Papa: ta braktisim jetën dyfytyrëshe, mos ta vonojmë kthimin tek Zoti

3140
0
Share:

Mos i shkandullo “të vegjlit” me jetën dyfytyrëshe, sepse shkandulli shkatërron. Kjo thirrja e Papës Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar në mëngjes, në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë Françesku na nxit të mos e shtyjmë për më vonë kthimin te Zoti.

“Preje dorën”, “nxirre syrin”, por “mos i shkandullo të vegjlit” domethënë të drejtët, “ata që mbështeten në Zotin, ata që, thjesht, besojnë në Zotin”. Ky qortimi i Papës në homelinë e meshës së mëngjesit, duke u nisur nga pjesa e Ungjillit të sotëm sipas Markut (Mk 9,41-50). Për Zotin, vërtet, shkandulli është shkatërrim, pohoi Papa:

“Po çka është shkandulli? Shkandull është të thuash një gjë e të bësh tjetrën; është jeta dyfytyrëshe. Jetë dyfytyrëshe në gjithçka: të thuash unë jam shumë katolik, unë shkoj gjithmonë në Meshë, i përkas kësaj shoqate e një tjetre akoma; mirëpo kur e shikon realitetin, jeta ime nuk është e krishterë, sepse nuk i paguaj si duhet punëtorët, i shfrytëzoj njerëzit, nuk jam i pastër në biznes, bëj riciklimin e parave… kaloj një jetë me dy fytyra. E shumë katolikë janë kështu, e shkandullojnë. Sa herë kemi dëgjuar – të gjithë ne, në lagje e në vende tjera – ‘po nëse je katolik si ky, nëse jemi katolikë të tillë, atëherë më mirë të jesh ateist’. Ky është shkandulli. E mos të harrojmë se shkandulli të shkatërron. Të lëshon përtokë. E kjo ndodh për ditë, mjaft të shikosh lajmet e televizionit a t’i lexosh gazetat. Në gazeta ka kaq shumë shkanduj e ka edhe propagandë me shkanduj. E shkandujt të shkatërrojnë”.

E Papa, në vazhdim të homelisë, përmendi shembullin e një firme të rëndësishme, që ishte duke falimentuar. Autoritetet donin ta shmangnin grevën e drejtë të punëtorëve, e cila, gjithsesi, nuk do ta kishte zgjidhur punën e, donin të flisnin me drejtuesit e firmës. Njerëzit, ndërkaq, nuk kishin para as për nevojat e përditshme, sepse nuk merrnin rrogën. Ndërsa përgjegjësi – katolik ky – po bënte pushimet në një plazh në Lindje të Mesme. Lajmi nuk doli në gazeta, por njerëzit e morën vesh e u zemëruan, natyrisht. “Këta janë shkandujt”, tha Papa Françesku:

“Jezusi thotë, në Ungjill, për këta që bëjnë shkanduj, pa e thënë fjalën shkandull, por që kuptohet: ‘Po si, ti do të mbërrish në Qiell e do të trokasësh në portë e dëgjon zërin që thotë: ‘Jam unë, Zoti!’ – ‘Ah po, a nuk të bie ndërmend për mua? Unë shkoja në Kishë, të rrija afër, i përkisja filan shoqate, bëja këtë e atë…a nuk i kujton të gjitha ofertat (lëmoshat) që kam bërë?’ –‘Po, më kujtohen. Lëmoshat, ato i kujtoj: të gjitha para të pista. Të gjitha u janë vjedhur të varfërve. Nuk të njoh’. Kjo do të jetë përgjigja e Jezusit ndaj këtyre njerëzve shkandullues, që bëjnë jetë me dy fytyra”.

“Jeta dyfytyrëshe vjen kur ndiqen pasionet e zemrës, mëkatet kryesore, që janë plagët e mëkatit të rrjedhshëm (origjinal)”, tha Papa. Pikërisht Leximi I i Meshës së sotme nga Libri i Siracidit (Sir 5,1-10) na nxit të mos i përfillim e të mos mbështetemi në pasuritë materiale, të mos themi: “Kam sa më duhet për vete”. Prandaj, Papa Françesku bëri thirrje të mos e shtyjmë për më vonë a për një herë tjetër kthimin te Zoti:

“Të gjithë ne, çdonjërit prej nesh, do t’i bëjë mirë, sot, të mendojë nëse ka diçka nga jeta me dy fytyra, nëse mundohemi të paraqitemi para të tjerëve si të drejtë, të dukemi si besimtarë të mirë, si katolikë të mirë, mirëpo në anën tjetër, bëjmë krejt ndryshe; të mendojmë nëse ka diçka nga jeta dyfytyrëshe brenda nesh, nëse mbështetemi me tepri në gjërat që nuk janë në përkim me vullnetin dhe me planin e Zotit. E të mos mendojmë ‘epo mirë, e di se një ditë Zoti do të m’i falë pastaj të gjitha gabimet e mëkatet, e ndërkohë unë vazhdoj….”.

E pastaj të mos themi: ‘Po, kjo kështu nuk shkon mirë, do të kthehem, por sot jo: nesër’. Ta mendojmë këtë, përfundoi Ati i Shenjtë. E të përfitojmë nga Fjala e Zotit e të mendojmë se Zoti, në këtë, është shumë i ashpër. E të mos harrojmë se shkandulli shkatërron”.

 

http://sq.radiovaticana.va

Share:

Leave a reply

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.