KUR VENEDIKU PËRDORTE SHKODRËN SI IMAZH – Nga LUCIA NADIN

1486
0
Share:

Rezistenca heroike e Shkodrës dhe Drivastit, në mësymjen e famshme të 1478 është e njohur mirë falë rrëfimit të Marin Barletit dhe prej këtej u bë e njohur në të gjithë Evropën. Ajo, bashkë edhe me jetën e Skënderbeut, ka qenë në bazë të përmbledhjeve të llojeve të ndryshme në shekujt që vijuan e pastaj u përçuan në veprat artistike etj. Edhe në Itali, gjatë viteve 800, ajo mësymje inspiroi, midis të tjerëve, litografin Antonio Lanzani-n, për të cilin kam gjetur rishtas një stampë të ruajtur në Muzeun Correr të Venecias (në të njëjtin muze ku ruhen edhe Statutet e Shkodrës): gdhendje mbi punën e Cosroe Dusi, që “risjellin” në një kontekst të atyre viteve, eventet, që lidhen me pushtimet otomane. (shih fig.1)

Por Marin Barleti, dihet se tregon mësymjen e 1478, në të cilën ai vet kur qe i ri ka marrë pjesë dhe e fut në një kuadër më humanist, por është teksti De Obsidione Scodrensi i 1504, i publikuar nga Bernardino Vitali, që tregon më shumë. Në kujtimet e Barletit u bashkuan, padyshim, dhe ndodhitë e mësymjes së parë, por De Obsidione është një monument i rezistencës së fundit të qytetit të tij, para se interesat veneciane tu dorëzonin qytetin turqve.

Historiografia veneciane, në të kundërt, pikërisht për të errësuar ose për të çngjyrosur ato interesa dhe përmbylljen jo “heroike” te konfliktit të gjatë të luftës, ishte plot e për plot me detaje në lidhje me mësymjen e parë të Shkodrës, që u mbyll, siç dihet, në vjeshtën e 1474 me një fitore të madhe Shkodrano-Veneciane. Në atë kohë kur mbrojtja ushtarake ishte e drejtuar nga Antonio Loredan, ngjarja pati një jehonë të gjerë dhe u përcoll e gjitha shpejt në festimet mitike të Republikës, edhe pse aty mori pjesë Pietro Mocenigo, një personazhi që pak kohë më vonë do të zgjidhej Dozhë i Venecias (Doge di Venezia). Pra ishte akoma shumë në interesin venecian të përfshihej një Dukë në një beteje që më pas do të mbetej në kujtesë, si një nga eventet më të mëdha te historisë së Shtetit te Detit.

Drejt Shqipërisë

Pra jemi në vitin 1474, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut dhe ushtria otomane, duke ngjitur Shqipërinë në veri, e përqendron sulmin mbi Shkodrën.

Lajmet se çfarë po ndodhte ne tokën shqiptare donin pak ditë të mbërrinin në qytet: duheshin maksimumi 10 ditë që buletinet e atëhershëm të luftës të përshkonin Adriatikun dhe më shpesh ato vinin si një transmetim oral; kronika e saj çfarë ndodhte ishte një lloj komunikimi “gazetaresk”, e cila përcillej dhe nga poetë/shkrimtarë/bejtexhinj që përhapnin ngjarjet e luftës në anën tjetër të detit nëpër sheshe në fusha dhe rrugë.

Pra, fakti i kthimit në poezi të historisë, sidomos pjesë të rëndësishme të saj, ishte një traditë e vjetër evropiane, që gjatë të gjithë mesjetës kishte përcjellë ngjarje epike në të ashtuquajturat “Cantari”: bëhej fjalë disa herë në prozë dhe në përgjithësi në poezi, e i kushtoheshin akteve të Karlit të Madh apo të mbretit Artur, si edhe te kalorësve të së ashtëquajturës Tryeza e Rrumbullakët. Ato ngjarje shpesh tregoheshin gojarisht nga “bejtexhinj” që i drejtoheshin një publiku me kulturë te mesme apo te pakët, i cili duke dëgjuar në formë përrallash shijonte aventurat dhe adhuronte shprehitë hiperbolike të përplasjeve mes heronjve dhe tradhtarëve, midis të mirëve dhe të këqinjve. Tregimet, nëse ishin në formë poetike i përkisnin formës metrike të asaj rime, që së bashku me rimën e puthur fundore krijonte teknika pauzash dhe rifillimesh, e ndaj krijoheshin skenarë teatralë me “seri” apo “kuadër”. Një dëshmi të tillë mund të na e japin edhe përkthimet e tregimeve mbi Karlin e Madh, Orlando dhe paladinët në spektaklet e “Pupi Siciliani”. Qe një lëndë që një herë e një kohë ishte e kataloguar nën termin “popullor”, por “popullor”, siç dihet, ka implikime te shumëfishta kulturore dhe më vonë rrodhi në përkthimet epike – për të qëndruar në kuadrin italian – të një Matteo Maria Boiardo, me Orlandon e dashuruar, si dhe Ludovico Arioston me Orlandon e tërbuar. (shih fig.2 dhe 3).
Edhe në zonën e Venetos, lulëzoi tradita e këngëve dhe tregimeve me rimë të ngjarjeve të luftës përgjatë Katërqindës, Pesëqindës dhe Gjashtëqindës.

Në Lindjen e Afërt, që nga periudha e rënies së Kostandinopojës në 1453 e në rënien e Negropontes në 1470, u vu re një shtim i teksteve mbi Evropën dhe rrezikut te pushtimit otoman, si me dorëshkrime ashtu dhe me përkthime në stampa nga te ashtuquajturit “incunaboli”.
Dhe Shqipëria
Nuk çuditemi kur gjejmë momente kyçe të luftrave antiturke me teatro Shqipërinë “veneciane” të transferuara në narrativë të poezisë “popullore”, e nuk çuditemi të gjejmë Shkodrën të kthyer në tokën e miteve te gjigandëve të aksionit.
Ja pra disa nga këto rrëfime, te sjella në mënyre anonime në dhjetëvjeçarin e fundit te Katërqindës, me disa tipare thelbësore.
Në hyrje, në përgjithësi, vëmendja i kushtohet vendit ku zhvillohet ngjarja: në rastin tonë një homazh Shkodrës, emër i cili na lejon dhe lojën letrare të tingëllimit: Scutari/Scudo (mburojë) e Krishtërimit (do të jetë prezente dhe tek Barleti kjo shprehje) lind si një pozitë natyrale, midis malesh e deti, me një kala të fortifikuar mirë, afër një lumi La Boiana (Buna).

A voi signori, a tuti sia notato
che Schutri č scudo d’ogni cristiano
et č in uno monte levato e spicato
e da una banda č mar, montagne e piano
e forte mura e la rocha da capo
con fortissime entrate e barbacani
e mena apresso al monte una fiumana
la qual per nome se chiama Boiana

Ai qytet, mburojë e çdo të krishteri, mund dhe të sillet si mburojë e Venecias.

………[Scutari]……… scuto excellente
del petto della donna singolare
la qual s’apella Rezina del mare

Ky është një zë poetik venecian nuk duhet harruar: Shkodra konsiderohet mburoje ne gjoksin e Mbretëreshës se Detit, pra mburojë e Venecias!

Ja dhe një tjetër rast i prezantimit të Shkodrës lexuesve/dëgjuesve:

………………quel gioiel formoso
che el turco cerca voler conquistare
el qual per nome Scutari č chiamato
nobile e ricco e forte e populato.

Shkodra është një xhevahir i mrekullueshëm, i kërkuar nga turqit sepse i tillë është qyteti: fisnik, i fortë, i pasur me të mira dhe banorë.

Në këtë vend, i lumtur për pozicion dhe njerëz, zhvillohet në 1747 një betejë titanike midis mbrojtësve dhe sulmuesve.
Shifrat e forcave në fushë kundër Shkodrës japin, për dikë që dëgjon rrëfimin, idenë e një pabarazie të dukshme: mijëra e mijëra janë pushtuesit, një grusht ata që mbrohen. Pikërisht kjo diferencë në numra do të shtojë heroizmin që do të rrëfehet. Me gjithë ushqimet, mishi në kripë në veçanti, do të ishin të mjaftueshëm,

otocento cavalli ha fato insalare (800 kuaj jane kriposur)

për qytetin e Shkodrës e vetmja vuajtje, ditë pas dite, javë pas jave, bëhet mungesa e ujit, që e vë në dyshim rezistencën.
Për ti dhënë një frymë energjie dhe kurajoje shkodranëve duhet të ndërhyjë me një akt të “shpërpjestuar” pozitivisht i komandantit. Ja pra Antonio Loredan që qan, duke nxitur luftëtarët shkodran, dhe i ofron atyre, të etur, madje dhe gjakun e tij. Është kulmi i dramës, që rrëfyesi nënvizon duke thirrur këtë akt, hyrë pastaj në legjendën veneciane:

e volse [volle] le sue carne despogliare
con l’ochi [gli occhi] lagrimosi sempre langue
e dicendo: alor bevete del mio sangue

Vijon tregimi i strategjisë së Antonio Loredan; të gjenden 100 fuçi, me rrethore te dobët, të mbushen me gurë dhe gëlqere, të pozicionohen jashtë mureve, më mënyre që të ngjajnë aty vetëm për mbrojtje; të lidhen me karroca të mbushura me dru, trungje dhe barut. Armiku do besojë që kjo do të jetë vetëm një mënyre mbrojtëse përreth murit, jo si një armë sulmi.
Gjetja funksionoi. Ndërkohë drejt portit (ku kishin mbërritur përforcimet e Taiadano Gritti-t) beteja është e egër, kaq shumë sa anijet ngjanin si iriqa nga shigjetat turke!

e per le frece che turci traeva
ogni galea un porcospin pareva

E mrekullueshme ngjashmëria me kafshën, qe përfshin publikun që lexon/dëgjon në një çelës realist e të përditshëm me tepër efekt!
Fushëbeteja është e paraqitur me imazhe hiperbolike e të tmerrshme, me një lum gjaku që rrjedh përgjatë malit:

del sangue che corea giů per el monte
ben paria [pareva] proprio una abbondante fonte.

Në brendësi te kështjellës ndërkohë:
…..ciascun parea un paladino
tuti coperti de fine armatura

Shkodranët me armaturat fine kthehen në heronj nga rrëfimi duke mbrojtur kështjellën!
Imazhi letrar është evokativ, tek lexuesi/dëgjuesi, në një histori heronjsh dhe aktesh mitike, që kishte kaluar nëpërmjet gjithë Evropës së Mesme.
Pikërisht ajo e Paladinëve të Karlit të Madh, me armaturat e tyre të shndritshme. Që nuk mund të mos jene fitimtarët. (shih fig.4)

Pas tërheqjes së pushtuesve, tabloja e fushë-betejës është e jashtëzakonshme

E cum [quando] la rimasta zente se partiro
che assai ne ristň e morě gran parte
nei monti ditti con grave martirio,
i qual pien era[n] de gran membri sparte,
pien era di sangue el monte e tuto il ziro,
ch’a Roncival piů non monstrň in arte

I papritur dhe i jashtëzakonshëm krahasimi midis fushëbetejës nën Shkodër dhe asaj të Roncisvalle, e Orlando-s së famshëm! Ky është shembulli i një tradite letrare që lidhte bejtet, si ai i rrethimit të Shkodrës, me kulturën kalorsiake mesjetare evropiane.
Pra Shkodranët u bënë heronj të rinj të një epopeje të re; që me ndihmën e hyjit për ti mbështetur, siç e përmend dhe Marin Barleti nga gojëdhënat otomane:

in veritŕ sembra che quelli [gli scutarini] non siano dotati di forza umana, ma abbiano una certa quale potenza e facoltŕ divina.

Ashtu si Jupiteri me Olimpin dhe Fatin kishin ndërvepruar në aktet e heronjve homerikë, ashtu dhe Zoti e Fati i paracaktuar ndërvepronin në aktet e heronjve te Evropës Mesjetare kristiane e në këtë hapësirë të Evropës Qëndrore e Mesdhetare bënte pjesë dhe Shqipëria, ashtu siç na mësonin Statutet e Shkodrës.
Nga ana veneciane elozhet për Shkodrën do të mbeten dhe në të ardhmen, kësisoj Makipiero do të shkruante: “Shkodra është gjëja më e dashur dhe e shtrenjtë që kemi; për rëndësinë e betejave dhe rezistencës ajo është e famshme në univers; le të quhet tani e tutje mburoja dhe bastioni i Krishterimit”.

Ngjarjet që pasuan 1474-n, me mësymjen e dytë të Shkodrës të katër viteve më vonë, nuk do të kishin më të njëjtën përfaqesim ne tregimet e gjata, për më shumë në oktava, që do të vazhdonin të transferonin te “popullorja” ndodhitë e luftërave të mbështetura nga Venecia në mbrojtje të Shtetit te saj te Detit.
Në tekstet poetike veneciane qe do të rrëfejnë luftrat do ti lihet hapësirë “lamenteve” për humbjet, duke u ndërlidhur me ato të “inauguruarat” nga rënia e Negroponte-s më 1470: Kësisoj “il lacrimoso pianto di Rodi” apo “il lamento e presa di Castelnuovo”. Do të na duhej të prisnim Lepnto-n që rrëfimet e luftrave me rimën të gjenin tonin ekzaltues te ngjarjeve të shqipërise se katërqindës. Sa nga materialet e kronikave do te zërë pjesë ne faqet e Marin Barletit? Në ç’masë Barleti do ti përdorë? Është një kapitull ende për tu shkruar, por që nuk e zvogëlon punën e Barletit, përkundrazi mund vetëm të pasurojë rrethanat që kanë të bëjnë me burimet historike.

Edhe nëpërmjet këtyre teksteve popullore që përfshinë humoret dhe emocionet të një publiku të gjerë, qe u kthyhen në tifozëri, do të thuhej sot, për forcat aleate të Venecias, Shkodra rigjen një epope të saj, një glorifikim të vërtet letrar. Historia e saj bëhet poezi.

E sipas kronikave veneciane, në sheshin San Marco, të nesërmen e fitores së 1474 vrapuan turma popullore për të parë valëvitjen e simboleve të ekspozuar të asaj fitoreje, me një kor kambanash qytetare: një me siguri me luanin e San Marco-s, një tjetër të bërë enkas, tregon Malipiero në shënimet e tij, për te rikujtuar besnikërinë e Shkodrës: “un vexilo cremesin [dmth i kuq] con l’arme de quella Comunitŕ”.

Cili ishte imazhi i vendosur në atë flamur? Mbase shqiponja dykrenare e florinjtë e me kurore, pikërisht ai simbol, me shenjat e familjes Loredan, do të pikturohej në mburojën ballore të Statuteve te Shkodrës, më 1504? (shih fig.5)
Të gjitha janë çështje për tu risjellë historisë së hershme shqiptare. Copëza që me kokëfortësi ndjekin njëra-tjetrën, sepse sidoqoftë të bësh historinë do te thotë të kërkosh të vërtetën që mund të bëhet dhe një kërkim për të bukurën.
Historia dhe poezia, e vërteta dhe e bukura, në këtë rast, Shkodra dhe Roncisvalle, shkodranët dhe paladinët e Karlit të Madh, si për të thënë: kur zerohen distancat e kohës e të hapësirës në dimensione artistike e klasike, ose universale.

Përktheu: Xhana Belegu

*P.S. Për më shumë mund të lexohet kontributi i Lucia Nadin:
1474: l’epopea degli assediati. Scutari e Roncisvalle, Scutarini e paladini di Carlo Magno në volumin e saj të pasur me ese: Edhe 100 ! Studime n‘ nderim t‘ Prof. Francesco Altimarit me rastin e 60-vjetorit t‘ lindjes (Studi in onore del Prof. Francesco Altimari in occasione del 60° compleanno), a cura di Bardhyl Demiraj, Matteo Mandalŕ, Shaban Sinani, Albpaper, Tiranë, 2015.

 

www.voal.ch

 

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.