NJË LIBËR I NËNË TEREZËS ME PARATHËNIE NGA PAPA FRANÇESKU.

725
0
Share:

Sapo është botuar në Itali një libër i ri me shkrime të Nënë Terezës, që përmbledh dy fjalime të saj, të pabotuara më parë, të mbajtura në Milano në vitin 1973. Libri titullohet “Ta duam të padashurin” dhe parathënia është shkruar nga vetë Papa Françesku.
Jehona në media ka qenë e ndjeshme. Gazeta “Corriere della Sera” shkruan për librin dhe parathënien. Atit i Shenjtë përqendrohet në pesë çështje: lutja, bamirësia, mëshira vepruese, familja, të rinjtë.
Papa ndërkaq nëpërmend të rinjtë shqiptarë që ka njohur gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 21 shtator të vitit 2014.
Dhe ja ç’shkruan: “Thonë që Shqipëria është vendi më i ri në moshë në Europë. E tani të gjithë të rinjve u them: fluturoni lart si shqiponja, simbol i vendit të Nënë Terezës”.
Françesku përsiat në pesë çështjet që parangre: te lutja duke na kujtuar se “Nënë Tereza e fillonte ditën duke shkuar në meshë dhe e mbyllte me Adhurimin e Jezusit në Sakrament”. Dashuri pafund. Vetëm kështu puna mund të shndërrohet në lutje, shpjegon Papa.
E dyta në rënditje por jo nga rëndësia është dashuria e krishterë, të bërit mirë në emër të Krishtit. E kjo do të thotë, sipas Papa françeskut, “të bëhesh i afër me burrat dhe gratë që takojmë çdo ditë, në rrethinë… e të bëhemi dëshmitarë të ledhatimit të Zotit për çdo plagë të njerëzimit, që të mund t’u ofrojmë njerëzve atë ledhatim, që e dëshirojnë, bashkë me praninë dhe afërsinë e Tij”.
Lidhur me përdëllimin, mëshirën vepruese, Papa kujton se me përkujdesin për shëndetin dhe shpirtin, jemi të thirrur t’i gjendemi pranë çdo njeriu, “për të rizgjuar ndërgjegjet tona, shpesh të dremitura, përballë dramës së varfërisë e për të hyrë gjithnjë më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore”.
Nënë Tereza i pati këto faqe të Ungjillit – thekson Papa Françesku – prijëtare të jetës së saj, udhë drejt shenjtërisë, që mund të jetë dhe udha jonë.
Fjala e katërt, familja. Nga nëna e babai mësojmë – shkruan Papa – të buzëqeshim, të falim, të flijohemi për njëri-tjetrin, siç na fton Nënë Tereza.
E në fund, po aq e rëndësishme, për të rinjtë, me të cilët do të takohet javën e ardhshme në DBR-në të Krakovit, teksa i fton ata që të jenë “ndërtues urash, për ta copëtuar logjikën e përçarjes, të përjashtimit, të frikës së njeriut prej njeriut e për t’u vënë në shërbim të më të varfëve të të varfër.
Po kështu Papa i nxit të rinjtë ta përballojnë me guxim jetën, që është dhuratë e Zotit e të mos lejojnë t’ua rrëmbejë kush ardhmërinë nga duart e tyre.
Në libër gjithashtu pohohet se, sipas Nënë Terezës, “sëmundja më e rëndë nuk janë as kolera, as tuberkulozi, por vetmia”. Prej saj burojnë një mori çrregullimesh, përçarjesh e luftërash, që sot e trondisin rëndë njerëzimin.
Universaliteti i Nënë Terezës na ngazëllen dhe na bën, po aq sa krenarë, edhe të ndërgjegjshëm më shumë për të bërë më shumë. Bija e popullit tonë do të shenjtërojhet në 4 shtatorin e sivjetshëm, ngjarje me jehonë botërore, që duket sikur i jep dhe popullit të saj më shumë dritë shenjtëruese,
prandaj dhe kërkon që vendi i Saj, ne të gjithë, të flasin dhe të veprojmë më shumë për Nënën tonë të madhe duke dëftuar se jemi të denjë për shenjtoren tonë. Për më tepër të veprojmë siç do të donte Ajo.
Mirënjohje Selisë së Shenjtë,
Mirënjohje Papa Françeskut!

Vatikan/Ambasciata di Albania presso la Santa Sede

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.