Më thuaj pas kujt shkon të them se kush je!

155
0
Share:

Kush është Krishti dhe cili është identiteti i një nxënësi të Krishtit? Këtyre dy pyetjeve ka për qëllim t’u përgjigjet Ungjilli i Markut nga i cili është shkëputur edhe pjesa e Ungjillit që lexohet këtë të djelë gjatë meshës.

Në fakt, përgjigja ndaj këtyre dy pyetjeve, i jep një hop cilësor jetës çdo njeriu që ka vendosur të jetë një besimtar i krishterë. Vetëdija e Jezusit për misioni e tij mesianik si Bir i Davidit është ai i një bariu që i prin grigjës së tij dhe ndriçon ecjen e njeriut nga errësira drejt dritës, nga skllavëria drejt lirisë. Kështu na thuhet në leximin e parë “do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjëve, udhës së drejtë ku nuk do të zënë në thua…” (Jer 31,9).

Përvoja e çlirimit të popullit të Izraelit nuk është gjë tjetër vetëm se një nismë e lirë e Hyjit dhe është ai që i mbart në krahët e shqiponjave hebrenjtë që të kthehen nga skllavëria drejt tokës së tyre, drejt lirisë. Pa këtë nismë të lirë e bujare të Hyjit nuk është i mundur çlirimi i njeriut dhe kthimi në tokën e premtuar. Takimi i birit të Timeut, Bartimeut të verbër, me Jezusin në Unjgill është pikërisht fill pasi Jezusi ka refuzuar kërkesën e bijëve të Zebedeut dhe menjëherë para Ungjillit që flet për dashurinë si ligji epërm i të qënit i krishterë. Dishepujt e Jezusit para se të kërkojnë të ulen në të majtë e në të djathtë të Jezusit u kërkohet së pari vetëdija për nevojën që ata kanë të çlirohen nga verbëria e kështu të nisin ecjen drejt dashurisë së Hyjit.I vetmi post i një nxënësi të Krishtit është dashuria e cila realizohet vetëm në ndjekjen e hapave të Jezusit.

Dialogu ndërmjet Jezusit dhe të verbërit fshesh atë kusht të domosdoshëm për një ndërhyrje efikase të Hyjit, pranimin e njeriut, kërkesën e tij. Jezusi e din mjaft mirë se për çfarë ka nevojë një i verbër, por përsëri i thotë atij se çfarë kërkon. Pa këtë kërkesë të hapur nuk mund të ndodhë shërimi, nuk mund të vijë drita e syve.

Të djelën e kaluar ne pamë që autori i librit të Urtisë preferon urtinë e Hyjit edhe para dritës së syve. Kjo do të thotë se bashkë me urtinë njeriu i menccur e di se do t’ i jepet edhe drita e nevojshme për të parë se çfarë ia vlen në jetë, se kush ia vlen në jetë të ndiqet e t’i shkohet pas.

Secili prej nesh është në ndjekje të diçkaje apo të dikujt. Më thuaj se kujt i shkon nga pas e të them se ç’njeri je. Mund t’i shkosh pas dikujt që të bën skllav, të sundon e të komplekson, të bën servil e të ç’njerëzon, ose mund të bëhesh dishepull i atij që të jep lirinë e mendjes, të shpirtit, e i vetmi që mund ta bëjë këtë gjë është Jezusi i cili kalon në jetën e secilit prej nesh dhe pyet: “Çka dëshiron të bëj për ty?” (Mk 10, 51).

Parashtrimi i një modeli me të cilin matemi dhe që na jep elementë lirie është themelor në rritjen intergale të një njeriu. Vetëm një rrugëtim i brendshëm, që do të thotë një kalim nga errësira drejt dritës, mund ta bëjë një njeri vërtet të lirë e të aftë për të dhënë jetën e tij. Ne kemi nevojë për dritë, sikurse kemi nevojë për ujin, ushqimin, miqësinë, dashurinë etj. Pak më parë thashë elementë lirie. Janë ato fara të cilat janë të mbjella brenda nesh qysh me krijimin tonë, por që na takon neve t’i kultivojmë e t’i rrisim në mënyrë që të jenë shtylla mbi të cilat të mbështesim ekzsitencën tonë njerëzore.

Jezusi na ofrohet si shërues i verbërisë njerëzore, asaj shpirtërore më së pari, por edhe si modeli për t’i shkuar nga pas e që i jep plotësi jetës tonë: “Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit” (Mk 10,52b).

Udhëtimi i një nxënësi të Krishtit është udhëtimi drejt dashurisë, sikurse do të shikojmë edhë në Ungjillin e të djelës së ardhshme.

Nga Dom Gjergj Meta / http://peregrinus.al/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.