Lumnimi i 38 Martirëve Shqiptarë. Homelia nga Angelo Card. Amato, SDB

3201
0
Share:

 

  1. Është një ditë feste sot për shqiptarët e pranishëm jo vetëm këtu në Shkodër por edhe në shumë qytete të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, bijë e madhe e tokës suaj dhe grua heroike, pasqyrë e zemrës së mëshirshme të Hyjit dhe afër zemrës së brengosur të çdo qenieje njerëzore nevojtare për ndihmë e ngushëllim, lumnimi i 38 Martirëve shqiptarë u kujton të gjithëve se në tokë e mira pengohet vazhdimisht prej së keqes. Megjithatë, nuk janë përndjekësit, por martirët protagonistët e vërtetë të historisë së njerëzimit.

Ndërsa përndjekësit shpërbëhen si shumë hije të zeza, që humbasin përgjithmonë në errësirën e një harrimi të amshuar, martirët janë flakëza drite që shkëlqejnë në qiellin e njerëzimit, duke u treguar të gjithëve fytyrën njëmend të mirë të njeriut, identitetin e tij të thellë të qenies shëmbëlltyrë tejet e ngjashme me Hyjin.

Megjithëse në ferrin e një përndjekjeje arbitrare dhe të padrejtë, martirët tuaj kanë dëftuar para armiqve të tyre të njëjtat ndjenja dhe qëndrime të Krishtit: falje, besnikëri, qëndresë, vëllazëri, mëshirë. Në këtë mënyrë bëhen busulla e dobishme për orientimin tonë të duhur drejt limanit të së mirës, që është mbretëria e Hyjit që duhet ndërtuar edhe në këtë tokë.

Martirët janë dëshmitarët e atij njerëzimi të ri, që mbjell në histori jo luftëra, përçarje e vrasje të qenieve të pafajshme, por paqe, gëzim e vëllazëri, duke lartësuar talentet e njëmendta të qenies njerëzore të krijuar – siç thotë poeti Dante –  «jo për të jetuar si shtazë por për të ndjekur virtytin dhe njohjen».[2]

 

  1. Liturgjia e Fjalës na jep tri faza të luftës së amshuar që armiku i Hyjit bën në tokë. Leximi i parë, i marrë prej Librit të parë të Makabejve, flet për popullin e Hyjit, të mposhtur e të poshtëruar prej mbretit Antiok, pushtuesit blasfem, që ndalon flijimet e Tempullit, u lartëson altare dhe tempuj idhujve paganë, djeg librat e ligjit dhe vret gratë e fëmijët. Në këtë stuhi nuk mungojnë heronjtë që i kundërvihen shkatërrimit të kultit ndaj Hyjit të vërtetë. Shkrimi i shenjtë thotë: «Megjithëkëtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastërta: më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastërta e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë» (1Mak 1,62-63).

Në Ungjill Jezusi i nxit apostujt që të jenë të fortë dhe të guximshëm, kur të dorëzohen në gjyqe dhe të urrehen nga të gjithë për shkak të emrit të tij: «Mos i druani – thotë Zotëria – ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin» (Mt 10,28).

Shpërblimi i besnikërisë ndaj Zotit ilustrohet në librin e Zbulesës, që flet për lavdërimin e atyre që vijnë prej mundimit të madh dhe që i kanë larë veshjet e tyre, duke i bërë të pastra me gjakun e Qengjit. Është shumica tejet e madhe e martirëve të çdo kombi, fisi, populli e gjuhe, që të mbështjellë në veshje të bardha dhe me degë palme në duar qëndrojnë pranë fronit të Hyjit. Këta «Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij. Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre» (krh. Zb 7,9-17).

 

  1. Mundimi, martirizimi, lavdërimi. Ky është fati që u ka takuar martirëve shqiptarë. Vuajtjet e tyre paraqesin një faqe tragjike të historisë europiane. Nga njëra anë përndjekësit mizorë, nga ana tjetër martirët e pambrojtur.

Shumë vetë në atë stuhi poshtërimi dhe gjaku pyesnin se ku ishte Hyji. Por qenë vetë martirët ata që u përgjigjën se Zoti ishte me ta, i mbështeste në vuajtje, ngjitej në Kalvar me ta, pësonte me ta, qante me ta. Në martirët shqiptarë Jezu Krishti rijetonte mundimet e veta dhe vdekjen e vet. Jezusi ishte pranë Dom Lazër Shantojës kur u pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945 dhe pranë Dom Ndre Zadejës kur u pushkatua në Shkodër më 25 mars 1945. Në të njëjtën mënyrë, më 4 mars 1946, në orën e pushkatimit, Jezusi ngushëllonte jezuitët Giovanni Fausti e Daniel Dajani, françeskanin Gjon Shllaku, seminaristin Mark Çuni, të riun njëzet e një vjeçar Gjelosh Lulashi dhe babain e familjes Qerim Sadiku.

Veçanërisht mizore qe, për shembull, vrasja e Imzot Frano Gjinit, që prej ipeshkvijve katolikë ishte ngarkuar të dialogonte me regjimin në pushtet. Imzot Gjini u arrestua, u akuzua për propagandë anti-komuniste, u torturua dhe pësoi urinë e etjen deri në sfilitje. I varur në një pemë në oborrin e Sigurimit, u rrah dhe u hodh në ujërat e zeza. Në fund u ekzekutua më 8 mars 1948 së bashku me 18 vetë të tjerë, meshtarë dhe laikë.[3] Ky guxim mbinjerëzor ishte fryt i hirit të Krishtit që e mbështeste martirin në vuajtjet çnjerëzore të torturave.

Edhe martirët e tjerë – mes të cilëve arqipeshkvi i Durrëzit, imzot Vinçenc Prennushi – të procesuar, të dënuar megjithëse ishin të pafajshëm, të torturuar dhe të vrarë, e ndienin praninë e Krishtit pranë tyre. Prej hirit të tij ata merrnin forcën për ta përballuar me kthjelltësi si dhe me gëzim provën e martirizimit. E dinin se do të bashkëndanin ringjalljen e Krishtit dhe se gjaku i tyre do të ishte fara për pranverën e Kishës në Shqipëri.

 

  1. Falë Provanisë Hyjnore, pema e Kryqit, e rrahur prej stuhisë komuniste, sot ka lulëzuar përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të ringjallur. Kisha – duke kujtuar fjalën e Jezusit: «Nëse mua më salvuan, edhe ju do t’ju salvojnë» (Gjn 15,18-20) – pas shtypjes ka rilindur edhe më e shkëlqyeshme se më parë, e forcuar edhe prej dëshmisë së bijve të vet martirë.

E dimë se feja nuk kishte vdekur kurrë në Shqipëri. Kur mungonin meshtarët, qenë prindërit ata që pagëzuan fëmijët, i mësuan në fe, bekuan martesat. Thënia e lutjeve dhe e rruzares qe përforcuar. Vizitoheshin muzetë vetëm për të soditur kryqet dhe figurat e shenjta. Shpesh njerëzit shkonin në kishat e braktisura për t’u lutur. Kremtoheshin fshehurazi të kremtet e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve. Pavarësisht prej ndalesës së prerë për të përdorur emra të krishterë, fëmijët shpesh në shkollë tregonin emrin shekullar dhe në shtëpi atë të pagëzimit. Lexoheshin fshehurazi Bibla dhe librat fetarë.

Pasi kaloi stuhia, më në fund dielli i lirisë shkëlqeu përsëri mbi popullin tuaj të fortë dhe guximtar. Kur mjegulla e terrorit u shpërbë në vitin 1990 njerëzit filluan t’i uronin përsëri njëri-tjetrit duke buzëqeshur: “Gëzuar Pashkët”. U mbyllën përfundimisht muzetë e ateizmit në Tiranë dhe në Shkodër. Dhe më 4 nëntor të vitit 1990 u kremtua një meshë në kapelën e varrezave të Shkodrës me pjesëmarrjen e rreth 50.000 besimtarëve. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së Shqipërisë. Kisha shqiptare, me ipeshkvijtë e vet, meshtarët dhe besimtarët, është si një lis shekullor, që nuk lejon të shkulet prej erërave e prej stuhive të stuhisë, por mbetet i rrënjosur fort në fenë në Krishtin.

 

  1. Po si duhet reaguar përballë mujsharive të një diktature çnjerëzore e gjakatare? Le të kujtojmë e le t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Françesku: «Mos i harroni plagët, por mos u hakmerrni. Ecni përpara duke punuar me shpresë për një të ardhme të madhe».[4]

Përballë genocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar qëndrimi i katolikëve është ai që të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i mbështjellin me mantelin e faljes ata që i kanë përndjekur, keqtrajtuar dhe vrarë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, që të jetojë me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit.

Pas disa ditës Papa Françesku do të krijojë kardinal Dom Ernest Simonin, meshtar i Arqidioqezës së Shkodrës, të mbijetuar të përndjekjes. Fjalët e tij të para kanë qenë: «Kjo dhuratë e Atit të Shenjtë është për mua një nxitje e mëtejshme për t’u bërë mjet i shpëtimit të shpirtrave, në emër të tij. Vetëm në Krishtin gjendet shpëtimi dhe sot bota ka më shumë se kurrë nevojë për këtë lajm».[5]

Shqipëria, vendi i shqipeve, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), të quajtur Athleta Christi nga papa Kalisti III, ka në Nënë Terezën e Kalkutës dhe në Të Lumët Martirë të shekullit të kaluar edhe heronj të tjerë të lavdishëm të fesë e të atdheut, që përhapin në botë emrin e mirë të popullit shqiptar.

 

Të Lumët Martirë, lutuni për ne.

[1] E mbajtur në Shkodër (Shqipëri) më 5 nëntor 2016. Grupi i martirëve është i përbërë nga dy Ipeshkvij, njëzet e një Meshtarë Dioqezanë, shtatë Fretër Minorë, tre Jezuitë, një Seminarist dhe katër Laikë, mes të cilëve një Aspirante për jetën kushtuar Zotit.

[2] Dante, Komedia Hyjnore, Ferri, Kënga 27 rr. 118-120.

[3] krh. Joseph Ritho Mwaniki, La Chiesa cattolica in Albania, në Jan Mikrut (nën kujdesin e), La Chiesa Cattolica e il Comunismo in Europa Centro-orientale e in Unione Sovietica, Gabrielli Editori, San Pietro in Cariani (Verona), 2016 fq. 40.

[4] Papa Françesku, Vizita baritore në Shqipëri në shtator të vitit 2014.

[5] Krh. Mimmo Muolo, Simoni, dalla tortura alla porpora, në «Avvenire», 11 tetor 2016, fq. 7.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.