Meshari i Buzukut, kunora e dafinave

1037
0
Share:

Në datën 5 Janar, të vjetës 1555, prifti shqiptar Gjon Buzuku përfundoi së perkthyemi në shqip atë qe sod njihet si “Meshari” i Gjon Buzukut. Nji ndërmarrje gjigande që filloi me 20 Mars 1554 e përfundoi me 5 Janar 1555, tue na lanë mbrapan të parën vepër në shqip për sa dimë na deri më sot…I lindun në Ljarë, bri Liqenit të Shkodrës, prifti shqiptar fitoi përjetësisht Kunorën e Ljareve, si u asht thanë moti Dafinave…Me këtë vepër, Gjon Buzuku filloi nji traditë të paçmuar, traditën e levrimit të gjuhës shqipe, që për qindra vjet ma mbrapan u mbajt gjallë si traditë po nga ata, priftnit katolikë, përkundër përndjekjes nga pushtesit osmanë. Me kontributin e Bardhit, Budit, Bogdanit arriti me u përcjellë vetëdija shqiptare, e cila rrezikonte me humbë nëpër mugujt e terrtë të eklipsit shumëshekullor osman. Nji traditë që ma vona u fuqizua nga gjigandët Françeskanë dhe Jezuitë, bash njata që u banë pionierët e çdo lamie të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Më 5 janar, data kur na duhet ta kujtojmë me nderim Gjon Buzukun, priftin që ruejti dhe mbolli farën e shqiptarisë, tue e hedhun në nji tokë të zharitun nga zjermi shkatërrues i pushtuesve të urryem që u rreken me fshi gjithshka shqiptare. Kjo asht dita me u përkulë me nderim para Gjon Buzukut, atij që na e ruejti farën, asht dita që shqiptarët e vërtetë duhet me kujtue se sa shumë u detyrohemi na të tanë priftënve katolikë shqiptarë që sakrifikuen gjithshka për me përçue ndër brezni shpresën e shqiptarisë. Kontributet e tyne asnjiherë nuk janë vlerësue, Etnit Françeskanë ishin të parët që u masakruan nga komunistët, kur Murtaja e Kuqe pllakosi viset shqiptare. Etën si Bernardin Palaj dhe Donat Kurti, bash njata mbledhësit e palodhur të Visareve të Kombit, edhe pse të plakun e në moshë, me shëndet të drobitun – kruspull sa nji grusht eshtnash – pamëshirshëm u torturuen deri sa dhanë shpirt në duert e hetuesve shpirtkazmë të Enver Hoxhës, pikërisht njatyne hetuesve, të cilët sot nderohen e dekorohen nga qeveritë “demokratike” të Shqipnisë së sodit. Ky asht 5 janari!

Çdo shqiptar që kap në dorë një libër shqip, duhet me e kujtue Gjon Buzukun, priftin që Mesharin e përktheu me gërma latine, tue shenjue në shtegun e historisë tonë shqiptare se kultura perëndimore asht modeli që duhet me u ftillue nga na shqiptarët. Shekuj kaluen e mbas tij, për qindra vjet, ishin vetëm ata, priftnit katolikë, qe tanë besim e përkushtim mbajtën ndezun flakën e qirit të shpresës, me moton “Per Atme e Fe!” … Në njikyt traditë të shkëlqyeshme atdhetare u rrit At Gjergj Fishta, Françeskani i pavdekshëm që me veprën e tij u ba Homeri Shqiptar, me njikyt traditë u rrit Dom Ndre Mjedja, Jezuiti që na la perlat ma të përkryeme të poezisë shqipe. Pa mundin e tyne titanik nuk do kishte mujtë kurrë me u ruejtë fara e shqiptarisë qe rrezikoi me u zhdukë në honet e errëta, nëpër të cilat na qiti udha e mallkueme e historisë sonë. Edhe pak vjet e na kena me përkujtue 500 vjetorin e Mesharit : – “Ndihmom’ Zot si m’ke ndihmue/ Pesëqind vjet kishin kalue…”, por sikur edhe 5 mijë vjet me kalue shqiptarët e vërtetë kurrë nuk kanë me u dalë borxhi këtyne fatosave të qenësisë shqiptare që ruejtën ADN-në e Kombit, bash në kohnat e zvetënimeve historike! Nëse sot frymojmë shqip, nëse sot gjakojmë shqip, kjo asht ba e mujtun falë Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit. Ata që u përkujdesën me e mbushun me voj shpreset flakadanin e shqiptarizmës! Ky asht 5 Janari 2017, gjethet e Ljarit, (Dafinës), në Ljarë buzë Liqenit te Shkodrës, vazhdojnë me kenë të blerta rrotull vitit, asnjiherë nuk zverdhen, njashtu si nuk zverdhet kurrë shpresa se Shqipnia ka me u ba… NDÉRIM!

Bashkangjitun asht pasthania e “Mesharit” shkrue nga Gjon Buzuku:

U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh nukë kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit shenjtë, ensëh dashunit sëh botësë sanëh, desha me u fëdigunëh për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh saa hi naltë e hi mujtunë e hi përmishëriershim anshtë Zotynë atyneh qi tah duonë em gjithëh zemërë. U lus enbas sodi maa shpesh të vinih em kishëh, përseh ju kini meh gjegjunë ordhëninë e Tinëzot. E atëh nëh enbaroshi, Zotynëh tëh ketëh mishërier enbii juu, e atah qi u munduonëh dierie tash maa mos u mondonjënëh. E ju t’ini tëh zgjiedhunitë e Tinëh Zot, e përherë Zotynë kaa meh klenëh me juu: ju tueh endiekunë tëh dërejtënë e tueh lanë tëh shtrenbënë; e këta ju tueh baam, Zotynë ka me shtuom endër juu, se tëh korëtë tajh tëh englatetëh dierie ensëh vjelash, e të vjelëtë dierie ensë enbiellash. E u’ maa due tëh enbaronj vepërënë teme, Tinë Zot tueh përqyem. Endëh vjetët MDLIV njëhzet dit endëh mars zuna enfiill e enbarova endëh vjetët MDLV, endëh kallënduor V dit. E seh për fat nëh keshë kun enbëh endonjë vend fëjyem, u duoh tuk të jetëh fajtëh, aih qi tëh jetë maa hi ditëshim seh u’, atah fajh e lus tah trajtonjëh endë e mirë. Përseh nukë çuditëm seh në paça fëjyem, këjo tueh klenëh maa e para vepërë e fort e fështirëh për tëh vepëruom enbëh gluhët tanëh. Përseh mund mund e qëllonjinë, se fajh të mos banjinë; përseh përherë ëndajh tah nukë mundëh jeshëh u’ tue enbajtunëh njëh klishëh enbëh të dyy anët mëh duhë meh shërbyem. E tash u jam enfalëh gjithëveh, e lutëni Tinëh Zonëh endeh për muoh.”

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.