Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Ditën XXXII Botërore të Rinisë (E diela e Larit, 9 prill 2017)

232
0
Share:

 

«Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm» (Lk 1,49)

 

Të dashur të rinj,

ja tek jemi përsëri në ecje pas takimit tonë të mrekullueshëm në Krakovë, ku kremtuam së bashku Ditën XXXI Botërore të Rinisë dhe Jubileun e të Rinjve, në kontekstin e Vitit të Shenjtë të Mëshirës. Pranuam të udhëhiqemi prej shën Gjon Palit II dhe shenjtes Faustina Kovalska, apostuj të mëshirës hyjnore, për t’u dhënë një përgjigje konkrete sfidave të kohës sonë. Jetuam një përvojë të fortë vëllazërie e gëzimi,, dhe i dhamë botës një shenjë shprese; flamujt dhe gjuhët e ndryshme nuk ishin arsye kundërshtie dhe përçarjeje, por rast për të hapur dyert e zemrave, për të ndërtuar ura.

Në përfundim të DBR të Krakovës tregova cakun e ardhshëm të shtegtimit tonë që, me ndihmën e Hyjit, do të na çojë në Panama në vitin 2019. Në këtë ecje do të na shoqërojë Virgjëra Mari, ajo që të gjitha breznitë e quajnë të lumtur (krh. Lk 1,48). Pjesa e re e rrugëtimit tonë lidhet me të mëparshmen, që ishte e përqendruar në Lumturitë, por na nxit të ecim përpara. Në të vërtetë, dëshiroj shumë që ju të rinjtë të mund të ecni jo vetëm duke përkujtuar të kaluarën, por edhe duke pasur guxim në të tashmen dhe shpresë për të ardhmen. Këto qëndrime, gjithmonë të gjalla në Gruan e re të Nazaretit, janë shprehur qartazi në temat e zgjedhura për tri DBR të ardhshme. Këtë vit (2017) do të reflektojmë në lidhje me fenë e Marisë kur në Magnificat tha: «Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm» (Lk 1,49). Tema e vitit të ardhshëm (2018) – «Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit» (Lk 1,30) – do të na bëjë të meditojmë mbi dashurinë plot guxim me të cilën Virgjëra e pranoi lajmin e engjëllit. DBR 2019 do të jetë e frymëzuar prej fjalëve «Unë jam shërbëtorja e Zotit: më ndodhtë siç the ti» (Lk 1,38), përgjigjja e Marisë drejtuar engjëllit, plot me shpresë.

Në tetor të vitit 2018 Kisha do të kremtojë Sinodin e Ipeshkvijve me temën: Të rinjtë, feja dhe shoshitja thirrore. Do të pyesim veten se si ju të rinjtë e jetoni përvojën e fesë në mes të sfidave të kohës sonë. Dhe do të përballojmë edhe çështjen se si mund të piqni një plan jete, duke shoshitur thirrjen tuaj, të marrë në kuptimin e gjerë, domethënë në martesë, në fushën laikale dhe profesionale, apo në jetën e kushtuar Zotit dhe në meshtari. Dëshiroj që të ketë një sintoni të madhe mes ecjes drejt DBR të Panamasë dhe ecjes sinodale.

 

Koha jonë nuk ka nevojë për “të rinj-divan”

Sipas Ungjillit të Lukës, pasi pranon lajmin e engjëllit dhe i jep përgjigjen “po” thirrjes për t’u bërë nëna e Shpëtimtarit, Maria çohet e shkon me nxitim për të vizituar kushërirën e vet Elizabetën, që është në muajin e gjashtë të shtatëzënisë (krh. 1,36.39). Maria është shumë e re; ajo që i është lajmëruar është një dhuratë tejet e madhe, por kërkon edhe sfida shumë të mëdha; Zoti e ka siguruar për praninë e tij dhe mbështetjen e tij, por shumë gjëra janë ende të errëta në mendjen e saj dhe në zemrën e saj. Megjithatë, Maria nuk mbyllet në shtëpi, nuk lejon të paralizohet prej frikës apo prej krenarisë. Maria nuk është tipi që për të qenë mirë ka nevojë për një divan të mirë ku të rrijë rehat dhe e sigurt. Nuk është një e re-divan! (krh. Fjalimi në Vigjilje, Krakovë, 30 korrik 2016). Nëse i nevojitet ndihmë kushërirës së saj të moshuar, ajo nuk ngurron dhe niset menjëherë për udhëtim.

Është e gjatë rruga për të arritur në shtëpinë e Elizabetës: rreth 150 kilometra. Por e reja e Nazaretit, e nxitur prej Shpirtit Shenjt, nuk njeh pengesa. Sigurisht, ditët e udhëtimit e kanë ndihmuar të meditojë në lidhje me ngjarjen e mrekullueshme në të cilën ishte përfshirë. Kështu na ndodh edhe ne kur nisemi për shtegtim: përgjatë rrugës na vijnë në mend faktet e jetës, dhe mund të pjekim kuptimin e tyre e të shqyrtojmë thirrjen tonë, të zbuluar pastaj në takimin me Hyjin dhe në shërbimin ndaj të tjerëve.

 

Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

Takimi mes dy grave, të resë dhe të moshuarës, është plot me praninë e Shpirtit Shenjt, dhe plot me gëzim e me mahnitje (krh. Lk 1,40-45). Dy nënat, ashtu sikurse edhe bijtë që bartin në kraharor, pothuajse vallëzojnë prej lumturisë. Elizabeta, e befasuar prej fesë së Marisë, brohoret: «E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit» (rr. 45). Po, njëra prej dhuratave të mëdha që ka marrë Virgjëra është ajo e fesë. Të besosh në Hyjin është një dhuratë tejet e çmueshme, por kërkon edhe që të pranohet; dhe Elizabeta e bekon Marinë për këtë. Ajo, nga ana e vet, përgjigjet me këngën Magnificat (krh. Lk 1,46-55), në të cilën gjejmë shprehjen: «Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm» (rr. 49).

Është një lutje revolucionare, ajo e Marisë, kënga e një të reje plot me fe, e vetëdijshme për kufizimet e saj por plot me besim në mëshirën hyjnore. Kjo grua e vogël e guximshme falënderon Hyjin sepse ka shikuar vogëlsinë e saj dhe për veprën e shpëtimit që ka bërë ndaj popullit të vet, ndaj të varfërve dhe të përvuajturve. Feja është zemra e gjithë historisë së Marisë. Kënga e saj na ndihmon ta kuptojmë mëshirën e Zotit si motor të historisë, qoftë të asaj personale të secilit prej nesh, qoftë të krejt njerëzimit.

Kur Hyji prek zemrën e një të riu, e një të reje, këta bëhen të aftë për veprime me të vërtetë madhështore. “Punët e mëdha” që Hyji i gjithëpushtetshëm ka bërë në ekzistencën e Marisë na flasin edhe për udhëtimin tonë në jetë, që nuk është një endje pa kuptim, por një shtegtim që, megjithëse me të gjitha pasiguritë dhe vuajtjet e veta, mund ta gjejë në Hyjin plotësinë e vet (krh. Angelus, 15 gusht 2015). Do të më thoni: “Atë, po unë jam shumë i kufizuar, jam mëkatar, çfarë mund të bëj?”. Kur Zoti na thërret, nuk ndalet në atë që jemi apo në atë që kemi bërë. Përkundrazi, në momentin në të cilin na thërret, Ai është duke shikuar gjithçka që do të mund të bënim, gjithë dashurinë që jemi të aftë të dhurojmë. Sikurse e reja Mari, mund të bëni që jeta juaj të bëhet mjet për të përmirësuar botën. Jezusi ju thërret të lini gjurmën tuaj në jetë, një gjurmë që shënon historinë, historinë tuaj dhe historinë e shumë njerëzve (krh. Fjalimi në Vigjilje, Krakovë, 30 korrik 2016).

 

Të jesh i ri nuk do të thotë të jesh i shkëputur prej së kaluarës

Maria është pak më shumë se adoleshente, sikurse shumë prej jush. Megjithatë, në Magnificat i jep zë lavdi popullit të vet, historisë së tij. Kjo na tregon se të jesh i ri nuk do të thotë të jesh i shkëputur prej botës. Historia jonë personale na shtie në një vazhdë të gjatë, në një ecje bashkësiore që na ka paraprirë në shekuj. Sikurse Maria, i përkasim një populli. Dhe historia e Kishës na mëson se, edhe kur ajo duhet të kapërcejë dete të stuhishme, dora e Hyjit e drejton atë, e bën të kapërcejë momente të vështira. Përvoja e vërtetë e Kishës nuk është si një flashmob, në të cilin lihet takim, realizohet një performancë dhe pastaj secili shkon në punë të vet. Kisha mban në vete një traditë të gjatë, që komunikohet nga breznia në brezni, duke u pasuruar në të njëjtën kohë me përvojën e çdo individi. Edhe historia juaj e gjen vendin e vet brenda historisë së Kishës.

Të përkujtojmë të kaluarën nevojitet edhe për të pranuar ndërhyrjet e panjohura që Hyji dëshiron të realizojë në ne dhe nëpërmjet nesh. Dhe na ndihmon të hapemi për të qenë të zgjedhur si mjete të tij, bashkëpunëtorë të planeve të tij shpëtimtare. Edhe ju të rinj mund të bëni punë të mëdha, të merrni përsipër përgjegjësi të mëdha, nëse do ta njihni veprimin e mëshirshëm dhe të gjithëpushtetshëm të Hyjit në jetën tuaj.

Do të doja t’ju bëja disa pyetje: në çfarë mënyre “i shpëtoni” në kujtesën tuaj ngjarjet, përvojat e jetës suaj? Si i trajtoni faktet dhe figurat e ngulitura në kujtimet tuaja? Disa, veçanërisht të plagosur prej rrethanave të jetës, do të kishin dëshirë ta “resetonin” të kaluarën e tyre, të përdorin të drejtën për harresë. Por do të doja t’ju kujtoja se nuk ka shenjt pa të kaluar, as mëkatar pa të ardhme. Perla lind prej një plage të guaskës së detit! Jezusi, me dashurinë e vet, mund t’i shërojë zemrat tona, duke i shndërruar plagët tona në perla të vërteta. Siç thoshte shën Pali, Zoti mund ta tregojë forcën e vet nëpërmjet ligështive tona (krh. 2 Kor 12,9).

Por kujtimet tona nuk duhet të mbeten të gjitha të grumbulluara, si në memorien e një kompjuteri. Nuk është e mundur të arkivojmë gjithçka në një “re” virtuale. Duhet të mësojmë të bëjmë që faktet e së kaluarës të bëhen realitet dinamik, mbi të cilin të reflektojmë dhe prej të cilit të marrim mësim e domethënien për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Detyrë e vështirë, por e nevojshme, është ajo që të zbulojmë fillin e kuq të dashurisë së Hyjit që lidh gjithë ekzistencën tonë.

Shumë vetë thonë se ju të rinjtë jeni harraqë dhe sipërfaqësorë. Nuk jam aspak dakord Por duhet të pranojmë se në këto kohët tona kemi nevojë të rifitojmë aftësinë për të reflektuar në lidhje me jetën tonë dhe ta projektojmë atë drejt së ardhmes. Të kesh një të kaluar nuk është e njëjta gjë me të kesh një histori. Në jetën tonë mund të kemi shumë kujtime, por sa prej tyre e ndërtojnë me të vërtetë kujtesën tonë? Sa prej tyre janë domethënëse për zemrën tonë dhe na ndihmojnë t’i japim një kuptim ekzistencës sonë? Fytyrat e të rinjve, në rrjetet shoqërore, shfaqen në shumë fotografi që tregojnë ngjarje pak a shumë reale, por nuk e dimë sa nga e gjithë kjo është “histori”, përvojë që mund të tregohet, të pajiset me një qëllim e me një kuptim. Programet në TV janë plot me të ashtuquajturat “reality show”, por nuk janë histori reale, janë vetëm minuta që rrjedhin para një telekamere, ku personazhet jetojnë si t’u vijë dita, pa një plan. Mos lejoni të mashtroheni prej këtij imazhi të rremë të realitetit! Jini protagonistë të historisë suaj, vendosni të ardhmen tuaj!

 

Si të mbetemi të lidhur, duke ndjekur shembullin e Marisë

Për Marinë thuhet se i ruante të gjitha këto gjëra duke i medituar në zemrën e vet (krh. Lk 2,19.51). Kjo vajzë e thjeshtë e Nazaretit na mëson me shembullin e vet që të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të jetës, por edhe që t’i mbledhim së bashku, duke rindërtuar njësinë e fragmenteve, që të bashkuar mund të bëjnë një mozaik. Si mund të ushtrohemi konkretisht në këtë kuptim? Po ju jap disa sugjerime.

Në fund të çdo dite mund të ndalemi për disa minuta për të kujtuar momentet e bukura, sfidat, atë që ka shkuar mirë dhe atë që ka shkuar keq. Kështu, para Hyjit dhe vetvetes, mund të shfaqim ndjenjat e mirënjohjes, të pendimit dhe të besimit, po të doni edhe duke i shënuar ato në një fletore, njëfarë ditari shpirtëror. Kjo do të thotë të luteni në jetë, me jetën dhe mbi jetën, e sigurisht do t’ju ndihmojë t’i perceptoni më mirë punët e mëdha që Zoti bën për secilin prej jush. Sikurse thoshte shën Agustini, Hyjin mund ta gjejmë në fushat e gjera të kujtesës sonë (krh. Rrëfimet, Libri X, 8, 12).

Duke lexuar Magnificat-in kuptojmë se sa mirë e njihte Maria Fjalën e Zotit. Çdo rresht i kësaj kënge ka një paralel të vetin në Besëlidhjen e Vjetër. Nëna e re e Jezusit i njihte mirë lutjet e popullit të vet. Sigurisht, prindërit e saj, gjyshërit e saj ia kishin mësuar. Sa i rëndësishëm është komunikimi i fesë nga njëri brez në tjetrin! Ka një thesar të fshehur në lutjet që na mësojnë të parët tanë, në atë përshpirtëri të jetuar në kulturën e të thjeshtëve që ne e quajmë devocioni popullor. Maria merr trashëgiminë e fesë së popullit të vet dhe e rikompozon në një këngë krejt të vetën, por që në të njëjtën kohë është kënga e gjithë Kishës. Dhe e gjithë Kisha e këndon së bashku me të. Që edhe ju të rinjtë të mund të këndoni një Magnificat krejt tuajin dhe ta bëni jetën tuaj një dhuratë për gjithë njerëzimin, është themelore të lidheni me traditën historike dhe lutjen e atyre që ju kanë paraprirë. Prej këtu rrjedh rëndësia që ka ta njihni mirë Biblën, Fjalën e Zotit, ta lexoni atë çdo ditë duke e ballafaquar me jetën tuaj, duke i lexuar ngjarjet e përditshme në dritën e asaj që Zoti ju thotë në Shkrimin e Shenjtë. Në lutje dhe në leximin lutës të Biblës (e ashtuquajtura lectio divina), Jezusi do t’i ngrohë zemrat tuaja, do t’i ndriçojë hapat tuaj, edhe në momentet e errëta të ekzistencës suaj (krh. Lk 24,13-35).

Maria na mëson edhe që të jetojmë me një qëndrim eukaristik, pra të falënderojmë, të kultivojmë lavdin, të mos ngulitemi vetëm në problemet dhe vështirësitë. Në dinamikën e jetës, lutjet e sotme do të bëhen arsye falënderimi nesër. Kështu, pjesëmarrja juaj në Meshën e Shenjtë dhe momentet në të cilat kremtoni sakramentin e Pajtimit do të jenë në të njëjtën kohë kulm dhe pikënisje: jetët tuaja do të përtërihen çdo ditë në faljen, duke u bërë lavd i përhershëm drejtuar Hyjit të gjithëpushtetshëm. «Besojini kujtimit të Hyjit: […] kujtesa e tij është një zemër plot dhembshuri, që gëzohet kur fshin përfundimisht çdo gjurmë tonë të keqe» (Homelia në Meshën e Shenjtë të DBR, Krakovë, 31 korrik 2016).

Kemi parë se Magnificat-i buron nga zemra e Marisë në momentin në të cilin ajo takon kushërirën e saj të moshuar Elizabetën. Kjo, me fenë e vet, vështrimin e vet të mprehtë dhe fjalët e veta, e ndihmon Virgjërën që ta kuptojë më mirë madhështinë e veprimit të Hyjit në të, të misionit që ai i ka besuar. Po ju, a e kuptoni se çfarë burimi i jashtëzakonshëm pasurie është takimi mes të rinjve dhe të moshuarve? Sa rëndësi u jepni të moshuarve, gjyshërve tuaj? Me të drejtë ju dëshironi “të merrni fluturimin”, mbani në zemër shumë ëndrra, por keni nevojë për urtinë dhe për vizionin e të moshuarve. Ndërsa i hapni krahët në erë, është e rëndësishme që të zbuloni rrënjët tuaja dhe të pranoni dëshminë e personave që ju kanë paraprirë. Për të ndërtuar një të ardhme që ka kuptim, duhet t’i njihni ngjarjet e kaluara dhe të merrni pozicion përballë tyre (krh. Nxit. ap. pas-sinodale Amoris laetitia, 191.193). Ju të rinjtë keni forcën, të moshuarit kanë kujtesën dhe urtinë. Sikurse Maria me Elizabetën, drejtojeni vështrimin tuaj nga të moshuarit, nga gjyshërit tuaj. Do t’ju thonë gjëra që do ta apasionojnë mendjen tuaj dhe do ta prekin zemrën tuaj.

 

Besnikëria krijuese për të ndërtuar kohë të reja

Është e vërtetë se keni pak vjet pas shpatullave dhe prandaj mund ta keni të vështirë t’i jepni vlerën e duhur traditës. Mbani mirë parasysh se kjo nuk do të thotë të jeni tradicionalistë. Jo! Kur Maria në Ungjill thotë «punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm», nënkupton se ato “punë të mëdha” nuk kanë mbaruar, por vazhdojnë të realizohen në të tashmen. Nuk bëhet fjalë për një të kaluar të hershme. Të dish të përkujtosh të kaluarën nuk do të thotë të jesh nostalgjik apo të mbetesh i lidhur me një periudhë të caktuar të historisë, por të dish të njohësh prejardhjen tënde, për t’u kthyer gjithmonë te thelbësorja e për t’u hedhur me besnikëri krijuese në ndërtimin e kohëve të reja. Do të ishte problem dhe nuk do t’i vlente askujt të kultivojë një kujtesë paralizuese, që e nxit të bëjë gjithmonë të njëjtat gjëra në të njëjtën mënyrë. Është një dhuratë e qiellit të shohim se shumë prej jush, me pikëpyetjet, ëndrrat dhe kërkesat tuaja, i kundërshtoni ata që thonë se gjërat nuk mund të jenë ndryshe.

Një shoqëri që vlerëson vetëm të tashmen priret edhe të zhvlerësojë gjithçka që trashëgohet prej së kaluarës, si për shembull institucionet e martesës, të jetës së kushtuar Zotit, të misionit meshtarak. Këto arrijnë të shihen si diçka pa domethënie, si forma të vjetruara. Mendohet se jetohet më mirë në situatat e ashtuquajtura “të hapura”, duke u sjellë në jetë si në një reality show, pa qëllim e pa cak. Mos lejoni të mashtroheni! Hyji ka ardhur për t’i zgjeruar horizontet e jetës sonë, në të gjitha drejtimet. Ai na ndihmon t’i japim vlerën e duhur së kaluarës, për ta projektuar më mirë një të ardhme lumturie: por kjo është e mundur vetëm nëse jetohen përvoja të njëmendta dashurie, që konkretizohen në zbulimin e thirrjes së Zotit dhe në pranimin e saj. Dhe kjo është e vetmja gjë që na bën me të vërtetë të lumtur.

Të dashur të rinj, po ia besoj ecjen tuaj drejt Panamasë, ashtu si edhe itinerarin e përgatitjes së Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve, ndërmjetësimit amënor të së Lumes Virgjër Mari. Ju ftoj të kujtoni dy ngjarje të rëndësishme të vitit 2017: treqind vjetorin e rigjetjes së figurës së Zojës Aparecida, në Brazil; dhe njëqind vjetorin e dukjeve të Fatimës, në Portugali, ku, me ndihmën e Hyjit, do të shkoj shtegtar në muajin maj që vjen. Shën Martini i Porresit, njëri prej shenjtërve pajtorë të Amerikës Latine dhe të DBR 2019, në shërbimin e tij të përvuajtur e të përditshëm e kishte zakon t’ia kushtonte lulet më të mira Marisë, si shenjë të dashurisë së vet bijësore. Kultivoni edhe ju, sikurse ai, një marrëdhënie familjariteti dhe miqësie me Zojën e Bekuar, duke ia besuar asaj gëzimet, trazimet dhe shqetësimet tuaja. Ju siguroj se nuk do të pendoheni për këtë!

E reja e Nazaretit, që në të gjithë botën ka marrë një mijë fytyra e emra për t’u bërë e afërt për bijtë e saj, ndërmjetësoftë për secilin prej nesh dhe na ndihmoftë t’u këndojmë veprave të mëdha që Zoti bën në ne dhe nëpërmjet nesh.

 

Prej Vatikanit, 27 shkurt 2017
Përkujtimi i Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme

FRANÇESKU


 

Videomesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Ditën XXXII Botërore të Rinisë

(E diela e Larit, 9 prill 2017)

 

Me 21 mars 2017, është publikuar Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut drejtuar të rinjve në përgatitje të Ditës XXXII Botërore të Rinisë 2017, (krh. Boletini nr. 171) që do të kremtohet në nivel dioqezan më 9 prill 2017, të Dielën e Larit, mbi temën: «Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm» (Lk 1,49).

Këtë vit, për të favorizuar një përhapje më të gjerë të Mesazhit, Papa Françesku ka dëshiruar t’ua paraqesë atë të rinjve të të gjithë botës me një video në të cilën përmend disa tematika të trajtuara në dokument dhe i fton të ndërmarrin ecjen e përgatitjes shpirtërore që do të çojë në kremtimin e ardhshëm ndërkombëtar të DBR, në program të bëhet në Panama nga 22 deri më 27 janar 2019.

Po publikojmë më poshtë tekstin e Videomesazhit të Atit të Shenjtë:

 

Të dashur të rinj,

me kujtimin plot jetë të takimit tonë në Ditën Botërore të Rinisë të vitit 2016 në Krakovë, kemi filluar udhëtimin drejt cakut të ardhshëm që, nëse Hyji do të dojë, do të jetë në Panama në vitin 2019. Për mua janë shumë të rëndësishme këto momente takimi e dialogu me ju, dhe kam dashur që ky rrugëtim të bëhej në sintoni me përgatitjen e Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve, që është i kushtuar ju të rinjve.

Në këtë ecje na shoqëron Nëna jonë, Virgjëra Mari, dhe na frymëzon me fenë e vet, të njëjtën fe që ajo e shpreh në këngën e vet të lavdit. Maria thotë: «Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm» (Lk 1,49). Ajo di të falënderojë Hyjin, që e shikoi vogëlsinë e saj, dhe njeh gjërat e mëdha që Ai realizon në jetën e saj; dhe merr udhën për të takuar kushërirën e vet Elizabetën, e moshuar dhe që ka nevojë për afërsinë e saj. Nuk mbetet e mbyllur në shtëpi, sepse nuk është një e re-divan që përpiqet të rrijë rehat dhe e sigurt pa e bezdisur askush. Është e nxitur prej fesë, sepse feja është zemra e gjithë historisë së Nënës sonë.

Të dashur të rinj, edhe Hyji ju vështron e ju thërret, e kur e bën këtë, sheh gjithë dashurinë që jeni të aftë të jepni. Sikurse e reja e Nazaretit, mund ta përmirësoni botën, për të lënë një gjurmë që shënon historinë, atë tuajën dhe të shumë të tjerëve. Kisha dhe shoqëria kanë nevojë për ju. Me mënyrat tuaja, me guximin që keni, me ëndrrat dhe idealet tuaja, bien muret e imobilizmit dhe hapen rrugët që çojnë në një botë më të mirë, më të drejtë, më pak mizore dhe më shumë njerëzore.

Gjatë kësaj ecjeje, ju nxis të kultivoni një marrëdhënie familjariteti dhe miqësie me Virgjërën e shenjtë. Është Nëna jonë. Flitini asaj si një Nëne. Me të, falënderoni për dhuratën e çmuar të fesë që keni marrë prej të parëve tuaj, dhe besojani asaj gjithë jetën tuaj. Si një Nënë e mirë ajo ju dëgjon, ju përqafon, ju do fort, ecën me ju. Ju siguroj se nëse do ta bëni këtë nuk do të pendoheni.

Shtegtim të mbarë drejt Ditës Botërore të Rinisë të vitit 2019.

Hyji ju bekoftë.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.