Papa hap Portën Shenjte: është Jubileu i mëshirës së Zotit

194
0
Share:

Papa Françesku përuroi solemnisht Vitin Shenjt të jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore, duke hapur e duke kapërcyer, pak para orës 11.00, Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, pasi kryesoi Meshën Shenjte në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte një gjest, që pritej nga mbarë bota. Ati i Shenjtë mbështeti duart mbi bronzin e Portës së madhe, ndonëse privilegjin e hapjes së Portës së parë Shenjte e ruajti për zemrën e Afrikës, për drurin e një porte shumë më pak madhështore, por, për Papën e periferive, jo më pak shenjte:

“O Zot, ti që e dëfton gjithëpushtetin tënd posaçërisht me mëshirën ndaj njerëzve, bëj që të jetojmë një vit hiri, kohë e përshtatshme për të të dashur Ty e vëllezërit, në gëzimin e Ungjillit. M’i hapni portat e drejtësisë…”.

Hapja e Portës Shenjte

Në orën 11.11 ndjehet goditja e trokaçes e kapakët e Portës hapen e mondovizioni regjistron në kundërdritë, hijen e Françeskut me krahë hapur, me sfond, gjysëm hijen, në të cilën është zhytur Bazilika. Pas shpatullave të tij, pak hapa më larg, me duar bashkë në lutje, duket Papa Benedikti XVI,  edhe ai i pranishëm në këtë kremtim, në të cilin edhe prania e tij është e jashtëzakonshme në historinë e jubileve:

“…. Nëpër mëshirën tënde të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde, o Zot”, shqipton Papa.

Porta e dashurisë

Françesku ecën ngadalë-ngadalë përpara, drejt Elterit të Dëshmisë. Pas tij shtillet procesioni i gjatë i kardinajve, ipeshkvijve, priftërinjve,.. E jashtë, si për të krijuar një skenë misterioze, edhe shtëllungat e reve të zeza, që rëndonin mbi Kupolë, pas një rigu shiu, çahen e lëshojnë mbi Bazilikën në festë, shigjeta rrezesh të arta dielli, që dalëngadalë i dëbojnë retë për ta veshur me dritë Sheshin madhështor:

“Do të jetë një vit, në të cilin do ndjehet fuqimisht forca e dashurisë, që fal!”.

Këtë i kujton Papa mbarë njerëzimit, nga Bazilika e Popujve. Porta është  hapur……

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.