Një i krishterë pa Jezusin është si shtrati i një lumi ku nuk rrjedh ujë.

125
0
Share:

Shumë të dashur të rinj studentë,

me këtë kremtim të Eukaristisë po fillojmë një vit të ri gjatë të cilit do të kujdeseni për vetveten me hov dhe angazhim të përtërirë nëpërmjet formimit tuaj kulturor.

Po, sepse qëllimi i formimit kulturor nuk është edhe aq njohja e nocioneve, se sa formimi i ndërgjegjes. “Të formosh ndërgjegjen” do të thotë “të bëhesh i vetëdijshëm” në lidhje me vetveten, me aftësitë e tua dhe me burimet e tua, për t’i vënë pastaj në shërbim të bashkësisë për të mirën e përbashkët.

Jo vetëm kaq! “Të formosh ndërgjegjen” do të thotë edhe “të bëhesh i vetëdijshëm” për kufizimet e tua, jo për t’u dorëzuar, por për të ushqyer në vetvete dëshirën për t’i kapërcyer ato.

Së fundi, “të formosh ndërgjegjen” do të thotë të jesh gjithmonë në kërkim të së vërtetës mbi vetveten, mbi realitetin në të cilin jeton. I krishteri e di se e vërteta duhet kërkuar gjithmonë: edhe kur duket se e kemi arritur, duhet ta rifillojmë kërkimin sepse ajo na tejkalon gjithmonë dhe ne jemi tepër të kufizuar për të thënë se e zotërojmë atë me të vërtetë.

Vetëm kështu, pikërisht nëpërmjet “formimit të ndërgjegjes” ju do të kujdeseni për vetveten sepse, para se të jetë një detyrë shoqërore, formimi është një detyrë personale që i bën mirë atij që e praktikon. Vetëm angazhimi kulturor-shpirtëror-fetar prodhon efekte që zgjasin në kohë, gjithë të tjerat kalojnë e mbarojnë. Mbaron bukuria, mbarojnë aftësitë fizike tipike të rinisë, mbarojnë ose ndryshojnë edhe marrëdhëniet ndërpersonale. Por angazhimi që sot do të jeni të aftë të merrni përsipër për t’u kujdesur për vetveten nëpërmjet formimit kulturor, do të mbetet përgjithmonë, (e sotmja lind të nesërmen)

Por për çfarë arsyeje e fillojmë këtë vit të ri formues me një kremtim eukaristik? Përgjigjja nuk është e padyshimtë. Ndoshta ndonjëri prej jush e konsideron si praktikë: bëhet kështu sepse kështu është bërë gjithmonë! Të tjerë mund të mendojnë se ne kështu tërheqim dashamirësinë e Hyjit në mënyrë që ta kryejmë vitin shkollor pa incidente të padëshirueshme.

Në të vërtetë, i krishteri nuk mund të jetojë pa Eukaristinë sepse ajo, sikurse thotë Koncili II i Vatikanit, është burimi (pra burimi prej të cilit gjithçka ka fillesë) dhe kulmi (pra pikarritja) e jetës së krishterë. Me fjalë të tjera, Eukaristi do të thotë të kremtojmë ekzistencën tonë, atë që Hyji na ka dhuruar, “nëpër Krishtin, me Krishtin e në Krishtin”! Në të vërtetë, shën Pali thotë: “Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke falënderuar me anë të Tij Hyjin Atë” (Kol 3,17). Ja, “Eukaristi” do të thotë pikërisht kjo: “Falënderim”.

Sot falënderojmë Hyjin sepse na dhuron përsëri mundësinë për ta marrë në dorë jetën tonë, sepse na lejon të ushtrojmë lirinë tonë në zgjedhjen e itinerareve formuese që na përshtaten më shumë ne, sepse na jep mundësinë të kujdesemi për vetveten dhe të vihemi në shërbim të shoqërisë për një Shqipëri që rritet nëpërmjet të rinjve të vet të angazhuar nga ana kulturore. Dhe duam edhe të marrim përsipër angazhimin që të realizojmë gjithçka në emër të Jezusit:

  • A studioj ndershmërisht duke e shmangur mashtrimin? E bëj këtë në emër të Jezusit!
  • A e angazhoj kohën time të lirë në ndonjë vepër bamirësie apo dobie publike? E bëj këtë në emër të Jezusit!
  • A krijoj marrëdhënie afektive në miqësi apo në dashurim? E bëj këtë në emër të Jezusit!

Një i krishterë pa Jezusin është si shtrati i një lumi ku nuk rrjedh ujë; është si një hark pa shigjetë: nuk duhet asgjë!

A e shihni? E kemi zgjedhur këtë ditë për të kremtuar sepse sot është festa e Sh. Gjon Palit II, shenjtit të të rinjve, që në këtë katedrale, vetëm 22 vjet më parë, i dha përsëri shtysë krishterimit në tokën tonë, pas viteve të përndjekjes. Ju e dini tashmë, por është gjithmonë mirë ta përsërisim: çdo diktaturë për të qenë e tillë ka nevojë ta zhdukë atë që i kundërshton, pra atë që mendon me kokën e vet! A e keni pyetur ndonjëherë veten përse pjesa më e madhe e të përndjekurve politikë të komunizmit në të gjitha anët e botës kanë qenë të krishterët? Sepse mendonin me kokën e vet, sepse ishin persona të kulturës: të vetmit që mund t’i kundërshtonin gënjeshtrës së regjimit.

Gjon Pali II, në këtë katedrale, i ktheu Shqipërisë krishterimin, i dhuroi disa ipeshkvinj të cilët, nga ana e tyre, ringritën klerin dhe bashkë me të edhe mundësinë për t’i nxitur të gjitha bashkësitë e krishtera të shpërndara në tokën tonë. Ai tha: “Nuk duhet ta harrojmë atë që ka qenë! Të shikojmë përpara që të ndërtojmë një të ardhme të lirë dhe sipas përmasës së njeriut të drejtë; por duhet të mbajmë parasysh përvojën e kaluar, për të mos përsëritur të njëjtat gabime të një periudhe aq të mjerë. Ajo që ka ndodhur në Shqipëri është diçka që nuk ka ndodhur kurrë gjatë historisë”. Ja përse këtë vit, me rastin e 25-vjetorit të Meshës së Shenjtë publike në varrezat katolike të Shkodrës, të kremtuar nga dom Simon Jubani, dëshirojmë të bëjmë gjithçka është e mundur që “ajo që ka qenë” të mos harrohet, por të shërbejë si paralajmërim dhe nxitje në ndërtimin e së tashmes dhe të së ardhmes.

Edhe ju, të dashur të rinj, e keni këtë detyrë. Ju jeni brezi i atyre që janë duke gëzuar lirinë e fituar me gjakun e martirëve të Kishës sonë, dhe prandaj jeni edhe ata që kanë detyrën shumë të bukur që ta mbajnë të gjallë kujtimin e tyre për brezat e ardhshëm. Falë tyre keni mundësinë ta shprehni lirisht fenë tuaj dhe të mund ta kërkoni të vërtetën nëpërmjet angazhimit kulturor të ndaluar për rreth 50 vjet diktaturë. Bëni që të njihen martirët tanë, dashuria e tyre për Shqipërinë dhe për fenë në Krishtin: lexojini historitë e tyre, lejoni që të ndizeni prej të njëjtave ndjenja dhe prej të njëjtit guxim.

A mendoni se e sotmja është ndryshe prej së djeshmes? Jo, të dashur miq, nuk është kështu!!! Ju sot duhet të luftoni të njëjtat ideologji të kundërta me të mirën e përbashkët dhe me krishterimin: duhet të luftoni korrupsionin që nuk është vetëm përreth jush, por duke nisur prej qëndrimeve dhe prej zgjedhjeve personale që secili prej jush bën çdo ditë; duhet të luftoni gabimin e madh që të mendoni se gjithçka jua kanë për borxh dhe se mund të bëhet pasuri pa luftuar, ndoshta nëpërmjet fitimeve jo të pastra dhe të pandershme; duhet të luftoni kundër atyre që duan ta prishin moralitetin nëpërmjet zgjedhjeve antikristiane në lidhje me familjen dhe seksualitetin.

A e dëgjuat me kujdes se çfarë na tha shën Pali në leximin e parë të kësaj Meshe? “Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të fëlligështisë e të çrregullimit…ashtu tani i vini në shërbim të drejtësisë që të shenjtëroheni”

Është një ndryshim që duhet bërë me guxim në jetën tonë: dikur ishim dhe silleshim në njëfarë mënyre, sot që e dimë se ku është e vërteta dhe ku mund ta kërkojmë atë, duhet të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm, duhet të marrim përsipër një stil të ri jete, atë që na ka treguar Krishti. Ai na ka liruar prej prishjes së njeriut të vjetër, atij që bën të keqen, na ka treguar një rrugë të sigurt kur na ka thënë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”. Prandaj kemi mundësinë të bashkohemi me Të dhe të jemi persona të rinj, të aftë të bëjnë atë që është e drejtë dhe ta lëmë mënjanë atë që është e gabuar.

Psalmi përgjegjës i shpall të lumë pikërisht ata që dinë ta bëjnë këtë zgjedhje me guxim dhe zemërgjerësi. Po, nuk është e lehtë, duhet “guxim dhe zemërgjerësi”. Përsenë na e shpjegon vetë Jezusi në Ungjill: çfarë duan të thotë ato fjalë aq të ashpra të Jezusit? Pikërisht këtë: asnjë pikësynim nuk arrihet pa mundim.

E di mirë këtë fshatari që then shpinën për t’i lejuar tokës që të prodhojë frytet e veta. E di mirë këtë i dashuruari që pasi bën një zgjedhje, lë mënjanë të gjitha mundësitë e tjera. E dinte mirë këtë Jezusi që duke zgjedhur që të realizonte planin e shëlbimit të botës iu desh të flijonte jetën e vet. Të zgjedhësh do të thotë “të vendosësh”, nga latinishtja “të presësh”.

Të dashur të rinj, para jush është një e ardhme plot me mundësi: bëhet fjalë të zgjidhni. Mund ta kuptoj nëse dikush prej jush ka frikë, por po ju them vetëm këtë: fshatari në fund gëzon frytet e veta, ai që është i dashuruar gjen gëzim pikërisht prej zgjedhjes që ka bërë, ringjallja (jo vdekja) është epilogu i historisë njerëzore të Jezusit. Është si një film të cilit ia njohim që më parë përfundimin e mirë: bëhet fjalë vetëm që ta shohim të gjithin për të kuptuar se si arrihet ai përfundim i mirë.

Ju uroj të gjithëve ju një vit dhe një jetë “me përfundim të mirë”. Ju uroj të keni “guximin” dhe “zemërgjerësinë”, të bëni zgjedhjet e nevojshme për ta realizuar atë. Prandaj ju uroj edhe që të dini të kujdeseni për veten nëpërmjet angazhimit të një viti të ri formues kulturor-shpirtëror-fetar që, jam i sigurt, do të dini ta integroni me pjesëmarrjen në të gjitha ato ngjarje që Baritorja Rinore e Dioqezës sonë ka menduar për ju.

Urime dhe Hyji ju bekoftë.

  • Imzot Angelo Massafra
Share:

Leave a reply

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.