Papa Shën Gjon Pali II, nga vdekja deri në nderimet e altarit!

150
0
Share:

Sot më 22 tetor, Kisha katolike, për të dytën herë që nga shenjtërimi, kremton festën liturgjike të Papa Shën Gjon Palit II. Po i kujtojmë çastet kryesore, nga thirrja e popullit të Zotit “Wojtila Shenjt, menjëherë”, në ditën e funeralit të tij në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 8 prill 2005,, deri tek nënshkrimi përfundimtar i çështjes kanonike, që e lartoi Gjon Palin II në nderimet e altarit më 27 prill 2014.
“Shenjt, menjëherë”, shkruhej në parrullat, që shpalosën besimtarët në Rrugën romake të Pajtimit, përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, kur një turmë vigane merrte pjesë në salikimet e Gjon Palit II, në shekull, Karol Wojtila. Populli katolik e shikonte si njeri të shenjtë e dëshironte që edhe Kisha ta shpallte shenjt.
Shenjtëria e Tij Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në orën 21. 37 minuta, në apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Vdiq pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit.
Pasi u dha lajmi për vdekjen e Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim prekës. Pastaj të gjitha këmbanat e kishave të Romës ranë përnjëherësh përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit.

Gjon Pali II (latinisht Ioannes Paulus II), në shekull Karol Vojtila (Karol Józef Wojtyla), lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovit) më 18 maj të vitit 1920.
I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI.
I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.
Duke nisur që nga data e vdekjes e për nëntë ditë me radhë u kremtuan salikimet për pushimin e Tij të pasosur.
Filluan menjëherë të gjitha procedurat e parashikuara në Kushtetutën apostolike “Universi Dominici gregis”, shpallur nga Gjon Pali II më 22 shkurt 1996.
Sipas Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis” (Grigja Universale e Zotit), Konklavi për zgjedhjen e papës pasardhës, do të fillonte brënda 20 ditëve, pas vdekjes së Gjon Palit II.
Kardinali Anxhelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kremtoi në Vatikan Meshën parë të nëntëditshit për shpirtin e Papës, e pikërisht në solemnitetin e Mëshirës Hyjnore.
Trupi i Gjon Palit II u vendos në Bazilikën e Vatikanit për homazhet e besimtarëve duke nisur nga dita e hënë, 4 prill, pasdite.
Që aso kohe, tek Lumnimi, kaluan vetëm 6 vjet. Kohë rekord, përjashtim nga ligji i Kishës, mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, që të nisë procesi, i cili mund ta çojë në nderimet e elterit.
E që aso kohe, tek shenjtërimi, sot, më 27 prill 2014, vetëm 9 vjet.
Më 14 janar 2011, Papa Benedikti XVI nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u shpall i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, i kryesuar nga Benedikti XVI. Ishte e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Vojtila e për mbarë popullin polak.
Sigurisht ky lajm, që mori menjëherë dhenë, e vuri edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Vojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e Parkinsonit.
Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit, që filloi pa pritur të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike, sepse Benedikti XVI nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi i tij, kur ishte fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë, vdekur më 1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve – e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që gëzonte Papa Vojtila sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpjegoi se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy lehtësi. E para kishte të bënte me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta, me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike të Kongregatës përkatëse. Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej çdo dyshim e të kapërcehej çdo vështirësi, që mund të dilte më pas.
Më 14 janar 2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Vojtila).
Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit 2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe në dioqeza të tjera.
Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike.
Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit.
Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar.
Më 19 dhjetor 2009 Papa Benedikti XVI autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga sëmundja e Parkinsonit.
Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht.
Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II.
Më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.
Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa Françesku.

http://sq.radiovaticana.va/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.