Papa: historia e refugjatit të zbathur ia preku zemrën taksistit

497
0
Share:

Një zonjë bujare, një shofer taksie i acaruar nga trafiku dhe nga jeta, një refugjat i zbathur, që mbante erë. Këta janë personazhet e “historisë së vogël qytetare”, që u tregoi sot Papa Françesku, 35 mijë besimtarëve të mbledhur në audiencën e përgjithshme, pavarësisht nga shiu.

“Disa ditë më parë – ndërpreu Papa katekizmin, për të treguar këtë ndodhi – një refugjat po kërkonte një rrugë e një zonjë iu afrua dhe e pyeti: ‘Ku doni të shkoni?’ Ishte pa këpucë ai refugjat, që iu përgjigj: ‘Dua të hyj në Shën Pjetër e të kaloj Portën Shenjte’. Atëherë – vijoi Françesku – zonja i thirri një taksi, por ai refugjat kutërbonte erë të keqe e shoferi, gati-gati, nuk donte që ai të hypte në makinë. Më në fund, e la të hynte e gjatë udhëtimit dëgjoi historinë e dhimbjes, të luftës, të urisë e shpjegimin pse kishte ikur nga shtëpia. Kur mbërritën në Shën Pjetër, zonja hapi çantën për të paguar, por shoferi, që në fillim nuk donte ta linte të hypte, i tha: ‘jo zonjë, jam unë që duhet t’ju paguaj, sepse më bëtë të dëgjoj një histori, që më preku në zemër’”.

Papa Françesku përvijoi edhe ‘moralin’ e këtij episodi, ç’mësojmë prej tij. “Kur bëjmë diçka të tillë – theksoi – fillimisht e refuzojmë dikë, sepse mban erë të keqe, por, nëse në fund i afrohemi, ai na parfumon shpirtin”. E pastaj dha një detaj, që nuk e tregoi në fillim: “kjo zonjë e dinte ç’ishte dhimbja e emigrantit, sepse kishte gjak armen në dej dhe e njihte vuajtjen e popullit të vet”.

 

http://sq.radiovaticana.va/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.