Papa: ta përdorim Biblën si celularin, gjithnjë me vete, për ta lexuar.

2012
0
Share:

Të mësohesh me Biblën e ta lexosh shpesh, siç bëhet me celularin, të ndihmon të luftosh kundër së keqes e të mos largohesh nga Zoti dhe nga rruga e së mirës. Kjo, porosia e Papës në Engjëllin e Tënzot të së Dielës së parë të Kreshmëve, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit nën shi e me njerëz të panumërt nën ombrella, që dukeshin si lule shumëngjyrëshe në këtë fillim të qullur pranvere.

Ungjilli i së Dielës I të Kreshmëve i prin ecjes kah Pashkët, e Papa, në Engjëllin e Tënzot kujtoi pikërisht 40 ditët e Jezusit në shkretëtirë, nënshtruar tundimit të djallit:

“Kjo ngjarje ndodh në një çast të veçantë të jetës së Jezusit, menjëherë pas Pagëzimit në lumin Jordan e para se të niste misionin e tij publik, kur Krishti doli nga uji e u hapën qiejt e u pa Shpirti i Zotit duke zbritur mbi të si pëllumb. E një zë, që vinte nga qielli, tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri’(Mt 3,17). Tashmë Jezusi është gati për ta filluar misionin e Tij e, me që ka një armik të deklaruar, Shejtanin, ndeshet menjëherë me të trup për trup”.

Me tundimin e trefishtë, djalli – shpjegoi Françesku – dëshiron ta shkëpusë Jezusin nga udha e bindjes, dhe sepse është kjo udha, që do ta shpartallojë të keqen, për t’i prirë drejt shtegut të shkurtër të suksesit e të lavdisë.

Por, Jezusi i pret shigjetat e helmatisura të djallit me mburojën e Fjalës së Zotit (vv. 4.7.10), simbol i vullnetit të Atit. Jezusi nuk flet asnjë fjalë të veten: përgjigjet vetëm me Fjalën e Zotit. E kështu Biri, përplot me forcën e Shpirtit Shenjt, del fitimtar në shkretëtirë.

Prej këndej, gjatë dyzet ditëve të Kreshmëve, të krishterët janë të ftuar  të ndjekin gjurmët e Jezusit e ta përballojnë luftën shpirtërore kundër Shejtanit me forcën e Fjalës së Zotit. Sepse është pikërisht Fjala e Tij, që ka forcën për ta mundur Shejtanin, e jo fjala jonë e paforcë. E ja pra, pse duhet ta lexojmë sa më shpesh Biblën, ta meditojmë, ta përvetësojmë. Duhet – shtoi Papa – të mësohemi me Biblën:

“Dikush ka thënë: ç’do të ndodhte, nëse do ta përdornim Biblën, si përdorim telefonin tonë celular? Nëse do ta mbanim gjithnjë me vete Shkrimin Shenjt, ose të paktën një Ungjill të vogël xhepi, ç’do të ndodhte?  E ç’do të ndodhte, nëse do të ktheheshim prapa për ta marrë, kur e harrojmë: si bëjmë kur harrojmë celularin, eh? Nuk e kam, kthehem prapa për ta kërkuar… Ç’do të ndodhte, nëse do ta hapnim jo një herë, por shumë herë në ditë? Nëse do të lexonim mesazhet e Zotit në Bibël, si lexojmë mesazhet e telefoninit, ç’do të ndodhte? … Krahasimi natyrisht është paradoksal, por të bën të reflektosh. Në të vërtetë, po ta kishim Fjalën e Zotit gjithnjë në zemër, kurrfarë tundimi nuk do të mund të na bënte të largoheshim nga Zoti e kurrfarë pengese, të dredhonim rrugë, duke e braktisur rrugën e së mirës. Me Fjalën e Zotit në shpirt, do të dinim t’i mundnim joshjet e përditshme të së keqes, në ne e jashtë nesh. Do të bëheshim më të aftë për të jetuar një jetë të ringjallur, sipas Shpirtit Shenjt, duke i mirëpritur e duke i dashur vëllezërit tanë, posaçërisht ata, që janë më të ligshtë e më nevojtarë, e edhe armiqtë tanë”.

Kreshmët janë udha e popullit të Zotit drejt Pashkëve, udhë pendese, kthese, lufte kundër së keqes, me armët e lutjes, të agjërimit, të veprave të bamirësisë.

Me këto fjalë e përfundoi Papa lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke u kërkuar përsëri  besimtarëve të mësohen me Biblën, si me celularin:

“Mendojeni këtë. Biblën gjithnjë me ne, pranë nesh”.

http://sq.radiovaticana.va

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.