Po sikur Zoti të mos ekzistonte!?

202
0
Share:

Nga Dom Gasper Kolaj

Në vazhdën e hulumtimeve nga më të ndryshmet, e sidomos në përparimin kaq të shpejtë të shkencës, njeriu has në shumë vështirësi për të kuptuar realitetin e thellë të vetin. Natyra e qenies njerëzore është bërë për të pyetur, prandaj në kontekstin e vet pyetës njeriu çdo ditë e më shumë kërkon të dijë e të kuptojë, jo vetëm mbi atë që e rrethon, por kryesisht mbi vetveten. Pyetjet themelore dhe ekzistenciale: Kush jam unë? Për cilën arsye jam në këtë botë? – përbëjnë në vetvete dëshirën e zjarrtë të tijën për të ditur e për të “zhbiriluar” gjithçka.

Mirëpo, këtyre pyetjeve kaq të rëndësishme i bashkëngjiten edhe pyetjet e tjera bazike, siç janë ato mbi ekzistencën e Zotit, mbi të qenurit e tij, mbi të kuptuarit e tij, si edhe dëshira e madhe për të arritur përtej asaj çka shihet e çka përceptohet prej mprehtësisë aryetuese; elementë këto që ia shtojnë njeriut nderin e të qenurit filozof, d.m.th, dashurues i zjarrtë i dëshirës për të ditur.  Pra, në një pohim paraprak, mund të pohojmë se njeriu në përditshmërinë e tij është në kërkim të vetvetes, e duke qenë e tillë situata, ky pasion e shtyn të zbulojë edhe nevojën për të ditur se kush është Krijuesi i vet, sepse të dy së bashku nuk bëjnë pa njëri-tjterin. Kështu, thuhet se ka vepruar njeriu i kohëve të mëparshme…

Por, duke qenë se njeriu i realitetit të sotëm është duke shkuar edhe ai drejtë një zhvillimi më të madh, të kërkuarit ka marrë një shpejtësi të madhe, aq sa duke u zhvilluar me kaq hov ka hyrë në vorbullën e një progresi që e bën të jetë më tepër individualist, kështu që në vetveten e tij bëhet përjashtues i atij realitetit për të cilin folëm më sipër. Njeriu i sotëm, le të themi njeriu modern, tashmë pyet vetëm për vetveten, interesohet vetëm për veten, dëshiron të largohet më shumë nga të menduarit e të pyeturit mbi hyjnoren, për Zotin, e rrezikon të mos e marrë më parasysh atë! Ja pra, kështu veçse përfundon në një vetmi aq izoluese saqë nuk është më i aftë të shohë përtej vetes. Në këtë mënyrë, njeriu nuk është më filozof, por ego-fil, dashurues i egoizmit vetjak.

Duhet të themi me patjetër se një mbyllje e tillë nuk çon askund përveçse në një vetëizolim. Pastaj, izolimi nuk prodhon asgjë më shumë se sa një përkulje të vazhdueshme drejtë kërthizës sate, duke të bërë jo person që rritet e lartësohet, por një qyqar që gjithmonë e më shumë kërruset nga vetvetja e bëhet gjithnjë e më i vogël. Kjo është pasoja kur pyetjeve tona ia heqim paralelet e tyre nuk mbesin asgjë më shumë se sa një mori dokrrash të cilat nuk të çojnë te asnjë burim, pasi njeriu nuk është burim zanafillor i vetvetes. Sa më shumë të heqim dorë prej Zotit, apo hyjnores, aq më shumë përgjigjet e pyetjeve tona do të jenë të pavlera, jo të thella, të pakuptimta. Përgjigjet, pa Zotin në qendër nuk janë të gëzueshme, gjë e cila mundëson shkurajim të përditshëm, çrregullim, humbje fuqie totale. Pasojat e kësaj bindjeje të çojnë te një ftohtësi akute, e pastaj mundëson të jetuarit me një indiferencë aq të vrazhdë sa edhe po të kalonte Perëndia përballë, nën hundët tona, do të bënim sikur s’ka ndodhur asgjë, sikur ai të mos ekzistonte!

Po sikur Zoti të mos ekzistonte?!! Atëherë jeta e njeriut do të ishte një katrahurë e vërtetë, njeriu do të ishte prodhim i një rastësie e gjithçka e tij do të ishte e barazvlefshme me harxhimin dhe shpërdorimin e gjithçkaje kot e më kot. Sot, duke qenë se njeriu shpesh herë tenton të jëtojë sikur Zoti të mos eksiztojë, kjo e gjora krijesë merr përgjigje shterpë, të zymta e të errëta, atëherë edhe jeta s’ka kuptim më sepse vdekja shihet si fundi i gjithçkaje, vrasje. Po po, vrasje! Jam i bindur se një jetë e jetuar kështu, pa Zotin, e sikurse ai të mos ekzistonte, e çon njeriun në një vrasje të përditshme. Njeriu, siç thotë Niçe, e ka vrarë Zotin, e mundohet ta vrasë për çdo ditë, por duke vrarë atë, vret vetveten. Më thuaj, kush tjetër përveç Hyjit mund t’ia japë njeriut të vërtetën? Kush tjetër, përveç Atij, mund t’a çojë njeriun drejt lumturisë dhe zbulimit të plotë të vetes? Po qe se Zoti nuk ekziston, edhe jeta e njeriut, gjithçka që e përvesh atë, është absurde, e pakuptimtë dhe mizori e mizorive më të larta, e kështu njeriu dhe gjithçka e tij, e tërë hapësira, do të ishte dënuar me vdekje, do të kishin ngelur te kufinjtë e saj.

Prandaj, bërtas me të madhe sot e përgjithmonë se njeriu ka nevojë të dalë prej ego-filisë së vet, prej mbylljes individualiste, prej indiferentizmit e të lëshohet në krahët e Misterit të madhërueshëm, përndryshe gjithçka që është krijuar do të përfundonte në koshin e shkatërrimit, siç është duke përfunduar në këto kohë në të cilat jetojmë. Duke qëndruar i vetëm, në vetëmjaftueshmëri, njeriu do të vazhdojë acarin e luftrave, të grindjeve, të vrasjeve e si një Kain i ri, do të sulet si bishë e egër mbi vëllain e vet derisa të derdhë e të shfarosë edhe pikën më të fundit të gjakut njerëzor.

Njeriu pa Zotin është i destinuar të zhduket në një hiç e së bashku me të do të pësojë të njëjtin fat edhe gjithçka që e përfaqëson atë! Por, Zoti ekziston e kjo është shpresë e madhe për mbarë njerëzimin. E për ta çuar deri në plotësi e në vërtetim këtë të vërtetë kemi marrë prej Jezusit urdhrin që ta themelojmë jetën tonë në dashuri, pasi ajo është baza e të gjithave. Në çdo pikëpamje, Jezusi, edhe para se të largohej prej nxënësve u tha këtë: Këtë ju urdhëroj, duajeni njëri-tjetrin…(Gjn 15, 12).

Kjo është e vërteta e njeriut, ai edhe pse në vogëlsinë e vet mbetet gjithmonë një Mister shtegtar e për çdo ditë është i ftuar të shkojë drejtë vetë MISTERIT, e kështu të shkrihet me të në këtë takim, i cili do t’i mundësojë zbulimin e gjithçkasë që ka dëshiruar.

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.