Martirët si kremtim i jetës

744
0
Share:

Modernija e lëngët, – sikurse e quan Zigmund Bauman – realiteti në të cilin jetojmë  si edhe mendësia që na rrethon, e ka të lidhur jetën vetëm me procesin e saj biologjik dhe mirqënien materiale. Por kjo është një pjesë e jetës, shumë e rëndësishme, por ama vetëm një pjesë e saj. Martirët që do të kremtojmë me datë 5 nëntor në Shkodër na kanë treguar një dimension tjetër të jetës, të themi dimesionin e katërt të saj, atë të padukshmin, por që është po aq jetë e madje i jep sens asaj tjetrës që shtrihet në koordinatat kohore dhe hapësinore. Pa këtë dimension shpirtëror dhe të përtejmë jeta humb shijen e saj, nuk i jep kuptim vetvetes dhe asaj çka nodh përreth saj, kësisoj vyshket duke shkuar dalëngadalë drejt fatalitetit, apo drejt një lloj angështie mbytëse e do të thoja vetëvrasëse e denjë për ekzistencializmin sartrian.

Martirët i japin, në atë mënyrën e tyre, një përgjigje pyetjes: përse jeton njeriu? Cili është kuptimi dhe kahja e ekzistencës tone, e secilit prej nesh? Martirët sigurisht që nuk pretendojnë të jenë të vetmit që i japin një kuptim jetës, por mendoj që, për njeriun modern, pikërisht në kohën moderne, ata janë një shembull se si jetën ia vlen ta jetosh deri në fund, edhe kur vdekja e kërcënon atë në mënyrë të pakthyeshme. Vdekja për të krishterin është një formë tjetër e jetës.

Të themi diçka qysh në fillim, në mënyrë që të shmangim çdolloj mëdyshje. Martirizimi në kuptimin e krishterë nuk është një vdekje e kërkuar si urrejtje ndaj jetës apo ndaj të tjerëve, nuk është një vetvrasje, por është një dëshmi e jetës, është në mënyrë paradoksale antikorpi i vdekjes. Një himn i lashtë i Kishës bizantine, natën e Pashkës këndon me këto fjalë: Krishti u ngjall së vdekuri, me vdekje, vdekjen e mundi. Vetëm brenda këtij dimensioni të mistershëm ne mund të kuptojmë gjestin e martirëve që pranuan vdekjen në vend të mohimit të besimit. Martirët vdiqën të gjithë in odium fidei, vdiqën sepse dikush urrente besimin e tyre dhe i urrente për besimin e tyre e në këtë mënyrë ata u bënë dëshmitarë (martir do të thotë pikërisht dëshmitar) të së vërtetës që ata besonin. Kjo për të krishterët është gjëja më sublime. Përballë të së vërtetës nuk mund të shmangemi apo ta kompromentojmë atë. Jo gjithmonë ia arrijmë dhe kjo është pjesë e dobësisë dhe brishtësisë njerëzore e madje krejtësisht e kuptueshme. Ata thjesht ia arritën, e jo se ishin më të mirë apo më të shenjtë se të tjerët, por sepse ku u pyetën thanë “po” dhe kur iu kërkua të mohojnë besimin thanë “jo”. Këtë “po” dhe këtë “jo” e thanë me jetën e tyre, duke e dorëzuar atë jetë në duart e Atit.

Martirë nuk janë vetëm të krishterë sigurisht. Ka edhe martirë të atdheut, ka edhe martirë të kauzave të ndryshme ideologjike apo civile. Në atë mënyrën e vet secili i thur një himn jetës. Sigurisht, dhe kjo duhet thënë fort, që janë të papranusheme format e “martirizimit” si mohim i jetës personale, i jetës në vetvete, sikurse është vetvrasja, apo si mohim i jetës së tjetrit, sikurse është rasti i kamikazeve.

Martirët e komunizmit është pak të thuhet që iu kundërvunë një idologjie. Nuk mjafton t’i kundërvehesh një ideologjie për të qenë martir, megjithëse edhe ajo lloj qëndrese ka vlerën e vet. Martirët që do të kremtojmë me datë 5 nëntor, pikërisht përbri Çinarit ku u vranë një pjesë e tyre në varrezën e Rrmajit, me dëshminë e tyre na thonë ne të tjerëve se jeta vlen kur është e dhuruar, vetëm atëherë ka kuptim. Kur një jetë jepet si gjest dashurie dhe jo si gjest urrejtje, atëherë ajo merr kuptim edhe në mbarimin e saj. Jeta nuk mund të kremtohet nëse nuk dhurohet. Kremtimi është gjithmonë diçka që ti ndan me të tjerët e në këtë kuptim jeta kremtohet kur ndahet, kur ajo dhurohet tërësisht. Ja pse martirizimi është pikërisht kremtim i jetës, pasi jeta merr dritë, një dritë ndryshe nga gjesti dhurues i martirëve tanë.

Janë të shumtë shembujt dhe secili prej martirëve ka diçka për të na thënë këto ditë. Jeta e tyre, që aq bukur dhe me realizëm ka dalë në pah në shumë vepra, e sidomos kohët e fundit në veprën dyvëllimëshe të Postulatorit Atë Leonardo De Pinto o.f.m, na tregon në fund të fundit një gjë të vetme: besnikërinë ndaj fjalës së Zotërisë i cili thotë: “Përnjimend, përnjimend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur” (Gjn 12,24-25)

Kreu

GJERGJ META

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.