Në qelinë e vogël, nji frat i heshtun rrinte në gjunjë…

3912
0
Share:

…Në qelinë e vogël, nji frat i heshtun rrinte në gjunjë, kokulun, sa mezi dallohej levizja e buzëve. Edhe ai, si gjithë të tjerët priste fundin, n’atë mënyrën e vet.

…Nji shqelm i këpucës ushtarake, nji britmë si prej të cmenduni, nji shamje e ndytë dhe gaz histerik i dy të tjerëve te dera. Frati u ngrejt në kambë. Hodhi nji shikim nga unë, buzëqeshi dhe, tue më ba lehtas shejin e lamtumirës me krye, u nis për nji golgotë të re.

…Nuk kam ma masën e kohës. Mendoj të kem kalue orë të tana në vetmi. Tashti ndigjohet zhurma e ushtarakëve në shkallët prej betonit. Duket se po e bijnë. Korridoret vlojnë nga të qeshunat, nga talljet, nga shamjet e të ramët. Përsëri,hekuri i portës teme, sikur çirret. Nji ushtar, me nji të shtyme, përplasi kundër meje e murit nji trup puthuejse pa shpirt.

“Si ndjehesh, Padër”? – e pyeta unë kur, mbas shum fërkimesh e kujdesi (që nuk dijsha si ta përdoroj) e pashë se hapi sytë.

“Jam mirë,” – m’u përgjigj me gjysë zani, – “jam krejt mirë. U kam dhanë nji mësim të mirë.”

“Padër Çiprian, të kanë torturue shumë, ka kaq kohë që ke humb ndjenjat. Dishron pak ujë? ”

“Mirë, biri jem.” E mbasi piu dy grushta, me buzën në gaz vijoi:

“Më thanë se dojshin me bisedue akademikisht ekzistencen e Zotit. Ishin katër oficera të naltë. Kurrë s’kam kenë ma i lumtun. Çiprian, thashë me vedi, që nji rasë me meritue dashninë e mëshirën e të Lumit! U tregova, – e këtu i qeshi fytyra e nxime prej të ramesh, – u tregova nji prej arsyetimeve të Shën Tomës prej Akuinit.

Ka shum njerëz, – u thashë, – që për tanë jetën e tyne punojnë zi e ma zi e megjithatë, kalojnë nji jetë pa trazime e andje. Ka shum të tjerë që nuk pushojnë së përpjekuni për t’mirë e lumni të njerëzimit e megjithatë, kalojnë nji jetë plot vuejtje e përbuzje. Në këtë botë të krijueme, ku harmonia asht ligji themeltar, a nuk do t’ishte nji gja e padrejtë për Krijusin, mos me e ndreqë nji gjëndje të tillë të gjanave? Si qënje me arsye, jam i prirun me besue se duhet të ekzistojnë dicka tjetër që ndjek mbas kësaj jete të shkurtën njerzish, ku e mira dhe e keqja të gjejnë shpërblimin e ndëshkimin që meritojnë. Nji dicka, mendoj unë, që kalon kufijt njerzorë dhe të natyrës sonë, dicka mbinjerzore, dicka e mbinatyrshme, ku e keqja, e shtrembta nuk kanë vend.

Por nuk muejta me mbarue fjalët e mija, sepse ata humbën durimin e filluen t’më torturojnë. U baftë vullnesa e Tenzot! Nuk shqëtësohem për këtë. Asnji s’gjet mënyrën me u pergjegjë, vecse me dru e me shqelma. Më duket sikur kam ndigjue njenin të thotë : “Zoti jem asht Enver Hoxha.”

Unë qesha atëherë, si pa dashtë dhe, më beso, e mëshirova me zemër! Por buzëqeshjen teme, ata e morën si nji tallje për të parin e tyre. S’mbaj mend tjetër gja…”

 

Prof. Dr. Sami Repishti, bashkevuajtes

Marre nga libri i autorit Dr. Pjeter Pepa me titull “Tragjedia dhe Lavdia e Klerit Katolik ne Shqiperi

cn

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.