sepse kur njerëzit dojnë të jenë të lirë, siç na mëson Jezusi, do të dinë vetë se çfarë duhet të bajnë. Mandej mos harro kurrë, se ata që duan të dinë mbi agjërimin, janë pikërisht ata që agjërojnë, jo vetëm gjatë kohës së Kreshmëve, por gjatë gjithë vjetit. Çka më sugjëron ti, t’i them të agjërojë atij që vuan të gjejë një punë, e cila i siguron pak të ardhura për të mbajtë familjen? Janë të shumtë edhe ata që kanë një punë, por edhe nëse e kane sa, janë ata që rroga nuk iu mjafton për të mbajt familjen? Çfarë mund t’i them të agjërojë asaj studentes së periferive apo të zonave të thella, që gjatë gjithë kohës ushqehet me dy byrekë apo me pak oriz? Çfarë duhet të agjërojnë ata, që me shumë vështirësi sakrifikojnë për shkollimin e fëmijëve të tyne? Ka të tjerë që nuk mund të hanë pak mish, sepse nuk kanë dhambë per të hënger apo se fiziku i tyre i brishtë nuk pranon aspak kolesterol. E atyne që u duhet të agjërojnë, sepse nuk kanë asnjë familjar në emigrim, që t’ u sjellë sadopak para? Çfare t’i them të agjërojë atij të riu, që për të blerë një xhiboks të mirë, për të mos u nda shokësh dhe për të mos u klasifiku si një i prapambetun i modës, i duhet të kursejë e pastaj i kalon dita me një pilaf te “Puri”? Sa të shumtë janë ata punëtorë ndërtimi që, në strajcën e tyre të varfën në ushqim , aty mbi kantierin e ndërtimit e të betonit, ulen përtokë e hanë pak bukë, si të ishte kohë luftërash! Edhe këta duhet të agjërojnë?!  Prandaj, këtyre nuk mund t’u thush; agjëroni, mos hani mish apo rrini pa hangër! Nga ana tjetër, nuk jam dakord që të thuhet se këta nuk kanë çfare të agjërojnë. Përkundrazi, çdokush duhet të agjërojë!

Ka vend të agjërojmë nga smira që kemi për atë tjetrin, që ka një jetë ndoshta më të lehtë. Të agjërojmë nga të gjitha ato situata, kur të mendojmë se jeta varet nga logjika  e mikut të fortë! Të agjërosh nga  gjithë ajo kohë që kalon duke parë televizion! Të agjërosh nga të gjitha ato telenovelat turke, mbasi “telenovelen” e tyre e pamë për 500 vjet! Të agjërojmë nga celulari, që fatkeqësisht, qysh se u rrit mundesia me kontaktu me miqtë, aq më shumë u ftohem mes nesh, dhe po aq ma pak takohena! Të agjërojme nga lakmite e ndryshme!

Të agjërosh kapjen pas formave të pandershme, thjeshtë për të pasë pak lekë! Të agjërosh shkuarjen pas personave të pasun, thjeshtë si leckë dhe pa asnjë dinjitet për faktin se ai ka, edhe pse nuk dihet se si i ka! Të agjërosh nga ideja e një jete luksoze! Të agjërosh nga mënyra se si dukesh, se si mbahesh, sidomos në ato raste shfrenie aparence, që nuk korrespondon me thjeshtësinë e pallatit tand të ndërtuar gjatë komunizmit! Të agjërosh nga gjithë ajo kohë e humbun kot dhe nga mungesa e dëshirës për me gjet një kohe lutjeje, takimi shpirtëror me Zotin! Të agjërosh nga gjithë ajo kohë e humbun në celular e të gjesh kohë të mësosh një gjuhë të huaj, një instrument muzikor, të lexosh një liber apo të takohesh me një njeri të urtë! Të mësosh të vendosësh diçka mënjanë, për atë që ka nevojë, të mësosh me ofru pak nga koha jote, me bashkënda bukën, miqësinë, sinqeritetin!

Një i ri shkoi dhe e pyeti një të urtë: “Çfarë duhet të bëj?”  I urti i tha: “ Kur të takosh Zotin, kerkoi së pari se për çfare duhet të shqetësohemi?”.

Mendoj se për mëkatet tona, si fillim!” – u përgjigj i riu.

Pas kesaj i urti i tha: “Shko në dhomën tënde dhe mbylle derën, kujtohu për mëkatet tua dhe do të vëresh se Zoti do të bashkohet me ty në çdo gja!”  

Do të ishte ma mirë me hanger mish dhe me pi venë, sesa me gëllabëru me shpifje mishin e vëllait tand! Asnjë nuk mund të arrijë virtytin pa u lodh; edhe po kje se e arrin ate, nuk do të arrijë ta mbajë. Në fakt, atyne që kajnë dhe kanë uri u asht premtu Mbretnia e Qiellit. (cf. Mt 5,3-4.6)”.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.