Papa përmend Shqipërinë: forca më e madhe e Kishës janë Kishat e persekutuara

3135
0
Share:

Forca më e madhe e Kishës, sot, janë Kishat e persekutuara. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Homelia e Atit të Shenjtë u përqendrua tek martirët, numri i të cilëve është më i madh se në shekujt e parë. Mediat nuk e thonë, nënvizoi Papa, sepse për to nuk përbën lajm. E përmendi edhe Kishën e heshtimit në Shqipëri e shembullin e katolikëve shqiptarë të persekutuar.

Të kujtojmë ata, që vuajnë dhe japin jetën për Krishtin

Por, “pa kujtesë, nuk ka shpresë”, theksoi Françesku, duke perifrazuar Letrën drejtuar Hebrenjve, leximin, që propozon sot Liturgjia e ditës. Në kapitullin XI flitet pikërisht për kujtesën. Sot, këshilloi Papa, duhet të kujtojmë bindjen e Abrahamit, i cili doli nga toka e vet, pa e ditur ku shkonte, por thjesht, sepse kështu e urdhëroi Zoti. E kjo është kujtesa e “bindjes”. Por ka edhe dy lloje të tjera kujtese. Së pari, kujtesa e veprave të mëdha, që Zoti ka bërë në njerëz. Të kujtojmë, tha Ati i Shenjtë, veprat e Gedeonit, Barakut, Samsonit, Davidit, ndikimin e tyre në historinë e Izraelit. E kujtesa e tretë për të cilën foli më gjatë Papa, është pikërisht kujtesa e martirëve. Të kujtojmë ata, që vuajnë dhe japin jetën për Krishtin, që u vranë e u torturuan deri në martirizim:

“Martirët janë ata, që e çojnë përpara Kishën; janë ata, që e mbështesin Kishën, që e kanë mbështetur dhe e mbështesin sot. E sot, janë më shumë se në shekujt e parë. Mediat nuk flasin, sepse nuk është lajm për to, por shumë të krishterë sot janë të lum, sepse persekutohen, shahen, burgosen. Ka shumë në burg, vetëm sepse mbajnë kryqin në qafë, ose shpallin hapur besimin e tyre në Krishtin! Kjo është lavdia e Kishës, është mbështetja jonë, por edhe poshtërimi ynë: ne që kemi gjithçka, gjithçka na duket e lehtë e nëse na mungon ndonjë gjë, ankohemi… Le të mendojmë për këta vëllezër e motra, që sot vuajnë martirizimin në një numër më të madh se në shekujt e parë!”

Forca e Kishës është në Kishat e vogla të persekutuara

“Nuk mund të harroj – vijoi Papa Françesku – dëshminë e atij meshtari e të asaj murgeshe në katedralen e Tiranës: vite e vite me burgime, punë të detyruar, poshtërime”. Për ta nuk ekzistonin të drejtat e njeriut. Edhe sot, forca e Kishës janë pikërisht këto Kisha të vogla të persekutuara, theksoi Ati i Shenjtë:

“E edhe ne, është e vërtetë dhe e drejtë kur kënaqemi me një akt kishtar të madh, që ka pasur shumë sukses, …të krishterët që duken… E kjo është bukur! A është kjo forcë? Po, është forcë. Por forca më e madhe e Kishës së sotme është në Kishat e vogla, madje shumë të vogla, me pak njerëz, me të persekutuar, me ipeshkvijtë në burg. Kjo është lavdia jonë sot, kjo është lavdia dhe forca jonë sot”.

Gjaku i martirëve është farë e të krishterëve

“Kisha pa martirë – do të guxoja të thosha – është kishë pa Jezusin”, pohoi më pas Papa Françesku, i cili ftoi të lutemi për të persekutuarit e për Kishat, që s’janë të lira ta shprehin fenë e tyre. E citoi Tertulianin: “Gjaku i të krishterëve, gjaku i martirëve, është farë e të krishterëve të rinj”:

“Ata, me martirizimin e tyre, me dëshminë e tyre, me vuajtjen e tyre, edhe duke dhënë jetën, hedhin farën e të krishterëve për të ardhmen e për Kisha të tjera. E ofrojmë këtë meshë për martirët, për ata që vuajnë, për Kishat që vuajnë, që s’kanë liri. E falenderojmë Zotin që jemi të pranishëm me forcën e Shpirtit të Tij në këta vëllezër e motra, që sot, japin dëshmi për Të”.

 

http://sq.radiovaticana.va/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.