Nënë Tereza Shenjte: bota e kremton me gëzim e thjeshtësi

1813
0
Share:

Gjithnjë më e afërt, dita e madhe e shenjtërimit të Nënë Terezës, ngjarje kulmore e Jubileut të Mëshirës. Një turmë e pafundme besimtarësh priten, të dielën e ardhshme, në Meshën kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, për lartimin në nderimet e elterit të Nënës së të varfërve. Vëmendja e mediave përqendrohet në kremtimin e madh të së dielës, në Romë, por nuk është vetëm Roma në festë. Me të, është e gjithë bota. Sepse bota mbarë do ta kremtojë këtë ditë Nënë Terezën, që meritoi Çmimin Nobel për Paqen më 1979 e, të diel, më 4 shtator 2016, do të meritojë edhe titullin më të lartë që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për veprën që la pas: Shenjte.
E shohim përsëri Nënë Terezën, si të ishte ende e gjallë mes nesh. Në stendat e kishave, në muret e strukturave bamirëse, në faqet e gazetave e të revistave, në rrjetin e komunikimit shoqëror… Duke vënë buzën në gaz ndërmjet të varfërve të saj, në Kalkutë, e ndërsa flet me më të fundmit, por edhe me më të pushtetshmit e botës. E shohim përsëri në tribunën e OKB-së, mes prijësve të mirënjohur nga të katër anët e planetit, e sodisim pranë e pranë me Gjon Palin II, në Vatikan… Janë këto, disa nga portretet e kësaj gruaje të vogël-kaq-të-madhe, që na rikujtojnë çaste të ndryshme të jetës së saj të jashtëzakonshme, nësa afrohet dita e shenjtërimit të “lapsit të vogël në duart e Zotit”, siç e quante veten Nënë Tereza.
Në Kalkutë, Misionaret e Bamirësisë kremtojnë thjeshtësisht
Të prek, por jo gjithaq, mënyra që zgjodhën Misionaret e Bamirësisë për ta kremtuar këtë ngjarje kaq të madhe: thjeshtësi në kulm. Në Kalkutën, që jeton ditë jashtëzakonisht emocionuese, në pritje, Motrat e Nënë Terezës do të kremtojnë, më 4 shtator, “vetëm” një Meshë për Themeluesen e tyre, pasi të kenë ndjekur përmes televizionit, kremtimin eukaristik, kryesuar nga Papa Françesku. Gëzim e mirënjohje për Shenjtërimin – ky, binomi i përbashkët në të gjitha viset ku janë të pranishme Misionaret e bamirësisë, që nga skutat më të harruara të botës, deri në qytetet më të njohura të saj: nga Shën Gregori në Çelio, shtëpia e përvuajtur, ku Nënë Tereza pushonte kur ishte në Romë, deri në Vietnam, ku Shenjtorja ishte për vizitë pesë herë.
Edhe Kombet e Bashkuara e kujtojnë Çmimin Nobel për Paqen
Nënë e të varfërve, mbrojtëse e dinjitetit të njeriut që nga zënia, por edhe lidere botërore, e aftë për t’i mbledhur së bashku palët në konflikt e për t’u dhënë fund sherreve, në dukje të pafundme, ajo la pas kujtimin e një Gruaje me impenjim të gjithanshëm, që e çoi në tribunën e Nobelit për Paqen, ngjarje e madhe të cilën Kombet e Bashkuara po e kujtojnë me një ekspozitë, organizuar këto ditë nga Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Pallatin e Qelqit. Pikërisht këtu, në vitin 1985, duke ia paraqitur Asamblesë së OKB-së, sekretari i përgjithshëm i asokohshëm Pérez de Cuéllar, pati pohuar: “Nënë Tereza është më e rëndësishme se unë e se të gjithë ne. Është Kombet e Bashkuara! Është paqja në botë!”.

http://sq.radiovaticana.va/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.